Ina Rama raport Kuvendit: Janë shtuar vjedhjet dhe korrupsioni
Kryeprokurorja Ina Rama i kërkon Kuvendit kufizimin e imuniteteve të zyrtarëve të lartë dhe amendimet ligjore, për t’i dhënë të drejtën e vënies në lëvizje të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese
Tiranë Kryeprokurorja Ina Rama i bashkohet aktorëve të tjerë publikë, duke i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë kufizimin e imuniteteve. Në raportin e dërguar në Kuvend, për gjendjen e kriminalitetit në vitin 2010, Kryeprokurorja ka kërkuar përveç rritjes së fondeve buxhetore, edhe amendimet ligjore për kufizimin e imunitetit, për të lehtësuar kështu procedurat për hetimin e zyrtarëve të lartë. Për këtë çështje, Ina Rama ka parë me vend ndërhyrjen në Kodin e Procedurës Penale, për të pezulluar parashkrimin e ndjekjes penale për zyrtarët e veshur me imunitet. Barriera ligjore për të vënë në lëvizje kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë apo Gjykatën Kushtetuese, është një tjetër shqetësim i ngritur nga Ina Rama. “Kërkojmë mbështetjen e Kuvendit në drejtim të amendimeve të nevojshme ligjore, me qëllim dhënien e së drejtës Prokurorit të Përgjithshëm për të vënë në lëvizje Gjykatën e Lartë apo atë Kushtetuese”, - thuhet në raportin vjetor të Ina Ramës, që ka mbërritur në Kuvend. Kryeprokurorja e Përgjithshme i ka vlerësuar në suazën e korrektesës, marrëdhëniet me Presidentin, Këshillin e Ministrave apo Ministrinë e Brendshme, por nuk ka hezituar të shprehë shqetësimin për nivelin profesional të policisë gjyqësore apo paqëndrueshmërinë në detyrë të oficerëve, që, sipas saj, kanë ndikuar në hetimin e çështjeve të ndryshme. “Prokuroria e Përgjithshme thekson se ka një tendencë në ulje të referimeve të Policisë së Shtetit për trafikun e drogës dhe veprën penale të korrupsionit”, -thuhet në raportin e Ina Ramës, dërguar Kuvendit. Viti 2010 ka shënuar një ndryshim të dinamikës së krimit, krahasuar me vitet e shkuara në vendin tonë. Sipas raportit të Prokurores së Përgjithshme, falsifikimet, kultivimi i bimëve narkotike apo shkelja e barazisë në tendera, vepra penale këto mjaft problematike në të shkuarën, kanë tendencë në rënie, gjatë vitit 2010. Krejt ndryshe paraqiten veprat penale që kanë lidhje me korrupsionin apo me krimin ekonomik, të cilat kanë shënuar rritje gjatë vitit 2010. Në të njëjtën kurbë paraqitet edhe trafiku i makinave, një krim mjaft familjar ky për Shqipërinë, ku vetëm gjatë vitit 2010 janë shënuar 343 procedime penale. Por krimi i të gjitha krimeve për vitin 2010 është ai i vjedhjes së banesave, bizneseve apo pasurive të tjera. Sipas raportit të Prokurores së Përgjithshme, vjedhjet kanë shënuar një tendencë shqetësuese në rritje, po aq sa në mosgjetjen e autorëve. “Gjatë vitit 2010 ka pasur 1869 procedime për vjedhje, ndërsa janë pezulluar për mosgjetje autori 4992 çështje penale. Vepra penale e vjedhjes shënon mbi 73% të të gjitha çështjeve të pezulluara nga organi i akuzës”, -thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme, që i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë.
4992 Vjedhje të kryera gjatë vitit 2010 kanë mbetur pa autor, çka ka sjellë pezullimin e hetimeve. Gjatë këtij viti janë proceduar vetëm 2465 hajdutë, ndërsa numri i dosjeve të pezulluara zë 73% të të gjitha çështjeve.
320 Persona janë akuzuar për trafiqe të paligjshme gjatë vitit 2010. Sipas raportit të Kryeprokurores, janë goditur 2 organizata kriminale dhe 17 grupe të strukturuara në veprat e krimit të organizuar
167 Zyrtarë janë akuzuar për vepra penale të korrupsionit dhe krimit ekonomik gjatë vitit 2010. 120 persona i janë dërguar gjykatës; e nga 50 çështje të gjykuara, 49 janë shpallur fajtorë dhe vetëm 1 i pafajshëm