Ina Rama ndjek provat e të atit në teatrin “Skampa”
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama është fotografuar tek ndiqte provat gjenerale të shfaqjes së të atit në teatrin “Skampa” të Elbasanit. E shoqëruar nga bashkëshorti dhe vajzat, ajo ka dhënë duartrokitjet në avancë për suksesin e babait të saj, Haxhi Rama. Ai është autor dhe regjisor i komedisë “Dashuri në moshën e tretë”, e cila u shfaq premierë më 22 dhjetor. Kjo foto është realizuar pas dhënies së provave në teatrin “Skampa”. Komedia prek situatën aktuale, kur të moshuarit jetojnë të vetëm, pas largimit të fëmijëve të tyre në emigracion dhe detyrohen që të gjitha hallet dhe problemet familjare t’i kalojnë vetëm. Gjithashtu dhe ndarja nga jeta e njërit prej bashkëshortëve e detyron, në këtë rast burrin, edhe pse i moshuar të martohet nën presionin e djalit. Interpretimi i aktorëve është përcjellë me duartrokitje nga publiku i Elbasanit, të cilët në premierë e shfaqjes e kanë mbushur plot sallën e teatrit. Kasta e autorëve përbëhej nga; Ilmi Belshaku, Dhimitër Topozi, Veronika Papa si dhe nga aktori durrsak, Muharrem Hoxha. Shfaqja do të vihet sërish në skenë në ditët e para të janarit. a.k