Ina Rama: Gërdeci do të ketë fajtorë
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi dje se tragjedia e Gërdecit do të ketë fajtorë. Duke folur në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, ajo u shpreh për shumë detaje të hetimit për fabrikën e demontimit dhe tragjedinë që shkaktoi ajo, duke lënë të kuptohet se hetimet janë të thella e shumë serioze. Rama tha për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, se ende nuk është marrë një vendim, si dhe vuri theksin se do të respektohen afatet dhe të gjitha procedurat. Ajo foli edhe për hetimet për rrugën Durrës-Kukës. “Po presim ekspertizën kontabël, për të parë nëse duhet të hetojmë apo jo”, - tha Prokurorja e Përgjithshme. Gjatë bisedës në studiot e “Top Channel” u prek edhe debati i fundit lidhur me projektligjin për Prokurorinë. Ajo tha se ndonjë paragraf i projektit rrit kontrollin e Parlamentit ndaj Prokurorisë. Por ndryshimet në ligjin për Prokurorinë, - tha ajo, - nuk janë të lidhura me hetimet për Gërdecin, ndërsa la të kuptohet se ndryshimet kushtetuese ishin shumë të shpejta për logjikën e një juristi.