Imzot Dodë Gjergji: Nënë Tereza meriton të nderohet, sepse është shkollë dashurie dhe shërbimi
Fjala përshëndetëse e ipeshkvit të Kosovës imzot Dodë Gjergjit në Akademinë solemne mbajtur në Prishtinë, më 10 dhjetor 2009 me rastin e 30-vjetorit të dhënies së çmimit Nobel për Paqe Nënës Terezë, dhe shpalljes së vitit 2010 si Viti i Nënë Terezës
Ndihem i privilegjuar që sot mund t’Ju drejtohem nga kjo foltore, me rastin e 30 vjetorit të dhënies së Çmimit Nobel për Paqe Nënë Terezës. Tridhjetë vite më parë, ne të gjithë shqiptarët, ishim nën prangat e diktaturës dhe jetonim në terrin e ideologjisë që na i impononte koha. Atëherë, pra, kur kjo Motër e Jona, me veprën e dashurisë kishte arrit të bëhej Nënë e botës së varfër, kur kishte arrit të merrte merita dhe dekorata të shumta, falënderime dhe mirënjohje nga institucionet dhe shtete të ndryshme të botës, siç ishte edhe Çmimi Nobel për Paqe, ne as që e dinim se: Si në këto kohë të errëta diku në horizont ishte një Yll drite që shkëlqente dhe denjësisht na përfaqësonte të gjithë neve kudo në botë.
Pas rënies së diktaturave, në Shqipëri dhe Kosovë, janë bërë përpjekje të mëdha për të nderuar dhe promovuar figurën Nënë Terezës, siç është edhe Akademia e sotme kremtore. Ky është një moment shumë i mirë për të promovuar edhe nismat e marra nga Këshilli Organizativ për Vitin Jubilar – 100 vjetorin të lindjes së Gonxhes së Bojaxhinjëve, Nënës tonë Terezë.
Ditën e kalimit të saj në amshim, që është dita e Festës së Nënë Terezës, me 05 shator të këtij viti, në Katedralen “ Zoja e Këshillit të Mirë” në Prizren, e kam shpallë vitin 2010 “Vit jubilar të Nënë Terezës” për Kishën tonë në Kosovë. Sot u lexua dekreti Presidencial që vitin 2010 e shpallë Vitin e Nënë Terezës.
Prandaj ndjej të nevojshme të shpreh konsideratat më të thella të Kishës Katolike dhe e falënderoj nga zemra Presidentin e Republikës së Kosovës, Shkëlqesinë e Tij shumë të nderuar Zotëri Fatmir Sejdiun, që sot me rastin e këtij solemniteti e konfirmoi edhe njëherë se Nënë Tereza, edhe pse një Murgeshë Katolike, nuk është një pasuri e rezervuar vetëm për ne, por ajo është figurë e ndritur e kombit, prandaj Ju takon të gjithëve dhe të gjithë kanë të drejtë ta bëjnë dashurinë e shprehur dhe të shërbyer në dobi të tjetrit, shembull jete.
Populli ynë dhe Kisha Jonë, në të kaluarën e largët dhe në atë të afërm që mbajmë mend, ka nxjerrë figura të shumta që kanë dhënë kontribut të çmuar: për shkrim e lexim, për dije dhe kulturë, për fe dhe Atdhe, për liri dhe shtet! Por, ndër të gjitha këto janë dy figura të pa kontestueshme dhe fuqiplote që meritojnë të nderohen nga të gjithë; Gjergj Kastrioti i quajtur Skenderbe vigani i qytetërimit tonë dhe frymëzuesi i përhershëm për liri dhe Gonxhe Bojaxhiu, që e gjithë bota e quan Nënë Tereza, simboli i dashurisë dhe i paqes për të gjithë.
Shteti i ri që kemi ndërtuar, Kosova jonë e lirë dhe e pavarur dhe ne qytetarët e sajë kemi mundësi të mësojmë shumë nga filozofia e jetës së Terezës të cilën mund të përmbledhim kështu: S’ka rëndësi se sa jep, por sa dashuri vënë në atë që jep, nuk ka rëndësi se kush je, a beson apo nuk beson, por a ke nevojë për mua. S’ka rëndësi a je i pasur apo i varfër është e rëndësishme a je i lumtur. S’ka rëndësi a je punëtorë i thjeshtë apo je i veshur me pushtet është e rëndësishme a dinë respektosh dhe të vlerësosh të mirën. S’ka rëndësi se çfarë gjuhe flet por ka rëndësi a fletë çartë të vërtetën dhe a arrin të kuptosh atë. S’ka rëndësi kujt i bën mirë, e rëndësishme është a ka nevojë dhe a është më i nevojshmi ndër nevojtarë. S’ka rëndësi a të përbuzin apo të urrejnë të nderojnë apo të lavdërojnë; e rëndësishme është që ti t’i duash.
Miq të dashur, gjatë këtij “Viti të Nënë Terezës”, ju ftoj të gjithëve që të mbështesim njëri-tjetrin për të marrë “nga kjo filozofi jete” dhe mënyrë veprimi në ushtrimin e kujdesit për të afërmit tanë, në mënyrë që të gjithë të kuptojmë se: ja vlen t’i përgjigjemi nevojës me sakrificë, së keqes me të mirën e urrejtjes me dashuri. Kjo formë jete ndryshon sendet, ndryshon zemrat dhe ndryshon shoqërinë. Por për tu arritur e gjithë kjo, ti nuk duhet pritur që të ndryshoj unë e as unë nuk duhet pritur që të ndryshosh ti, ne duhet njëkohësisht të ndryshojmë te dy.
Zoti President, edhe njëherë dëshiroj t’iu falënderoj për dekretin Tuaj me të cilin e shpallni Vitin 2010 vitin e Nënë Terezës. Dekreti Juaj i jep dimension më mbarë-shtrirës kësaj iniciative dhe iu mundëson të gjithë institucioneve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës tonë, pa marre parasysh dallimet që i kemi, të reflektojnë mbi veprën dhe figurën e shkëlqyeshme të dashurisë dhe të paqes, që është Nënë Tereza.
Nënë Tereza ishte, dhe mbetet, simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor.