Ina Rama shkarkon kryeprokurorin e Durrësit
Kryeprokurorja Ina Rama shkarkoi dje nga detyra dy drejtues të Prokurorisë së Durrësit, mes tyre edhe titullarin, Arjan Ndoj. Përmes një deklarate zyrtare, organi qendror i Prokurorisë ka njoftuar largimin e zotit Arjan Ndoj dhe zotit Drini Pali nga detyra, duke e argumentuar këtë vendim me parregullsitë e konstatuara gjatë kontrollit të bërë në prokurorinë e Durrësit. Sipas burimeve, “në përfundim të kontrollit, janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj Prokurorie të cilat rezultojnë se kanë ardhur si rrjedhojë direkte e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i saj”. Ky vendim, - thuhet zyrtarisht, - është mbështetur në konkluzionet e aktit të kontrollit. Pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme publikoi të dhënat e kontrollit të bërë në institucionin e akuzës në Durrës, ku u komunikuan disa masa.
Ndoj u pezullua njëherë nga detyra disa muaj më parë pas një akuze që nisi nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive i cili pretendonte Ndoj ka fshehur pasur. Pas një periudhë disa mujore, Ina Rama e komandoi përsëri në krye të prokurorisë së Durrësit. Mësohet se Arjan Ndoj mund të ketë dhënë dorëheqjen para këtij shkarkimi pasi disa media u shprehën në orën e para të mëngjesit për një dorëheqje të numrit një të prokurorisë së Durrës.
Arjan Ndoj është emëruar në këtë detyrë në muajin janar të këtij viti. Ndaj tij ngriti një hetim Inspektorati i Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive, duke e akuzuar për fshehje të pasurisë, të cilën ai e kishte deklaruar të fituar gjatë aktivitetit të tij si avokat. Ndoj dha dorëheqjen deri në momentin e përfundimit të hetimeve, dhe më pas, doli i “pastër”, duke u rikthyer në detyrë. Prokuroria e Durrësit, kohët e fundit kishte rihapur disa dosje të bujshme për korrupsion, sidomos me abuzimet e tokave në bregdet.