Oketa: NAMSA, asistencë për shkatërrimin e municioneve
Mbrojtja shqiptare kërkon asistencën e NAMSA-s, për të vazhduar procesin e shkatërrimit të municioneve të tepërta. Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shprehu në Bruksel angazhimin e institucionit që ai drejton për vazhdimin e punës në këtë drejtim. Oketa mori pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s dhe kontribuuese në KFOR, që u mbajt më 12 qershor 2008 në Bruksel. Në këtë takim u diskutua mbi vlerësimin e situatës së sigurisë dhe për rrugët që duhen ndjekur për një komunitet të sigurt ndërkombëtar në këtë periudhë të komplikuar, bënë të ditur burime të kësaj ministrie. Shefi i Mbrojtjes shqiptare, Oketa, u takua me përfaqësues të Organizatën për Furnizim dhe Mbështetje të NATO-s (NAMSA), të cilët i bënë atij një prezantim të projekteve dhe mundësive që ajo, ofron në bashkëpunimin me Shqipërinë dhe veçanërisht përsa i takon shkatërrimit të municioneve të tepërta. Në të njëjtën kohë, ministri Oketa diskutoi me ekipin e NAMSA-s dhe për mundësi të tjera bashkëpunimi, si në fushën e logjistikës, të menaxhimit të burimeve financiare, projekteve të modernizimit etj. Ministri Oketa vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me NAMSA, si dhe kontributin e dhënë prej saj në realizimin e dy projekteve të rëndësishme për shkatërrimin e armatimeve dhe municioneve të tepërta, si minat dhe armët e vogla e të lehta. Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, pati takime të veçanta me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Scheffer, me ministrin e Mbrojtjes të Belgjikës, Pieter De Crem, me ministrin e Mbrojtjes të Rumanisë, Teodor Melescanu, me ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Jung, si dhe me homologë të tjerë të vendeve anëtare të Aleancës.