E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, lejohet përgjimi i deputetëve

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Sadushi, thekson se organit të akuzës pas kufizimit të imunitetit i mbetet t'i drejtohet Kuvendit vetëm për marrë leje për arrestimin dhe kontrollin personal të një deputeti shkelës të ligjit.

"Prokuroria me këtë propozim nuk ka pengesë për të filluar çështje penale ndaj një funksionari politik ose ndaj një gjyqtari për ta marrë atë të pandehur, qoftë edhe për të kryer veprime të tjera që lidhen me përgjimin, por kufizohet, pengohet për të bërë arrestimin dhe kontrollin vetjak të banesës pa miratimin e organeve përkatëse", thotë Sadushi, cituar nga AS

Kur ende është e paqartë nëse seanca e 6 gushtit do të zhvillohet apo jo, konstitucionalisti Sadushi thekson se nëse nuk sigurohet konsensusin me 94 vota, i vetmi shans për imunitetin, mbetet viti i ardhshëm.

"Në qoftë se projekt amendamenti hidhet në diskutim dhe në votim në datën 6 sikurse është planifikuar, nuk kalon atëherë konkluzioni është se për një periudhë një vjeçare nuk do të kemi më pr/amendament për këtë çështje”, shprehet ai.

Si ish-gjyqtar kushtetues, Sadushi e sheh si një garanci më shumë zgjedhjen e kolegëve të tij në kushtetuese dhe gjykatë të lartë me 84 vota. Kjo sipas tij, do të ishte  bararazpesha për kufizimin e imunitetit të tyre.  

"Kanë një qasje në pamje të parë pozitive sepse krijojnë një lloj garancie për institucionet kushtetuese të cilave do t'u hiqet imuniteti. Ndoshta nga përvoja shqiptare bindem që ka ardhur momenti që të shkohet drejt një shumice të cilësuar për këto funksionarë të lartë të shtetit. Nuk mund të mendojmë se me shumicë të cilësuar i kemi zgjidhur të gjitha këto probleme", shprehet Sadushi.

Kufizimi i mbrojtjes politike dhe ligjore për deputetët dhe gjyqtarët ishte pjesë e konsensusit të arritur mes PD dhe PS në 24 korrik. Por Partia Socialiste bëri të qartë se nuk do të japë votat për këtë draft në 6 gusht kur është parashikuar seance, por do ta miratojë në shtator se bashku me paketën tjetër të ndryshimeve kushtetuese të propozuara prej saj.  /Start/

                                                                                             2012-07-28 17:59
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›