E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Raporti i Halimit, i pavërtetë. Hetimet për 21 janarin, drejt fundit

Share

Kryeprokurorja Ina Rama reagon nga Kosova për raportin e Ministrisë së Drejtësisë mbi punën e organit të akuzës. Duke folur pas takimeve qe zhvilloi ne Prishtine në kuadër të një vizite zyrtare, zonja Rama tha se raporti është i pavërtetë dhe se Prokuroria e Përgjithshme nuk pajtohet me konkluzionet e dikasterit të Halimit.

Pas takimit me ministrin kosovar të drejtësisë Hajredin Kuçi, kryeprokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë Ina Rama foli edhe për procesin hetimor për ngjarjen e 21 janarit në të cilën humbën jetën katër shtetas shqiptar.

Hetimet e 21 janarit janë në mbyllje të tyre. Ne kemi shtyrë afatin për tu mbyllur dhe besoj se do të respektohet ky afat i dytë, brenda këtij afati të shpallur më parë do të mbyllen hetimet për atë pjesë që po heton Prokuroria e Tiranës, tha kryeprokurorja, Ina Rama.

Ndërkohë, e pyetur për vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila ka hequr akuzën për vrasje në ngjarjen e Gërdecit, kryeprokurorja shqiptare dha këtë përgjigje:

Është vlerësimi i gjykatës. Ne kemi ngritur një akuzë tjetër dhe kemi mbrojtur një akuzë tjetër dhe gjithashtu kemi apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës për atë kualifikim ligjor që ka bërë ndryshe nga akuza që prokuroria shqiptare ka ngritur, deklaroi Ina Rama.

Gjatë takimeve në Prishtinë, të dyja palët u pajtuan që të forcohet bashkëpunimi  mes prokurorisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në kuptimin e avancimit të sistemit ligjor në përputhje me standardet europiane, si dhe në luftimin e krimit të organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›