Ina Rama-Kuvendit: Afera e Priftit në videon 2
Tiranë- Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për imunitetin e Dritan Priftit rezultoi të ishte surprizë jo vetëm për publikun, por edhe për këtë të fundit. Ka qenë eksperti amerikan Glen Bard, ai që gjurmoi një video të fshirë në lap-topin e dorëzuar nga Dritan Prifti në Prokurori, sipas së cilës ai kishte regjistruar veten dhe zëvendësin e tij Leonard Beqiri duke ndarë 70 mijë euro, përfitime të paligjshme këto nga funksionet e tyre. Sipas kërkesës së organit qendror të akuzës, drejtuar Kuvendit, procedimi penal për Priftin është i lidhur me atë me nr. 136, të regjistruar pas transmetimit të videos Meta-Prifti në emisionin “Fiks Fare”. “Më datë 13 janar 2011, në Prokurorinë e Tiranë është paraqitur me vullnetin e tij të lirë shtetasi Dritan Prifti, i cili në deklarimet e dhëna në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për qëllime të hetimit, sqaron se regjistrimi audioviziv i materialit të transmetuar në datën 11.01.2011, ora 20.10 e në vijim, në emisionin ‘Fiks Fare’ në ‘Top Channel’ është realizuar prej tij. Të njëjtat fakte shtetasi Dritan Prifti, me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, i ka deklaruar edhe më datë 08.02.2011, në Prokurorinë e Përgjithshme. Për sa ka deklaruar, ky shtetas ka vënë në dispozicion si provë materiale objektet me të cilat ka realizuar këtë regjistrim audioviziv, si dhe videoregjistrimin origjinal. Këto materiale i janë nënshtruar ekspertimit teknik nga specialistë të fushës, të një kompanie private të huaj, për të përcaktuar vërtetësinë dhe autenticitetin e këtij regjistrimi audioviziv. Nga ekspertimi teknik i kryer te provat materiale, ka rezultuar se në to ekziston edhe një video tjetër, e cila ishte fshirë dhe që është rikuperuar nga eksperti. Kjo video është e datës 11.03.2010 dhe në të janë regjistruar dy persona, njëri ndër të cilët është ish-ministri i METE-s dhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, shtetasi Dritan Prifti, dhe tjetri është ish-zëvendësministri i METE-s, shtetasi Leonard Beqiri”, - thuhet në kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Priftit. Sipas asaj që evidentohet në video, dy zyrtarët kanë zhvilluar biseda për përfitime financiare të parregullta, që vijnë nga ushtrimi i funksioneve publike dhe në një moment shihet se ndajnë mes tyre një shumë parash prej rreth 70 mijë eurosh. Dritan Prifti akuzohet se ka kryer veprën penale të korrupsionit pasiv, të kryer në bashkëpunim.