KLD: Kontroll zvarritjeve dhe ndërrimit të kombësisë
Këshilli i Lartë i Drejtësisë njoftoi dje zyrtarisht nisjen e kontrolleve dhe inspektimeve në gjykatat e vendit, në lidhje me respektimin e afateve të paraburgimit si dhe mënyrës së zhvillimit të seancave. Pjesë e inspektimeve të KLD-së do të jenë dhe vendimet e shumta gjyqësore, që kanë lidhje me ndërrimin e kombësisë. ”Në përfundim të diskutimeve, u vendos me unanimitet realizimi i një inspektimi të përbashkët midis inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Drejtorisë së Inspektimit pranë Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me evidentimin e problematikave me pasojë zvarritjen e gjykimeve dhe adresimin e tyre në rrugë institucionale. Konkretisht, inspektimi do të konsistojë në evidentimin e aspektit organizativ të proceseve gjyqësore; respektimin e procedurave ligjore; respektimin e afateve procedurale; vlerësimin e kostove financiare të procesit”,- bën të ditur KLD-ja, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë debatit të shkaktuar pas skadimit të afateve të paraburgimit për 4 të arrestuarit e tragjedisë së Gërdecit. Në lidhje me problemin e vendimeve gjyqësore, që kanë lejuar ndërrimin e kombësisë së disa dhjetëra shqiptarëve, inspektimi do të fokusohet në ato momente të cilat mund të kenë krijuar probleme në zbatimin praktik të ligjit material dhe procedurial. “Do të inspektohet evidentimi i vendimeve të cenuara nga gjykatat më të larta dhe shkaqet e cenimit të tyre; ndërtimi i rregullt i ndërgjyqësisë në gjykimin e çështjeve me objekt ndryshim kombësie, si dhe probleme të tjera procedurale, që mund të hasen në zbatimin e dispozitave urdhëruese të ligjit procedural e material, të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore apo parregullsi të tjera në zbatimin e ligjit”, - njofton zyrtarisht KLD-ja.