Ina Rama raporton në Kuvend: Kriminaliteti, në RRITJE. Ministria e Drejtësisë dezinformon opinionin publik
(E PERDITESUAR)- Kryeprokurorja shuplakë qeverisë për krimin. Policia e Shtetit ka ulur ndjeshëm referimin e çështjeve që lidhen me korrupsionin dhe trafiqet. Ina Rama tha se kontrollet e Ministrisë së Drejtësisë në organin e akuzës janë jashtë tagrit të saj kurse përfundimet janë hipotetike dhe imagjinare
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka raportuar në Komisionin e Ligjeve në lidhje me punën e vitit të shkuar. Në fjalën e saj, Ina Rama tha se në vend ka një rritje të koeficientit të kriminalitetit për banorë. Ajo deklaroi se ka 698 raste krimesh për 100 mijë banorë. Sipas saj, zonat më problematike janë Vlora, Gjirokastra, Durrësi, Korça, Tirana dhe Lezha. Kryeprokurorja deklaroi se 86 përqind e rasteve kanë shkuar në gjykatë. Rama vlerësoi punën e njësisë së përbashkët mes policisë dhe prokurorisë, por rezervoi sërish të njëjtën vërejtje ndaj policisë. Ajo tha se është ulur referimi i veprave të ardhura nga policia për korrupsion dhe për trafiqe. Krimi kryesor në vend vazhdon të mbetet vjedhja, që është rritur në nivele të frikshme. Ina Rama tha se 41 përqind të veprave kriminale i përkasin pikërisht vjedhjes. Ina Rama tha se prokuroria ka të drejtën të informojë për kriminalitetin në vend dhe jo ministria e Drejtësisë, e cila mbështetet në statistika fare pjesore dhe dezinformon Kuvendin dhe opinionin publik. Rama deklaroi se imuniteti është pengesë për hetimin e zyrtarëve të lartë. Ajo tha se ata nuk hetohen dot për shkak se duhen vënë në dijeni e pa iu hequr imunitetin.
Duke komentuar raportin e Ministrisë së Drejtësisë për inspektimet në organin e akuzës, Ina Rama tha kontrollet shpesh janë kryer jashtë tagrit të Ministrisë së Drejtësisë. Ajo tha se qëndrimet janë shpesh hipotetike dhe imagjinare.
Rama nuk foli për asnjë moment për ngjarjen e 21 janarit.
