E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini sot në Tiranë për energjinë

Italia dhe Shqipëria do të firmosin sot marrëveshjen që lidhet me parkun energjetik të Durrësit, për të ndërtuar një termocentral.

Shefi i diplomacisë italiane, Franko Fratini, do të takohet në mesditë me Kryeministrin Sali Berisha, ku fillimisht do të marrin pjesë në konferencën e ambasadorëve shqiptarë dhe më pas do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët.

Lëvizja e lirë mes Shqipërisë dhe Italisë do të jetë një tjetër pikë e fortë e këtij takimi. Gjatë vizitës në Tiranë, Fratini do të firmosë një marrëveshje për njohjen e patentave të drejtimit të automjeteve për vendet e BE-së, por më së shumti do të mbajë qëndrimet e tij lidhur me procesin e përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, në kuadër të liberalizimit të vizave.

Projekti i parë që do të firmoset mes dy palëve është parku industrial që do të ndërtohet në Koplik, në veri të vendit, afër Shkodrës.

Projekti koncesionar është ide e investitorëve italianë, që kanë në plan të investojnë disa milionë euro. Projekti tjetër lidhet me ndërtimin e disa centraleve të prodhimit të energjisë elektrike nga era, në zonën e Lezhës, me vlerë investimi që prek shifrën e rreth 150 milionë eurove.

Po në kuadër të investimeve në fushën e energjetikës, lidhet një tjetër kontratë që do të firmoset të hënën për rikonstruksionin e stacionit elektrik në Tiranë, i cili lidhet me linjat e transmetimit 400 kv Elbasan-Podgoricë.

Një tjetër projekt po i rëndësishëm ka të bëjë me kredinë 25 milionë euro që do t’u akordohet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME), në drejtim të zhvillimit të tyre.

Ambicia e palës italiane është ndërtimi i dy centraleve të prodhimit të energjisë elektrike në zonën e Porto Romanos, në afërsi të Durrësit.

Italianët e ENEl me kohë kanë shprehur interes për ndërtimin e një termocentrali me qymyr. Problemi në këtë pikë vazhdon të mbetet sasia e energjisë elektrike, e cila në masën 90 për qind të saj do të shkojë për furnizim të konsumatorëve italianë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›