Incidenti, deputetët socialistë, grusht Komandantit të Gardës
Kuvendi është përfshirë dje nga një incident, ku në qendër të tij kanë qenë dy deputetët e opozitës, Andis Harasani dhe Ndriçim Hysa. Dy deputetët në fjalë kanë tentuar të fusin në sallë 5 kallinj misri pa kokrra, për të cilët opozita pretendon se ishin marrë nga fushat e mbjella me farën sterile të misrit, por Komandanti i Shërbimit të Gardës në Kuvend, Arben Nika dhe nënoficeri i shërbimit, Ilir Çelmeta, kanë kërkuar mosfutjen e kallinjve në sallën e Kuvendit. Deputetët e opozitës kanë kundërshtuar si dhe janë konfrontuar me punonjësit e Gardës, të cilët u kanë përsëritur se po zbatojnë një vendim të Byrosë Parlamentare. E gjithë skena është bërë brenda ambienteve të Kuvendit, në korridorin e kontrollit duke bërë që dëshmitarët të jenë të pakët. Të dyja palët kanë nxjerrë versione të kundërta, por Komandanti i Shërbimit të Gardës, Arben Nika, ka deklaruar se është plagosur në këmbë, pasi është goditur nga deputeti Harasani. Nika deklaroi me shkrim në Gardë se “deputeti Harasani më goditi dhe më rrëzoi poshtë ku u plagosa në këmbë, nga e cila ende kam rrjedhje gjaku”. Por deputetët e majtë kanë përcjellë një tjetër version. I pyetur nga një media vizive, deputeti Harasani nuk mohoi apo pohoi konfrontimin dhe goditjen e gardistit Nika, por tha se “mjetet e ndaluara për të cilat pretendon Garda kanë qenë kallinj misri nga ato që nuk kanë prodhuar kokrra dhe shpreh habinë pse këto mjete ndalohen”. Deputeti tjetër, Hysa, u shpreh për mediat se punonjësit e Gardës kishin marrë urdhër nga kryetarja e Kuvendit, për të ndaluar hyrjen e tyre në sallë. “5 kallinj misri pa kokrra nuk dëmtojnë asnjë seancë. Ndërkohë Garda e irrituar nga urdhri që i erdhi nga Jozefina u sulën drejt deputetëve të tmerruar, duke na thënë që “kemi marrë urdhër nga Jozefina që të mos futeni në sallë”. Ndërkohë që ne kaluam në skaner dhe rezultuam pa mjete të dëmshme për seancën. Këto ishin 5 kallinj misri që vinin nga 5 qarqe. Si duket, Jozefina ka alergji nga kallinjtë e misrit, pasi ka punuar në institutin e misrit dhe orizit në Shkodër. Dhe ky ishte një incident i krijuar nga vetë kryetarja e Parlamentit, të cilën e tmerron realiteti. Nuk kemi asgjë me gardistët, pasi ata zbatojnë urdhrat e Jozefinës. Nuk përbëjnë incident 5 kallinjtë e misrit, të cilët donim t’ia tregonin Berishës dhe Jozefinës, për t’i treguar se kush janë rezultatet e qeverisë së tyre, një qeveri sterile që jo vetëm nuk ndihmon në qeverisjen e vendit, por fut fara të skaduara”, - deklaroi Hysa.
Rrëfimi i Komandantit të Shërbimit, Arben Nika: Harasani më plagosi
Menjëherë pas incidentit të ndodhur në sallën e kontrollit në Kuvend, Komandanti i Shërbimit të Gardës, Arben Nika, ka dhënë llogari në institucionin ku ai punon. Në një deklaratë me shkrim, të cilin Garda e Republikës e publikoi në ambientin e jashtëm të saj, me shkrimin e dorës së vetë komandantit Nika, pretendohej se deputetët kanë sulmuar fizikisht punonjësin e saj. “Kërkova nga deputetët që të mos fusin objekte në sallë, pasi binin ndesh me rregulloren. Deputetët Andis Harasani dhe Ndriçim Hysa nuk kanë pranuar dhe më sulmuan së bashku me nënoficerin. Deputeti Harasani me goditi dhe më rrëzoi poshtë, ku u plagosa në këmbë nga ku kam ende gjakderdhje”, - ka deklaruar Komandanti i Shërbimit, Arben Nika.
Harasani mirëpret padinë penale të Gardës
Një prej deputetëve socialistë, protagonist në incidentin e ndodhur në Kuvend, u shpreh i habitur për veprimin e dy punonjësve të Gardës. Ai tha se mjetet e ndaluara që përmend Garda nuk janë gjë tjetër veç kallinj misri, që nuk kanë bërë kokrra. “Mjetet e ndaluara për të cilat pretendon Garda kanë qenë kallinj misri nga ato që nuk kanë prodhuar kokrra dhe shpreh habinë pse këto mjete ndalohen”, - tha Harasani. Ndërkohë që Garda e Republikës deklaroi se do të bëjë kallëzim penal ndaj Harasanit dhe Hysës, vetë deputeti socialist shprehet se i vjen mirë për këtë, sepse kjo tregon se të paktën ky institucion është i pavarur. “Më vjen mirë që një institucion i pavarur siç është Garda e Republikës bën një veprim të pavarur, duke kryer kallëzimin penal në kundërshtim me veprimet e kryetares së Parlamentit”, - shtoi Harasani. Menjëherë pas këtij incidenti, dy deputetët akuzuan direkt kryetaren e Kuvendit si provokatore.
Hysa: Gardistën na u vërsulën
Deputeti i Elbasanit, Ndriçim Hysa, një ndër personazhet më të përfshira në incidentet me Gardën gjatë tre viteve të fundit, e tregon ngjarjen me nota më të forta se kolegu i tij, Harasani. Hysa shprehet se punonjësit e Gardës sapo i panë me kallinj misri u vërsulën drejt tyre. “Ne u treguam kallinjtë e misrit bosh, po ata u vërsulën dhe tentuan të na ndalonin dhe me forcë”, - tha Hysa për mediat. Hysa është një ndër deputetët që në këto tre vite ka qenë mjaft aktiv në situata të ngjashme, e sidomos para dy vitesh kur opozita kërkoi dorëheqjen e kryetares së Kuvendit, duke futur në sallën e Kuvendit bilbila, pankarta etj. Madje situatat që krijuan në atë kohët socialistët detyruan edhe byronë e Kuvendit që të merrte vendimin përkatës për moslejimin e futjes në sallën e Kuvendit të mjeteve që nuk i nevojiten një deputeti. Përballë denoncimeve të ardhura nga familje fermerësh në disa zona të vendit se misri i blerë në një kompani private nuk bën kokrra, PS u hodh menjëherë në mbështetje të tyre, duke përgatitur vetëm në pak ditë një projektligj që dëmshpërblente fshatarët.