Ina Kosturi: Në Maratonën e Muzikës Violinistike, erdhën tinguj nga Bethoven tek Copland
Është një violiniste e njohur, e cila gjithmonë ka guxuar të sjellë diçka të re në fushën e muzikës, gjë e cila ka rezultuar me sukses në karrierën e saj artistike. Kanë pesë vjet që duoja Ina Kosturi (violinë) dhe Rudina Ciko (piano) shfaqen në recital.
Në vijim të aktivitetit të tyre para disa ditësh në sallën "Tefta Tashko Koço" në Ministrinë e Kulturës, artistet e njohura Kosturi dhe Ciko ekzekutuan një repertor klasik dhe modern: nga Svendsen "Sonata nr. 7 op 30 nr. 2" e quajtur "Heroike e Beethovenit", nga Aaron Copland "Sonata për violinë e piano", po ashtu në këtë koncert u interpretua dhe një pjesë për violinë e kompozuar nga Ina Kosturi. Një koncert, i cili ishte suksesi i radhës së violinistes, e cila sot pa dyshim që është një prej emrave të njohur të artit, që herë pas herë sjell tinguj të mrekullueshëm tek publiku. Në Maratonën e Muzikës Violinistike kjo duo ka sjellë mjaft vepra premierë shqiptare. Dy dvd të edicionit 2009 u përshinë në fondin e Bibliotekës Noliane në Boston, në shërbim të studiuesve shqiptaro-amerikanë. Në një intervistë dhënë për gazetën violinistja Kosturi tregon emocionet që i fali koncerti dhe cilat janë projektet e saj në vijim të sezonit. Kosturi është diplomuar në Akademinë e Arteve, Tiranë dhe Konservatorin "Il Giordano" të Foggias, Itali.
-Koncerti juaj i fundit u mirëprit nga publiku. Si ndiheni tani që ai ka përfunduar, çfarë emocionesh ju solli ai?
Para së gjithash dua të theksoj se koncerti, që sapo kam realizuar quhet Maratona e Muzikës Violinistike dhe në të vërtetë është një maratonë e realizuar nga një duo që interpreton vepra të vështira e të rëndësishme të repertorit violinistik, shpesh premiera. Jemi mësuar me realizime të koncerteve të mëdha, që shpesh pjesëmarrja e shumë artistëve u jep trajtën dhe rëndësinë. Në të kundërt me këtë koncert e aktivitet kemi dy individë apo një duo në formacionin e njohur violinë piano, një duo stabël që realizon një maratonë përsa i përket numrit të veprave dhe larmisë e vështirësisë së repertorit. Ky ishte edicioni i pestë dhe po të bësh një përshkrim të pesë edicioneve, secili prej tyre dhe çdo recital përmban risitë dhe vështirësitë. Po rendis disa nga specifikat. Edicioni i parë i 2006 solli përtej traditës shqiptare të interpretimit realizimin e tre koncerteve recitale në një periudhë dy javore. Interpretimi i një violinisti në tre recitale i ngjan një aktori, i cili realizon tre role të ndryshme teatri në një periudhë prej dy javësh. Vështirësia dhe lodhja ishte shumë e madhe, repertori i ngjeshur dhe veprat nga sonata e Franckut, Brahmsit, nga klasikët, tek modernët. Edicioni i dytë i 2007 ishte në vetvete një maratonë, nga interpretimi i Partiturës së dytë të Bahut për violinë solo, tek sonata premierë e Ravelit, si dhe gjithë programi, për të vazhduar me edicionin e 2008, ku spikati interpretimi i veprave të vjetra shqiptare, që vinin për herë të parë krahas të tjera sonatave. Edicioni i 2009 solli interpretimin e Duo Concertant të Stravinskit, Gershvin etj, për të ardhur tek ky edicion, që solli emocionet e një repertori të veprave të zgjedhura e mjaft të bukura.
-Me çfarë veprash u prezantuat këtë herë para publikut? Cila ishte e veçanta?
Koncerti filloi me një pjesë shqiptare, të cilën e kam kompozuar në të njëjtën kohë kur shkruaja një ese që publikova në panairin e 12- të librit. Ish kjo e veçanta apo ajo çka u mirëprit me duartrokitje që në fillim të koncertit. Interpretuam këtë pjesë modeste, me një shoqërim të thjeshtë të pianos, po që ka tema të pëlqyeshme dhe që tingëllojnë shqip, më pas prezantova thjesht si kish lindur kjo melodi apo ky improvizim, të cilin ndjeva se e pëlqyen. Shpresoj të pritet mirë tek muzikantët të cilët janë më skeptikë, shumë konservatorë dhe ndryshe nga shkrimtarët, ku ka shumë hapësirë për të guxuar me shkrime, muzikantët e kornizojnë veprimtarinë e instrumentistit dhe dalja jashtë kornizës së interpretimit pritet me një lloj ambicieje. Pjesa ishte thjesht një improvizim për violinë, në një instrument që e njoh mjaft mirë e ndoshta është me pranë profesionit tim sesa shkrimi, ndonëse shkrime kam bërë shumë. Veprat në vazhdim ishin të mrekullueshme, romanca e Svendsenit, katër kohët e sonatës Heroike apo sonata 7 op 30 nr 2 e Bethovenit, 3 kohë nga sonata Aaron Copland e shkruar në 1943, si dhe një pjesë nga Pugnani- Kreisler, për të finalizuar koncertin.
