Prangoset trafikanti i 23-vjeçares, e nxori me dhunë në rrugët e Italisë
TIRANË – Pas denoncimit që ka bërë një vajzë nga Tirana, e cila është shfrytëzuar për qëllime prostitucioni në Itali, prangoset tutori i saj. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda në Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Udine”, u bë e mundur arrestimi i shtetasit Agim Imeri, 46 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Sipas tyre, arrestimi i Imerit u realizua, sepse ky shtetas dyshohet se në muajin gusht të vitit 2009, ka trafikuar në Udinë të Italisë, për qëllime prostitucioni një 23 vjeçare nga Tirana, të cilën e ka shfrytëzuar përreth 4 muaj.
Hetimi
Procedimi penal në ngarkim të 46 vjeçarit ka filluar pas dhënave të siguruara nga seksionit i Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe më pas, kallëzimit penal të deponuar nga një vajzë 23-vjeçare, e cila thotë se është nxjerrë për dhunë në rrugët e Italisë për të prostituuar. Sipas dëshmisë së viktimës, ngjarja ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2009. Burimet zyrtare pohojnë se Imeri e ka marrë femrën, duke e trafikuar atë, nëpërmjet Malit të Zi, Kroacisë, dhe më pas në Slloveni me destinacion Italinë. “Kapja e tij u realizua në mjediset e një lokali në qendër të Kombinatit në Tiranë, falë një operacioni të mirë-organizuar”, - thotë zëdhënësja e policisë.
Kërkimi
Burimet në Policinë e Qarkut Tiranë pohojnë se Agim Imeri ishte vënë në kërkim që prej periudhës kur është bërë denoncimi. Të paktën për një periudhë 3-mujore ai është mbajtur nën ndjekje të vazhdueshme nga agjentët e seksionit të Luftës kundër Trafiqeve të Paligjshme, të cilat kanë koordinuar punën me ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për kapjen e Imerit u realizua operacioni i koduar me emrin “Udine”. Zëdhënësja e policisë thotë se “gjatë kontrollit të banesës së tij, në cilësinë e provës materiale u gjendën një pistoletë kalibër 9 mm, si dhe shumë fatura dhe korrespondencë bankare që i dërgonte nga Italia për në Shqipëri, në kohën kur kryente këtë aktivitet kriminal. Burimet policore shprehen se materialet e përpiluara në ngarkim të tij, do t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë, për veprën penale të “Trafikut të femrave”.
Vetëdorëzohet në polici, vrau të dashurën greke pas konfliktit
ATHINË – Një 25 vjeçare, nënë e dy fëmijëve, u gjet e vrarë në Greqi, kurse i dashuri i saj shqiptar, u zhduk menjëherë pas krimit, por disa orë pas ngjarjes, ai është vetëdorëzuar në polici. Burimet nga mediat greke bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në Astako të Greqisë, ku dy ditë më parë, policia gjeti kufomën e një femre 25-vjeçare, shtetase greke, e cila jetonte në zonën e Makrinias. Policia tha se nënë e dy fëmijëve ishte qëlluar me armë zjarri në kokë. Më pas, trupi i saj ishte hedhur në disa shkurre në pyllin e Ligovicës, jo larg vendbanimit. Viktima bashkëjetonte prej disa kohësh në fshatin Mataranga, me një djalë shqiptar, 30 vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. E ndjera, pak para se të lidhej me emigrantin shqiptar, jetonte në Kardhica, ku ishte ndarë me të shoqin, një shtetas grek, me të cilin kishte dhe dy fëmijë. Ajo punonte në klubet e natës së zonës së Makrinias. Policia tha se u përpoq të merrte në pyetje të dashurin shqiptar të viktimës por ai nuk u gjet ndaj dhe e ka shpallur në kërkim. Hetuesit thanë se e konsiderojnë 30 vjeçarin shqiptar si të dyshuarin e vetëm për vrasjen e shtetases greke.
I riu shqiptar u vetëdorëzua dje në rajonin policor, ku tha se ishte ai i dashuri i 25-vjeçares greke, të cilën pranoi se e kishte vrarë me armiq gjuetie, një çifte, dy ditë më parë. I dyshuari i tha policisë se e kreu krimin në gjendje të dehur dhe në kushte të tronditjes së thellë psikologjike.
SHKURT
Shpallen në kërkim dy të rinj për vjedhjen e kishave
KORÇË – Dy persona që kanë vjedhur kishat në qarkun e Korçës janë zbuluar dhe janë shpallur në kërkim policor. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë identifikuan shtetasin Bledian Trushina, 37 vjeç, lindur dhe banues në Tushemisht, si autor të dyshuar të grabitjes së kishës së “Shën Pandelimon”, ngjarje kjo e ndodhur më datë 10 janar. Po dje, policia e Korçës njoftoi se ka identifikuar si autorin e vjedhjes së kishës së “Shën Thanasit”, 51-vjeçarin L.R. Vjedhja e kësaj kishte ka ndodhur më 31 mars të vitit të kaluar. Autorët e grabitjes së dy kishave janë shpallur në kërkim nga policia pasi akuzohen për veprën penale të “vjedhjes”.
Aksidenti në Rrëshen-Kalimash i merr jetën 35-vjeçarit
MIRDITË – Një aksident tjetër është regjistruar në autostradën e re Rrëshen-Kalimash, i cili ka përfunduar me vdekjen e një 35-vjeçari dhe plagosjen e një shtetasi tjetër. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se viktima është shtetasi Anton Boçi, lindur dhe banues në komunën Klos të rrethit të Mirditës. Ai ishte në mjetin që drejtohej nga bashkëfshatari i tij, Ndue Biba, kur janë përplasur me bordurën e rrugës. Një person tentoi të kalojë në anën tjetër të rrugës, dhe 30-vjeçari Biba ka devijuar, por përplasja ka qenë fatale. Policia e Mirditës bën të ditur se dëmtime të rënda ka marrë dhe drejtuesi i mjetit i cili është dërguar në spitalin Rrëshen dhe po trajtohet nga personeli mjekësor.
Prangosen dy të kërkuarit për plagosjen
ELBASAN – Dy persona që ishin shpallur në kërkim, kanë rënë në prangat e forcave të policisë së Elbasanit pas një aksioni të organizuar prej këtyre të fundit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë u arrestuan shtetasit; Durim Paja, 29 vjeç dhe Indrit Metani, 28 vjeç; që të dy lindur e banues në fshatin Shushicë të Elbasanit. Mësohet se personat ishin shpallur në kërkim policor, pasi ndaj tyre gjykata kishte dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”. Që të dy akuzohen për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim. Materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme dhe tashmë Paja dhe Metani do të vijojnë procesin gjyqësor për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
30 Janar 2010