Ina Rama përdor politikisht shitjen e dosjeve dhe të informacionit të prokurorisë
Tashmë që kanë kaluar ditë të tëra, në raportin midis medias dhe Prokurorisë së Përgjithshme vihet re një dukuri që përbën në të vërtetë një krim të mirëfilltë. Natyrisht kjo meriton një hetim të posaçëm, si dhe një kallëzim serioz, pasi ekzistojnë të gjitha provat.
Po ta vëmë re me kujdes, media që sulmon mazhorancën dhe qeverinë është shumë e informuar me burime nga Prokuroria e Përgjithshme. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se kjo dukuri nuk është e lidhur vetëm me çështjen e Gërdecit dhe çështjen “Fazlliç”, por fillon pak më përpara, qysh me procesin që lidhet me licensën e Ora Neës-it. Prokurori i atëhershëm i çështjes, shoku i klasës së Ina Ramës, i cili u bë kryeprokuror i Krimeve të Rënda, e furnizoi Gazetën Shqiptare - duke parë shijen e kryeprokurores dhe në dijeni të plotë të saj - me të gjitha materialet e çështjes, si dhe të kallzimit të mëpastajmë, që u bë kundër këtij prokurori. Për çështjen e Ora Neës-it, media u furnizua deri me të dhënat e sekretit bankar për kompaninë që bëri kallzimin penal për prokurorin, apo me të gjitha llojet e faturave që kishte sekuestruar e që duhet të jenë vetëm në dijeni të prokurorisë. Shitja e dosjeve dhe e informacionit atëhere u godit që në zanafillë me një kallzim penal. Por prokurori i çështjes - siç e thamë - u gradua dhe vazhdoi më tutje stilin, që kryeprokurorja e mbështet me mish e me shpirt, e dhënies së informacioneve nga dosjet e institucionit, për çdo sulm mbi qeverinë, mazhorancën; mbi të vërtetën. Duke prodhuar presion dhe deformime në hetim, prokuroria u shndërrua në një bashkautore të shpifjeve dhe interpretimeve të mbrapshta politike.
Por kjo dukuri që solli Ina Rama në prokurori, u thellua edhe më shumë, kur gazetat i mbushte me emailin këshillues të ministrit Alibeaj, apo më tutje akoma, me botimin e faksit të falsifikuar, që ska asnjë vlerë juridike, por mjaftonte që të përziente politikisht problemin dhe të hidhte baltë, sipas zellit dhe porosisë së Edi Ramës, dhe ramave të tjerë, që e frymëzojnë, mbase edhe më shumë, prokuroren, që të mos ndalet para përdorimit politik, jo vetëm të fakseve e shkresave, që janë në dorë të të gjithë gazetarëve, të gatshme për pazare e akuza politike. Doli pikërisht nga Prokuroria e Përgjithshme emri i Erion Isufit, meqë ishte kunati i Lulzim Bashës dhe mund të hidhje kështu një granatë tjetër mbi ministrin apo qeverinë. Të gjitha këto janë në pazar të medias paturpërsisht. Ky është korrupsioni më vandal që ka përfshirë prokurorinë dhe është kjo një çështje e madhe e reformimit të drejtësisë dhe e pavarësisë së institucionit.
Prokuroria e Përgjithshme po shfaqet si një kasafortë prodhuese lajmesh, shpifjesh, hamendjesh, që përziejnë të bardhën me të zezën, me shpresë që të dalë i kuq rezultati. Po ta shikosh me kujdes këtë zell, e kupton edhe në të kundërtën, kur prokuroria bllokon për median çdo lloj informacioni që nuk shkon nga favori i Zamir Shtyllës dhe i shtyllarëve që presin pas tij. Nuk e kishte asnjë gazetë e frymëzimit antimazhorancë, majtiste e lapërdhare, njoftimin se Prokuroria ishte tërhequr nga sekuestrot për llogaritë e Erion Isufit dhe kolegut të tij. Jo, kjo s’duhej të dilte, sepse prishte përdorimin politik besnik ndaj opozitës. Ashtu siç nxori dhe publikoi dëshmitë, në çështjen e Ora Neës-it, emrin e Erion Isufit, emailin e Alibeajt, faksin fals, Prokuroria e Përgjithshme çdo natë lidhet me redaksitë me celularin e Ramës dhe zabërhanëve të tjerë. Deri në atë shkallë sa vetë Zamir Shtylla u përpoq t’i kalonte një tekst një gazetareje të televizionit Klan, lidhur me ekspertin amerikan të çështjes Trebicka, i cili s’do përfillej, se ai dhe Ina, kishin një ekspert tjetër, aspak amerikan, por nga ata sauk-xhinjtë e Zamirit.
Në çdo vend të botës, në çdo vend të qytetëruar, furnizimi me lajme të gënjeshtërta, apo qofshin edhe të vërteta - aq më keq kur bëhen si shitje politike - do të kërkonin një angazhim të madh të shtetit, të parlamentit dhe të institucioneve të sigurisë. Ky është një alarm i madh për pavarësinë e institucionit të prokurorisë, prandaj shitja duhet të trajtohet si një akt kriminal, ndaj së cilës duhet ndërhyrë fort dhe menjëherë.
...