E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHKAQET, Vrasja e vëllezërve Mulliri, dyshime për lidhje jashtëmartesore

Familja Mulliri ka një histori të zezë, e denjë për filmat thriller. Rreth shtatë vjet më parë, nëna e viktimave, Liliana Mulliri, vrau Alberto Xhihanin, një fëmijë 8-vjeçar dhe e hodhi në pus, pasi e copëtoi me sëpatë. Për këtë ngjarje, Liljana u arrestua dhe u dënua bashkë me ish-të dashurin e saj, Gentian Xhihani, xhaxhai i viktimës, pasi ai kishte informacion për krimin, por nuk tregoi. Vrasja e të miturit ndodhi më 4 shtator 2003, por zbardhja e ngjarjes dhe prangosja e autores u bë dy vjet më vonë. Më 30 nëntor të vitit 2005, Drejtoria e Policisë së qarkut Korçë bëri të mundur zbardhjen e autorësisë së krimit të ushtruar mbi Alberto Xhihanin. Prokuroria kishte nisur hetimet që më 10 shtator 2003 dhe për disa kohë u la në heshtje e vërteta e vrasjes së djalit 7-vjeçar nga Libohova. Më 27 nëntor 2005, Aishe Begolli, 36 vjeçe, lindur e banuese në fshatin Vidohovë, ka gjetur në brendësi të pusit të saj një kufomë të dekompozuar e cila i përkiste një fëmije. Eshtrat e kësaj kufome janë gjetur të ndara në dy thasë. Policia, menjëherë pas marrjes së njoftimit, ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe me një plan të detajuar ka punuar për të rindërtuar skeletin kockor, gjë që mund të përcaktonte nëse ishin pikërisht eshtrat e Albert Xhihanit, si dhe të përcaktonte nëse mbi të kishte veprime me mjete prerëse. Dëshmitë e dhëna nga moshatarët e viktimës, A. L. dhe E. M., kanë orientuar agjentët e policisë për gjetjen e së vërtetës. Sipas tyre, Alberti i vogël kishte shkuar me Liljana Mullirin dhe që prej atij momenti ai ishte zhdukur.
Pas veprimeve të mirëkoordinuara nga ana e forcave policore në Drejtorinë e Policisë së qarkut Korçë u bë e mundur të ndalohen më datë 30.11.2005 shtetasja Liliana Mulliri, 40 vjeçe, lindur e banuese ne Vidohovë, pasi akuzohej për veprën penale të rrëmbimit e vrasjes në kushte të tjera cilësuese. Ajo e ka kryer krimin më datë 4 shtator 2003, por rreth dy vjet më vonë ajo ka marrë eshtrat e fëmijës dhe i ka hedhur në pus, gjë që solli edhe zanafillën e zbardhjes së krimit.

30 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›