Video-përgjimi, Meta e Prifti në Prokurori për “statusin” e ri
Pas heqjes së imunitetit, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, dhe ish-ministri Dritan Prifti janë paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme, ku u është komunikuar pozicioni në raport me hetimin. Asnjëri prej tyre nuk është marrë në pyetje
Tiranë Video-përgjimi ka çuar në Prokurori ish- zv.kryeministrin Ilir Meta dhe ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, menjëherë pasi Parlamenti vendosi heqjen e imuniteteve të tyre. Të hënën e shkuar në zyrat e organit qendror të akuzës është paraqitur z. Meta, ndërsa në fundjavë Prokuroria ka thirrur edhe ish-ministrin Prifti, i cili zyrtarisht është person nën hetim pas videos së zbuluar nga eksperti amerikan në kompjuterin e tij. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, të cilat thanë se dy personat që shfaqen në videon e transmetuar në emisionin “Fiks Fare” nuk janë thirrur për t’u marrë në pyetje, por për t’u komunikuar statusin e ri, pas heqjes së imunitetit. Të njëjtat burime sqaruan se pas vendimit të Parlamentit, dy ish-ministrat janë në statusin e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime dhe për këtë arsye prokurorët u kanë sqaruar atyre këtë pozicion të ri, në raport me hetimet që po zhvillohen. Qëndrimi i tyre në katin e dytë të Prokurorisë ka zgjatur veçse disa minuta, ndërsa prokurorët e çështjes kanë qartësuar procedurat e mëtejshme rreth dëshmive që ata duhet të japin, apo procedurave të tjera që mund të kryhen. “Deri tani, dy deputetët janë paraqitur vullnetarisht në Prokurori, ku kanë dhënë shpjegime. Pas heqjes së imunitetit, ata janë thirrur për të sqaruar pozicionin e ri që kanë në raport me hetimet” - thanë burime zyrtare të organit të akuzës. Sipas tyre, kërkesa e Prokurorisë që dy deputetët të paraqiten ka vlerë nga pikëpamja procedurale, pasi, që pas seancës parlamentare për heqjen e imunitetit, statusi i tyre në raport me hetimin është i ndryshëm. Gjatë kohës që dy deputetët ishin të veshur me imunitet, ata janë paraqitur vullnetarisht në Prokurorinë e Përgjithshme, për të dhënë shpjegime rreth përmbajtjes së video-përgjimit. Ish-zv.kryeministri është paraqitur me dëshirën e tij në Prokurori për të dhënë shpjegime, por pa u pyetur nga prokurorët. Ndërsa ish-ministri i Ekonomisë është thirrur për të shpjeguar disa nga episodet e video-përgjimit, që nuk lidheshin me pozicionin e tij apo të ish-zv.kryeministrit. Duke qenë në këtë situatë, Prokuroria ka pritur vendimin e Parlamentit për të zhvilluar hetime të plota rreth dy videove, njëra prej të cilave rezultoi e fshirë në kompjuterin lap-top të ish-ministrit Prifti. Në fillim të javës së shkuar, ish-zv.kryeministri Ilir Meta ka shkuar në Prokurorinë e Përgjithshme, duke përdorur si hyrje derën e pasme të institucionit. Pasi ka qëndruar disa minuta, z. Meta është larguar sërish, ndërsa ka autorizuar një prej dy avokatëve të tij të ndjekë procedurat e mëtejshme të hetimit. Ndërsa një ditë pas vendimit të Parlamentit për heqjen e imunitetit, në Prokurorinë e Përgjithshme është paraqitur edhe ish-ministri Prifti, i cili gjithashtu është njohur me statusin e ri të personit nën hetim. I vetmi që nuk është thirrur nga prokuroria është ish-zv.ministri i Ekonomisë, Leonard Beqiraj, i cili, sipas videos së riprodhuar nga eksperti amerikan, shfaqet duke ndarë rreth 70 mijë euro me ish-eprorin e tij, në banesën e këtij të fundit.
Taktika e Prokurorisë në hetimin e përgjimit
Prokuroria e Përgjithshme ka firmosur një fletë-thirrje ndaj Leonard Beqirajt, ish-zv.ministër i Ekonomisë, i cili në videon e dytë shfaqet duke ndarë 70 mijë euro me Dritan Priftin. Kjo fletë-thirrje është anuluar më pas, deri në një vendim të Parlamentit për heqjen e imuniteteve. Pas këtij vendimi, organi i akuzës duket se ka ndryshuar taktikë në hetimin e kësaj çështjeje, pasi ditët e fundit janë thirrur zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë për të shpjeguar çështjet që janë objekt i hetimit të nisur pas publikimit të video-përgjimit Meta-Prifti. Mesa duket, Prokuroria është fokusuar fillimisht në hetimin e videos së transmetuar në emisionin “Fiks Fare”, për të lënë në një fazë të dytë videon e 70 mijë eurove.