Imuniteti i Mediut, sot diskutimi në Kuvend
Fatmir Mediu, ish-ministri i Mbrojtjes i cili sipas prokurorisë është një nga përgjegjësit për ngjarjen e ndodhur një muaj më parë në Gërdec, pritet ti hiqet sot imuniteti, me qëllim që ti hapet rruga prokurorisë për të bërë hetime. Këtë përgjegjësi në parlament e ka Këshilli për Rregulloren, mandatet dhe Imunitetin, i cili do të mblidhet sot për diskutim. Kërkesa e prokurorisë për hetimin e Mediut është mbështetur nga opozita dhe nga parti të tjera politike. Kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli është shprehur se do të ndiqet rregullorja për heqjen e imunitetit si për çdo rast tjetër. Mediu ka dalë në konferencë shtypi pas vendimit të prokurorisë dhe është shprehur se është gati për hetim dhe ka përjashtuar veten nga çdo përgjegjësi lidhur me këtë ngjarje.
Mbi Mediun rëndojnë disa akuza. Kështu sipas Organit të Akuzës ai ka shmangur forcat e armatosura nga garantimi i sigurisë dhe nga mbikëqyrja e punës në Gërdec në kundërshtim me vendimet e Këshillit të MinistraveËshtë bërë përzgjedhje e gabuar për vendin e demontimit që ka ardhur në kundërshtim me rregulloret e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat kërkojnë licencim për vendodhjen e depove ku kryhet demontimi. Është lejuar demontimi i kalibrit të madh të municioneve ndërkohë që ligji lejon vetëm demontimin e municioneve të vogla.Është lejuar leja e eksportit për dy kompanitë, SAC dhe Albademil, ndërkohë që rregullorja thotë se kompani të palicencuara nuk mund ta bënin këtë gjë. Së fundi Mediu sipas kryeprokurores nuk ka iniciuar nxjerrjen e akteve ligjore për eksport importin e mallrave ushtarake.