Pranga babait, shfrytëzonte fëmijët për lypësi
Kastriot Shaqirllari, nga Buçimasi i Pogradecit, akuzohet për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve” dhe “Trafikimi i të miturve”
Korçë Shfrytëzonte tre fëmijët e mitur si lypsarë, pranga babait trafikant. Duket si e pazakontë, por një burrë 40-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë së Korçës, pasi është kapur duke nxjerrë në rrugë, për lëmoshë, tre fëmijët e tij, një 4, një 8 vjeç dhe vajza e madhe, 11-vjeçare. Fëmijët e tij, dy vajza dhe një djalë, ishin “banorët” e përhershëm të zonës përpara teatrit të qytetit të Korçës dhe tregut të valutës. Ata nxirreshin gati çdo mëngjes nga babai i tyre i cili i vëzhgonte nga larg, nëpërmjet disa lokaleve të zonës, ku pinte me të hollat që siguronin fëmijët e tij, nga lëmosha që iu kërkonin kalimtarëve në rrugë. Pas informacioneve të shumta, të siguruara në rrugë operative, gjatë mesditës të së martës, forcat e Drejtorisë së Policisë, në juglindje, kanë bërë të mundur realizmin e operacionit të koduar “Lëmosha”, për të cilin janë përdorur metodat speciale të hetimit të krimit. Kastriot Shaqirllari, banor i fshatit Buçimas, në rrethin e Pogradecit, udhëtonte nga fshati i tij, në drejtim të Korçës, për të sjellë në “punë” fëmijët e tij. Nëse ata nuk e kënaqnin me të hollat që mund të mblidhnin, ndëshkoheshin mjaft rëndë nga babai i tyre, i cili i keqtrajtonte ata në mënyrë barbare. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, të Drejtorisë së Policisë në Korçë, mësohet se Kastriot Shaqirllari, nga Buçimasi i Pogradecit, akuzohet për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve” dhe “Trafikimi i të miturve”. Ndalimi i të arrestuarit është bërë gjatë të martës, kur Shaqirllari ka qenë duke vëzhguar fëmijët e tij, vajzën 11-vjeçare, me inicialet A.Sh., motrën e saj më të vogël, 8 vjeç, D.Sh., si dhe djalin e vetëm, 4 vjeç, K.Sh. Të tre fëmijët, të veshur keq dhe të zbathur, lëshoheshin në qendër të qytetit të lypnin. Policia, pas arrestimit të Shaqirllarit, i ka gjetur me vete një sasi lekësh. Ai kishte 25 mijë lekë të reja, të cilat ishin punë e fëmijëve të tij. Shaqirllari, që jetonte një jetë me shpenzime luksi, nga shfrytëzimi i të vegjëlve, ka përfunduar në burg, ndërkohë që fëmijët janë kthyer në shtëpi tek nëna e tyre, për të filluar një jetë të re. Burime të policisë së Korçës kanë bërë të ditur për gazetën se prej disa ditësh, i arrestuari ishte vënë nën vëzhgim derisa është arritur të sigurohet lëvizja e tij dhe aktiviteti i paligjshëm, që kryente ndaj fëmijëve të tij të mitur. Përveç kësaj, të vegjëlve iu janë konstatuar dhe shenja dhune në trup, të cilat kanë qenë vepër e babai të tyre mostër. Të vegjlit, e traumatizuar, kanë rrëfyer për uniformat blu në prani të psikologëve se kishin gati një vit që ushtronin këtë aktivitet, madje edhe në ditët me dëborë, kur termometri shënonte disa gradë nën zero. Ata nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër, ndaj dhe iu duhej t’u bindeshin urdhrave të babait trafikant.
Irena Vreto