E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Gjykata pengesë për luftën ndaj korrupsionit

Ajo shprehet se Prokuroria është treguar mjaftueshëm agresive në luftën ndaj korrupsionit, veçanërisht edhe ndaj zyrtarëve të lartë, teksa shton se lufta ndaj këtij fenomeni nuk mund të jetë e plotë pa mbështetjen e partnerëve.

 “Mund t’ju them që mënyra se si po funksionon sot sistemi gjyqësor, për shembull, është një nga problematikat që na ka ulur ne agresivitetin në luftën kundër korrupsionit, të paktën ose në dukjen e tij, ose dhe në rezultatet që ne kemi dashur të vjelim nga kjo luftë. Ne kemi ngritur akuza në ato raste që kemi mundur – sepse jo gjithmonë kjo është diçka e mundur dhe korrupsioni është një vepër e vështirë për t’u provuar – dhe nuk kemi arritur të marrim një produkt final me një vendim ndëshkimi. Kjo është një situatë reale, në të vërtetë”, theksoi ajo për Zërin e Amerikës.

Ajo solli tre raste zyrtarësh të akuzuar nga prokuroria për shpërdorim detyre dhe korrupsion, çka sipas saj, gjykatat i hodhën poshtë akuzat.  “Të treja rastet përfunduan me një vendim gjykate jo në favor të akuzave që ne kemi ngritur. Në gjykimin tonë kanë qenë vendimmarrje të gabuara, të treja. Ajo që më duhet t’ju them është se ne jemi një palë e procesit, veprojmë atje në emër të shtetit, dhe nuk kemi mundësi të tjera ankimi, për t’a çuar më tej procesin. Nuk mund të them që është konsideruar dhe perceptuar nga ne si dështim i punës tonë. Është konsideruar dhe konceptuar nga ne si një qasje e ndryshme e sistemit gjyqësor ndaj fenomenit”, vijoi.

Duke folur për hetimet e ngjarjes së 21 janarit të vitit të shkuar, kryeprokurorja tha se ato hetime kanë qenë mjaft të vështira, teksa shtoi se tashmë po zhvillohen hetimet e fazës së dytë për organizatorët. “Hetimi i dytë është në fazën e mbledhjes së provave. Prokurorët janë duke bërë një sërë veprimesh, që tani munden të bëhen për shkak se të tre deputetët janë pa imunitet. Janë në fazën kur prokurorët po marrin nga institucionet dhe individët, pra dëshmitarët, të dhënat që ata çmojnë se janë të nevojshme për hetimin”, vijoi. /Start/

                                                                                             2012-06-08 08:53
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›