E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti i Mediut detyron opozitën të kthehet në Kuvend

Opozita është e detyruar që të kthehet në seancën e ditës së hënë, për të votuar për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Bojkoti i paralajmëruar i Partisë Socialiste të seancave kuvendore deri sa të votohen dekretet e Presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë, nuk është i formës së prerë, kjo sepse nuk ka një vendim zyrtar të deputetëve për të vazhduar me këtë qëndrim. Mesa duket, braktisja e seancës së dy ditëve më parë për shkak të dekreteve ishte më shumë një makinacion politik i momentit sesa një strategji e menduar me hollësi qysh më parë. Burime nga selia rozë konfirmojnë se në mbledhjet e grupit parlamentar nuk është marrë asnjë vendim për bojkot të Kuvendit, deri sa të votohen dekretet. Ndërkohë krerë të grupit thanë të enjten se do të ikin nga Kuvendi deri sa të futen në rend dite dekretet e Topit. Ajo çka detyron socialistët të rikthehen në Kuvend, duke shmangur në këtë mënyrë bojkotin, është imuniteti i Mediut, për të cilin PS ka këmbëngulur që të votohet sa më parë. Ajo kërkon të tregojë qëndrimin e saj për çështjen e hetimit të tragjedisë së Gërdecit. PS është akuzuar nga aleatët e saj, se për hir të një bashkëpunimi me mazhorancën lëshoi pe në kurriz të ngjarjes së Gërdecit, duke mos e shfrytëzuar atë si rast për të bërë oponencë të ashpër ndaj mazhorancës qeverisëse. Mungesa në seancën e ditës së hënë do t’i “vinte kapakun” këtyre komenteve, të cilat do të merrnin përjetësim konkret.

Mungesa e koordinimit

Nuk është hera e parë që drejtues të selisë rozë artikulojnë qëndrime politike, në të shumtën e rastet, pa u diskutuar më parë me grupin e PS-së. Kryesisht këto qëndrime mbeten brenda rrethit të ngushtë të drejtuesve të PS-së, pa marrë fare konsultime me pjesën tjetër. Kështu, vendimi për t’iu rikthyer bojkotit të Kuvendit nuk ka marrë asnjë miratimin në grupin parlamentar, duke treguar mungesë koordinimi mes drejtuesve të lartë dhe pjesës tjetër të deputetëve. Ndërkohë muaj më parë, numri dy i grupit parlamentar të selisë rozë, Erion Braçe, deklaroi se opozita do të organizonte protesta kundër qeverisë. Ideja nuk ishte diskutuar në asnjë strukturë vendimmarrëse, nuk ishte diskutuar as me aleatët. Përballë rëndësisë që i dha media kësaj deklarate, PS ishte e detyruar që më tej të mbante premtimin e dhënë, pavarësisht nëse kushtet politike brenda vetë PS dhe së majtës e lejonin organizimin e protestës.

Xhafa: Vonesat me dekretet bllokojnë Gjykatën e Lartë

Partia Socialiste kërkoi dje miratimin nga Kuvendi me urgjencë të dekreteve të Presidentit për Gjykatën e Lartë, pasi vonesat në këtë proces kanë sjellë bllokimin e punës së kësaj gjykate. Sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafa, tha dje se nga 17 gjyqtarë kjo gjykatë është sot në mungesë të 7 gjyqtarëve. “Nuk funksionojnë normalisht kolegjet e saj. Nuk mund të formohet kuorumi për mbledhjen e Kolegjeve të Bashkuara. Ky institucion është pa drejtim administrativ, për shkak të mungesës së kryetarit dhe zëvendësit të autorizuar prej tij. Çështje të shumta gjyqësore që presin radhën për shqyrtim do të duhet të shtyhen në një afat të ri dhe qytetarët do të jenë në pritje e në ankth edhe për shumë ditë e muaj, më tepër të mësojnë fatin e së drejtës së kërkuar prej tyre”, - tha Xhafa. Për këtë vonesë, ai fajësoi lidershipin politik të mazhorancës aktuale, që sipas tij, ka marrë peng gjyqësorin shqiptar në një ripërpjekje të re për të vendosur nën kontrollin e tij politik pushtetin gjyqësor. Duke vlerësuar se Kuvendi është institucioni i ligjbërjes, ndaj dhe ka përgjegjësinë kryesore politike, morale dhe kushtetuese për zbatimin korrekt të ligjit, Xhafa deklaroi se mazhoranca parlamentare ka shkelur rëndë nenin 136 të Kushtetutës, nenin 4 të ligjit organik nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” si dhe nenin 111 të vetë Rregullores së Kuvendit, dispozita të cilat rregullojnë qartazi detyrimet e institucioneve respektive në këtë proces kushtetues e legjislativ. “Duke kërkuar futjen urgjent në rendin e ditës të dekreteve presidenciale, Partia Socialiste as nuk shprehet për cilësinë e votës së saj dhe as nuk bëhet palë e konfliktit absurd të krijuar ndërmjet lidershipit politik të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, me Presidentin e Republikës, pushtete e funksione kushtetuese, të cilat kanë buruar nga vetë PD-ja”, - tha Xhafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›