E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama do të kthejë vrasësit në polici

23-01-2013 / Gazeta 55

Alternativa zgjedhore e Edi Ramës po nis të shpaloset, duke konfirmuar simbiozën e opozitës me krimin. Një ditë pas përvjetorit të grushtit të shtetit të 21 janarit, kreu i opozitës ka konsumuar hakmarrjen e vet primitive ndaj Policisë së Shtetit, duke kërcënuar se do të shkatërrojë gjithë strukturën shtetërore, nëse do t’i jepet rasti të vijë në pushtet
Fakti/Nekropolitika, alternativa e vetme elektorale e opozitës

Në fillim duhet të jenë ngushëllimet dhe më pas janë fjalët e tjera. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama pas marrjes vesh të lajmit se shefi i krimeve të policisë Burrelit Musa Skura dha jetë shpjegoi të përdorte vdekjen e tij për të bërë ca politikë ditore. Kreu i opozitës në fillim duhet të kish shprehur ngushëllime për familjarët e komisar Skurës dhe më pas të lëshonte një seri akuzash të pabaza politike. Natyra nekropolitike e Edi Ramës u shfaq në aluzionin se operacioni i shefit të krimeve të Burrelit Musa Skura qenka dekonspiruar, por këtë kreu i PS e “zbuloi” pas lajmit të ikjes përtej kësaj bote, duke sinjalizuar një cinizëm të ulët me këtë veprim të papërgjegjshëm të bazuar në thashetheme.
Në të vërtetë, kreu i opozitës Edi Rama po kryen një hakmarrje të ftohtë politike ndaj uniformës së policisë së Shtetit sidomos pas 21 janarit 2012, ku forcat e sigurisë ndaluan orvatjen radikale të përmbysjes së rendit Kushtetues me dhunë. Dy vitet e fundit opozita ka organizuar disa fushata shkurajuese kundrejt Policisë së Shtetit dhe uniformave shtetërore duke barazuar policinë me krimin ordiner, çka bëri dje edhe Edi Rama.
E ka bërë edhe më parë. Duket, në largpamësinë e Edi Ramës, modeli i Policisë së Shtetit, është ai i kohës që drejtonte edhe policinë bashkiake të Tiranës, efektivët e së cilës i nxiste dhe i ndërsente edhe kundër Policisë së Shtetit, dhe jo aq larg, por në kohën që në krye të Ministrisë së Brendshme, ishte një socialist, i tipit Igli Toska. Rasti i konfliktit të rëndomtë, prej halabakësh, te Blloku, i policëve të Edi Ramës me ata të Igli Toskës, është ende emblematike. Falë këtij, modeli, duke pasur në mendje policinë e tij bashkiake, ai po përgatitet, (sigurisht në qoftë se vjen në pushtet), të katapultojë e të riciklojë në radhët dhe ën drejtim të Policisë së Shtetit, vrasësit e vitit 1997. Nën moton “fundërrina kudo që jeni, bashkohuni”, Edi Rama, mendon dhe beson se është në rregull.
Por, përkundër dëshirave, tashëm të pa fshehura të Edi Ramës, e vërteta është se Policia kohët e fundit ka realizuar një performancë të qëndrueshme duke përmirësuar treguesit e luftës kundër krimit në përgjithësi. Mjafton të lexosh të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit për të konstatuar një rritje progresive në goditjen kapilare të krimit të organizuar dhe trafikantëve të drogës.
Qëndrimet e Ramës janë një papërgjegjshmëri totale sepse të dalësh kundër krerëve të policisë së Shtetit do të thotë të jesh kundër institucioneve dhe të hapës shtegu të justifikimit të krimeve. Po e konceptuam policinë si përgjegjëse për rritjen e shkallës së kriminaliteti është sikur të thuash sëmuremi më shumë sepse mungon mjeku. 
Ndërkaq opozita e Ramës ka probleme të dukshme me shtetin ligjor, pasi janë jo të pakta rastet kur ajo ka organizuar bllokime të akseve kryesore të vendit, të okupimit një mujor të bulevardit që çakordoi sistemin e trafikut në Tiranë, organizimi dhe stimulimi i demonstratave të dhunshme, etj. Sigurisht problemet e opozitës socialiste janë më të dukshëm kur shikojmë rezultatet e prekshme që kanë pasur Ministrat e brendshëm të qeverive Berisha, 1, 2.
 Në dy vitet e para të ardhjes në pushtet të së djathtës (2005-2007), Policia e Shtetit realizoi 172 operacione të koduara duke shkatërruar 220 banda të organizuara dhe rreth 2500 persona të dyshuar, që janë arrestuar si pjesë e organizatave kriminale të trafiqeve të ndryshme, vrasjeve, grabitjeve e gjobëvënieve. Përveç operacioneve në fushën kundër trafikut të narkotikëve brenda dhe jashtë vendit, një vend të veçantë zënë aksionet kundër trafiqeve të tjera, krimit ekonomik e pastrimit të parave, krimeve terroriste e antikushtetuese dhe pjesa e fundit e dosjes është lufta kundër krimit të organizuar e zhvilluar në operacione të përbashkëta me ndërkombëtarët. Përmenden arrestimet e anëtarëve të “Bandës së Lushnjës” të drejtuar nga Aldo Bare e Enver Dondollaku, kapja e Lulzim Berishës, i cilësuar si koka e “Bandës së Durrësit”, si dhe persona të tjerë, të cilët drejtonin organizata në qytete të ndryshme.
Vitin e kaluar patëm një ulje të numrit të krimeve kundër jetës me 5 për qind më pak, se në 2011 dhe, paralelisht, zbulueshmëria është rritur me 5 për qind, duke qenë zbulueshmëri rekord. Është rritur ndjeshëm forca parandaluese, ku janë parandaluar 220 vrasje të mbetura në tentativë ose 4.2 për qind më shumë se një vit më parë, si dhe është katërfishuar sasia e drogës së kapur. Edhe partnerët tanë kanë vlerësuar me notat më pozitive arritjet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit, veçanërisht atij të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe në menaxhimin e kufirit. Dhe gjithçka është pasqyruar në raportet e tyre për Shqipërinë dhe ato mund të gjenden lehtësisht ne site-t përkatëse nga çdo qytetar shqiptar.  
Sidoqoftë Edi Rama ka një hall të madh me policinë e Shtetit meqenëse përdorimi i kandidatëve me precedentë penalë, si në zgjedhjet lokale të 2011 ashtu si në zgjedhjet e pritshme parlamentare të 23 qershorit e ka “armiqësuar” këtë kategori të fortë morale e etike me opozitën amorale. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›