-Është vështirë të realizosh një koncert të përmasave të tilla?
Është e vështirë pasi programi është i ngjeshur, kërkon studim por njëkohësisht më është dashur të merrem dhe me gjithë mbarëvajtjen e koncertit, që përfshin gjithçka tjetër, plus interpretimin. Në këtë sens gjithë aktiviteti ka ngarkesë. Jam përgjegjëse jo vetëm për interpretimin, po për gjithë detajet.
-Keni vite që bashkëpunoni me pianisten Rudina Ciko, çfarë mund të na thoni rreth këtij bashkëpunimi?
Kam interpretuar me pianisten Rudina Ciko shumë më parë se të realizonim pesë edicionet e Maratonës së Muzikës Violinistike, që kur kam qenë studente në Akademinë e Arteve, madje kam realizuar me të koncertin tim të parë në sallën e Akademisë. Kemi një numër të madh veprash që njohim dhe interpretojmë. Në 2009 kemi realizuar një emision televiziv të përjavshëm të muzikës klasike , të quajtur Metronom. E veçanta është se njohim shumë vepra, dhe programin e koncertit e ndërtojmë në një kohë rekord.
-Pas këtij koncerti çfarë do të kemi në vijim të aktivitetit tuaj artistik?
Të shpresojmë një koncert me orkestër.... Gjithsesi duhet kuptuar se dalja në skenë dhe aktiviteti nuk përputhen me studimin e dëshirat. Të shpresojmë në realizimin e koncerteve, që kërkojnë përveç punës, pasionit, talentit dhe përkrahjen e stimulimin e artistit. Jam e gatshme për të interpretuar, po gjithë kjo nuk varet vetëm prej meje.
-E ndërkohë që ju shkruani dhe libra. Si janë marrëdhëniet tuaja me librin?
Libri ka një kosto më të vogël krahasuar me realizimin e një koncerti. Kosto e një libri është e barabartë me tarifën e sallës që duhet për realizimin e një koncerti. Në këtë sens duket sa i vështirë është realizimi i një koncerti. Kam shkruar tre libra, njëri me kritikë, i dyti një studim pedagogjik si dhe një ese që publikova në Panairin e 12 të librit. Duket se letërsia dhe muzika kanë një lidhje. Nga muzika atë që nuk e shprehja më tinguj, e kam shkruar në libër dhe anasjelltas libri si eseja e fundit më ka frymëzuar për të kompozuar një pjesë si kjo që interpretova në këtë edicion të Maratonës së Muzikës violinistike. Është interesante po të bësh një krahasim. Ndjesia që provon në një librari është se ajo çka ke shkruar ndodhet mes dhjetëra veprash të tjera, ndërsa përsa i përket interpretimit, ndonëse nuk ke një violinë shumë të shtrenjtë, interpretimi është më pranë disqeve të violinistëve të mëdhenj.
-Çfarë të fal libri, por nga ana tjetër po violina?
Libri është më i shpejtë, e shkruaj pa ju kthyer, ndërsa instrumenti kërkon studim të vazhdueshëm të pasazheve, notave, kërkon një kohë të domosdoshme, ka një lodhje fizike,orë studimi që mund ti kufizosh po që janë gjithsesi të domosdoshme. Janë dy lloj lirish. Libri ka një mundësi më të madhe për të shkuar tek lexuesi, koncerti ka një specifikë të faktorit kohë, kërkon spektatorin që ndodhet në një datë e orë të caktuar në një sallë, dhe kjo ja kufizon suksesin, megjithatë emocionet e koncertit janë të forta e të menjëhershme, duartrokitjet, që përjetohen fuqishëm por shpejt, ndërsa libri ti jep emocionet më ngadalë, po më gjatë. Fjala jeton gjatë, tingulli humbet sfumohet, deri në koncertin tjetër, megjithëse mjetet e sotme të dokumentimit muzikor e ruajnë dhe atë. Kështu dy DVD te edicionit të katërt të Maratonës janë ruajtur në fondin Bibliotekës Noliane në Bos