Falja e borxheve të Delijorgjit, debat në Kuvend
Kuvendi ka rikthyer edhe një herë në vëmendje çështjen e Gërdecit, por kësaj herë për sa i përket faljes së borxheve tatimore. Seanca e djeshme kishte në rend dite miratimin e projektligjit për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave ndaj subjekteve të biznesit dhe një ndër to është edhe kompania e Delijorgjit. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se kompania “Albademil” e drejtuar nga Mihail Delijorgji, do të ketë falje detyrimesh dhe kjo për shkak të prezumimit të pafajësisë, pasi kjo kompani është në proces penal dhe nuk ka vendim për fajësinë e saj. Një nga debitorët më të mëdhenj në tatime dhe dogana është edhe kompania e Delijorgjit. Tani Delijorgji është në ndjekje penale. Detyrimet absolutisht i falen. “Po ju them se ai (projektligji) ekziston për evazion fiskal, tani ju thoni ta falim njëherë pastaj të shohim veprën penale. Është rasti kur në organin tatimor dhe doganor krijohen shuma të mëdha, bëhet ankimin dhe nuk paguhet në kohë, organi tatimor nis proces penal dhe në shumicën e rasteve prokuroria kthen përgjigje, nuk përbën vepër penale. Mund të jenë 10-15 dosje që janë në proces. Themi të mos falen se s’e dimë përfundimin. Në rast se ka bërë vepër penale nuk falen”, - tha Bode. Këtë deklaratë e ka kundërshtuar Ermelinda Meksi e cila tha se Delijorgji është akuzuar për shkatërrim prone. Pavarësisht debateve, Kuvendi vendosi të miratojë me shumicë votash projektligjin për faljen e gjobave ndaj biznesit. Ligji parashikon që vetëm kur gjykata vendos, atëherë do paguhen detyrimet. “Ka një kategori tjetër detyrimesh, persona që kanë ankimuar në gjykatë, është bërë procesi hetimor dhe gjykata ka vendosur që ky subjekt është fajtor. Në rast se gjykata ka vendosur që subjekti do paguajë detyrimet dhe në këtë rast nuk kemi bërë falje”, - tha Bode. Ermelinda Meksi kërkoi anulimin e këtij neni, por Bode tha se kjo është çështje parimore. Me miratimin e ligjit, të gjitha bizneset që janë debitore, pra borxhlinj ndaj tatimeve dhe doganave, por këto të fundit nuk ia kanë bërë të ditur atyre, pra nuk kanë vendime administrative, ose i kanë këto vendime, por nuk ia kanë treguar biznesmenëve duke mos i njoftuar, do të përfitojnë zerimin e detyrimeve. Pra, të gjithë këta biznesmenë nuk u detyrohen, nga data 1 janar 2008, asnjë qindarkë organeve fiskale. Në dogana ky borxh llogaritet në 667 milionë lekë, ndërsa në tatime 500 milionë lekë. Ky borxh nuk i është njoftuar asnjëherë subjektit debitor. Pra, biznesi nuk e di që ka një borxh të tillë, të paktën në mënyrë ligjore. Si i tillë, ai nuk është titull ekzekutiv dhe është i pamundur të vilet. Të gjitha bizneseve që kanë një detyrim doganor apo tatimor, por ky detyrim ka lindur duke tejkaluar afatet e parashikuara nga kodi doganor apo procedurat tatimore, do t’u falen gjobat dhe kamatat, me kusht që të paguajnë brenda datës 31 dhjetor 2008 detyrimin. Pra, bizneset që janë gjobitur, por gjoba u është vënë duke tejkaluar procedurat nga tatimet dhe doganat, do të falen, por në rast se paguajnë detyrimin. Nga kjo amnisti, do të zerohen 3.3 miliardë lekë detyrime në dogana, nga të cilat 2.2 miliardë lekë gjoba dhe 1.04 miliardë lekë kamatëvonesa. Parashikohet që biznesmenët do të paguajnë 1,8 miliardë lekë principial, detyrimin real ndaj doganës. Në arkën e tatimeve do të zerohen 3.2 miliardë lekë, nga të cilat 1.9 miliardë gjoba dhe 1.3 miliardë interesa. Parashikohet që biznesmenët të paguajnë 4 miliardë lekë principalin ose taksat e shmangura.