Buxheti, PD refuzon Ina Ramën

Komisioni pranoi propozimet për vetëm pesë institucione, nga 29 që ishin gjithsej. Më të "goditurit" ishin Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, të cilët nuk morën asnjë qindarkë nga fondet që kishin kërkuar.
Komisioni i përbërë vetëm nga të djathtët votoi kundër kërkesës së kryeprokurores Ina Rama për 91 milionë lekë shtesë në buxhet, ku 80 milionë lekë ishin për investime dhe 11 milionë lekë për rritje pagash.
Rrjedhimisht me votën kundër, komisioni hedh poshtë edhe kërkesën për shtim të numrit të punonjësve, kërkuar për 11 poste në administratën e prokurorisë.
Tjetër votë kundër u hodh edhe për Shërbimin Informativ Shtetëror, i cili kishte kërkuar rreth 123 milionë lekë shtesa për zërin e "investime", me synim blerjen e aparateve përgjues. Komisioni i përbërë vetëm nga deputetët e djathtë rrëzoi kërkesat për financime shtesë të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit të Deklarimit të Pasurive për 3 milionë lekë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë për 5 milionë lekë, Ministrisë së Turizmit për 43 milionë lekë etj.
Një ndër përfituesit më të mëdhenj nga fondet shtesë të miratuara prej komisionit ishte institucioni i Kuvendit të Shqipërisë, i cili mori në mënyrë të papritur rreth 90 milionë lekë dhe për fond pagash për 37 punonjës të rinj.
Një pjesë e kërkesave lidhet me rikonstruksionin e WC-ve, duke u nisur nga kushtet e vështira në të cilat ndodhen ato. Por, Ministria e Financave hedh dyshime, pasi fondet për WC janë dhënë me kohë. Tjetër përfitues fondesh shtesë ishte edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili mori 20 milionë lekë për pagat e 15 punonjësve të rinj, nga 39 që kishte kërkuar.