Zhdukja e ‘Kryeziut’, klasifikohet rrëmbim personi
Mbushen 10 ditë nga zhdukja e ish-eksponentit të UÇK-së, policia ndryshon drejtimin e kërkimit për kosovarin e UÇK. Zhdukja e Ismet Kryeziut do të hetohet si rrëmbim personi.
TIRANE- Zhdukja e Ismet Kryeziut, ish-eksponentit të UÇK-së dhe njëkohësisht furnitor i saj me armë para dhe gjatë luftës së Kosovës, do të hetohet si rrëmbim personi. Lajmi konfirmohet nga burime të Gazetës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës. Ismet Kryeziu rezulton i zhdukur nga banesa e vjehrrit të tij në Tiranë, prej pasdites së të shtunës (15 nëntor). Burimet thanë për Gazetën se janë plotësuar të gjithë elementët e nevojshëm për ta klasifikuar veprën penale në “rrëmbim personi”. Nisja e procedimit me këtë klasifikim erdhi dy ditë pasi drejtori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Tonin Vocaj, zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës për hetimin e krimeve, Arben Caka dhe tre oficerë të tjerë morën në pyetje për rreth nëntë orë bashkëshorten shqiptare të kosovarit, Anila Leli dhe babanë e saj, Çerçiz Leli. Zhdukja e kosovarit bëri bujë për shkak të aktivitetit që ai kishte në rezistencën e popullit kosovar dhe nismat për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Burimet thanë se dosja për hetime të mëtejshme i është deleguar zëvendësprokurores së rrethit që mbulon krimet kundër personit, Marjeta Zaimi. Deri në orën 2:00 në të gdhirë të ditës së hënë, kur doli nga seanca e marrjes në pyetje bashkëshortja Leli, policia e hetonte Kryeziun si një rast rutinë të largimit nga banesa. Sot bëhen 11 ditë nga zhdukja enigmatike dhe policia nuk ka ende ndonjë pistë se çfarë ka ndodhur me kosovarin e UÇK-së në Tiranë, apo të ketë rënë në ndonjë gjurmë të tij.
Kryeziu
Ismet Kryeziu ka hyrë në Shqipëri nga Kosova, në vitin 1991. Prej asaj kohe është angazhuar me grupimet që identifikoheshin si lëvizje për çështjen kombëtare. Për shkak të këtij aktiviteti, Kryeziu është arrestuar në vitin 1993. U dyshua për veprime që destabilizonin rajonin, por u dënua vetëm për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Dënimin e shleu në burgun e Bënçës, ku ka njohur dhe pasur shumë miqësi me Fatos Nanon dhe Ramiz Alinë, të cilët ishin të burgosur në të njëjtin burg. Sipas të njohurve të tij, Kryeziu ishte angazhuar edhe me stërvitjen e grupeve të UÇK-së qysh para se të fillonte lufta në Kosovë. Gjatë kohës së luftës angazhohet kryesisht në furnizimet me armë e municione. Më pas arrestohet në Maqedoni për organizimin e Armatës Kombëtare Shqiptare, për të cilën shleu dënimin në Bone Steel, në Ferizaj.
Bashkëshortja
Telefonata e fundit nga telefoni celular i Kryeziut është kryer në orën 15:40, me të shoqen Anila Leli. Prej këtij momenti, celulari rezulton i fikur dhe Kryeziu me të nuk ka komunikuar me tjetër person. Në dëshminë e saj në polici, Leli hodhi pretendimin se Kryeziu kishte edhe një numër ndërkombëtar dhe mund të kishte folur me të. Policia ka marrë edhe dëshmitë e dy ish-oficerëve të lartë të UÇK-së, me të cilët, sipas Lelit kishte lënë takim në kohën e zhdukjes Kryeziu. Njëri prej tyre ka pranuar se i ishte kërkuar një takim nga Kryeziu, por që ky i fundit nuk i kishte shkuar në vendin dhe në orën e takimit.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)