Rezart Taçi dhe truprojat mungojnë, shtyhet procesi
TIRANË - Në ditën e djeshme nuk është zhvilluar ashtu siç pritej, seanca e parë e procesit ku akuzohet biznesmeni Rezart Taçi dhe dy bodigardët e tij, Irgen Selfos dhe Bledar Lilos, për rrahjen e gazetarit Mero Baze. Gjyqtari i çështjes, Petrit Çomo u shpreh se të gjithë të pandehurit kanë marrë dijeni për seancën e ditës së premte, mirëpo ata sërish nuk janë paraqitur. Në seancë nuk kanë qenë dhe dy avokatët mbrojtjes. Këta të fundit ishin të pranishëm në procesin e Gërdecit. Gjyqtari la seancën e radhës për në datën 18 shkurt. Tre të pandehurit akuzohen nga ana e Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës” ndaj gazetarit Mero Baze. Sipas organit të akuzës, është arritur të provohet fakti si pronari i kompanisë “Taçi Oil” dhe “ARMO” e ka goditur gazetarin Baze dhe shkak kanë qenë emisionet dhe shkrimet që ky i fundit ka bërë në adresë të tij, duke e akuzuar atë për blerjen e parregullt të kompanisë shtetërore “ARMO”.
30 Janar 2010