Vrau 9 vjet më parë, ekstradohet nga SHBA-ja i kërkuari
Një i dënuar për vrasje është ekstraduar ditën e djeshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zyrës së Interpol Tiranës i është dorëzuar në aeroportin e Rinasit nga autoritetet amerikane Eduard Alo, i kërkuar nga organet e drejtësisë shqiptare për vrasje. Gjykata e Kolonjës e kishte dënuar këtë shtetas me dhjetë vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur nëntë vjet më parë. Ky shtetas ishte shpallur në krim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Pas një pune të kryer në bashkëpunim me zyrën e Interpolit në SHBA, u arrit që të kryhej edhe arrestimi i tij. Ai kishte disa vjet që kishte arritur t’u fshihej në Amerikë, ku kishte filluar një jetë të re aty si emigrant. Megjithatë, në sajë të bashkëpunimit mes dy palëve, u arrit që ai të identifikohej dhe më pas të arrestohej. Autoritetet amerikane e kanë shoqëruar atë në burg, pasi kanë marrë vesh se ai kërkohej në Shqipëri për vrasje. Pas arrestimit, është shqyrtuar kërkesa e bërë nga autoritetet e vendit tonë, për ta kthyer atë në Shqipëri, për të vuajtur dënimin. Nga institucione amerikane u mor vendimi për kthimin e tij dhe ditën e djeshme ai ka mbërritur në aeroportin shqiptar, ku i është dorëzuar punonjësve të Drejtorisë së Burgjeve. Sipas Policisë së Shtetit, i arrestuari Eduart Alo ka qenë pronar i një lokali në fshatin Qafëzez, Kolonjë. Ai akuzohet se në datën 26 maj të vitit 1999 ka pasur një grindje në lokalin e tij me një klient të quajtur Festim Saliu. Ata në fillim kanë pasur një përplasje verbale mes tyre. por situata është përshkallëzuar edhe më dhe kjo grindje ka përfunduar me goditje me grushte dhe duke thyer disa gota. Më pas kanë qenë persona të tjerë, që i kanë ndarë. Festim Saliu donte të paguante dëmin e shkaktuar, por Eduarti nuk e ka lejuar duke e nxjerrë nga lokali. I revoltuar shtetasi Festim Saliu sapo del nga lokali, godet me gurë një automjet që ndodhej jashtë, si dhe qëllon me gurë në drejtim të lokalit. Në këto momente, Alo i revoltuar del menjëherë nga lokali dhe me mjete të forta (dru) e godet në kokë, duke i shkaktuar vdekjen. Më pas, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, për t’iu fshehur arrestimit. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana që nga data 2 mars e vitit 2006. Pas kthimit nga SHBA, ai do të vuajë dënimin për vrasje në burgun shqiptar. Ditën e djeshme, ai iu dorëzua punonjësve të Drejtorisë së Burgjeve, ku u shoqërua më pas për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.