E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina del nga shtëpia, Çimi çmallet me gruan

Ina Hoxha, vajza bionde, 24 vjeçe nga Tirana, ka mbyllur dje aventurën e saj 50-ditore në shtëpinë e "Big Brother". Një personazh që solli jo pak atmosferë brenda shtëpisë. Ajo është banorja e pestë që lë shtëpinë më të madhe tashmë në Shqipëri. Ina ka kryer studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, në lëndën menaxhim turizmi. Beqare. Ajo jeton me prindërit dhe vjen nga një familje e thjeshtë tiranase. Duke mos gjetur punë në profesionin e saj, ajo ka punuar për një kohë të gjatë përpara se të futej në shtëpinë e "Big Brother", si shitëse në një dyqan në Tiranë. Ëndrra ime më e madhe, thotë ajo, është të kem një punë të mirë për të jetuar një familje të mirë në të ardhme dhe të kem dy binjake. Do t‘i pëlqente shumë të futej në botën e spektaklit, pasi të mbaronte aventura e saj në "Big Brother". Pas daljes nga shtëpia, ajo u shpreh se e ndjente se do të dilte. Gjëja që do t‘i mungonte më shumë tashmë që nuk është më pjesë e lojës do të ishte Poli. "Do më mungojë pafundësisht", tha ajo. Poli ishte dhe personi që ajo zgjodhi për ta shoqëruar teksa dilte nga shtëpia. Spektakli dje ishte i mbushur plot emocione dhe surpriza.

Pas përshëndetjeve që Arbana bëri me Ingridin, Junën, Leonardin dhe Ervisin, të cilët ishin prezent në sallë, banorët kanë performuar provën e vënë nga Vëllai i Madh. Duhet thënë se java që shkoi qe një javë e mbushur me puthje. Për herë të parë Olsi dhe Najada u puthën jashtë jorganit, duke e ndjerë para kamerave atë çfarë po jetojnë. Opinionistët e ftuar dje në studio ishin regjisori Mevlan Shanaj, skenaristi Armand Peza dhe këngëtarja Jonida Maliqi.

Prova që Vëllai i Madh u kishte dhënë banorëve për këtë javë, kishte të bënte me talentin e tyre për të kënduar. Prova u realizua nga dy grupe. Grupi i parë që interpretoi ishte i Najadës, Çimit dhe Mardiolës. Ndërsa grupi i dytë ishte i Rominës, Polit dhe Astritit. Edhe pse shihej se jo të gjithë banorët kishin vesh muzike, prova transmetonte përkushtimin që secili prej tyre kishte ndaj saj. Ndaj dhe Big Brother vendosi që prova e kësaj jave të quhej e fituar për banorët. Kjo e çon në 50% më shumë buxhetin e tyre për këtë javë, gjë që do të thotë se banorët do të kenë mundësi të zgjedhin më shumë nga ushqimet e tyre të preferuara. Por Vëllai i Madh, pasi dha vlerësimin pozitiv në tërësi për provën e javës, dha dhe një dënim për dy banorët që gjatë javës kishin qenë më të këqijtë në raport me provën. Ata ishin Poli dhe Besarta. Pas natës romantike të pashait që Polit iu dhurua disa javë më parë, këtë herë ai ishte përballë një sfide vërtet të vështirë. Dënimi që Vëllai i Madh i kishte dhënë, ishte të merrte të gjitha rrobat e palara në dhomën e gjumit të banorëve dhe t‘i lante. Në dhomën "Kameleon" atë e priste një govatë dhe shumë detergjente, me të cilët ai do të lante rrobat e banorëve, që nuk ishin pak.

Një moment interesant në spektaklin e mbrëmshëm ishte dhe reportazhi që gazetari Eno Popi solli nga Kosova. Nga Prishtina ai tregoi se si ky spektakël ishte kthyer në më të ndjekurit në tërë Kosovën. Në bare të ndryshme të Prishtinës, në ekrane, shihje vetëm banorët e "Big Brother", ndërsa njerëzit tregonin se e ndiqnin me vëmendje këtë edicion. Por ç‘mendonin të rinjtë e Prishtinës për Besartën? Sa i përfaqësonte ajo ata? "Jo, ma merr mendja se nuk na përfaqëson", u shpreh një djalë.

Eno Popi kishte shkuar dhe në Gjilan, në shtëpinë e Besartës, ku shihej një shtëpi e madhe dhe e bukur. Për mamanë e Besës, vajza e saj tashmë ishte më e hapur dhe kishte filluar të ambientohej me banorët, duke i konsideruar si miq. Të njëjtin mendim dha dhe babai. Në lokalin në qendër të Gjilanit, ku Besarta kalonte kohën me miqtë e saj, këta të fundit treguan se "Besa është vetvetja në ‘Big Brother‘". Një shoqe e saj tha se "Besarta nuk duhet hajë shumë thonjtë dhe buzët, sepse do t‘i duhen edhe kur të dalë jashtë".

Një tjetër banor për të cilin është folur në mbrëmjen e mbrëmshme ishte Julinda, vajza nga Fieri, e cila gjatë këtyre javëve i ka shpëtuar nominimit dhe është kritikuar për shumë veprime nga miqtë e saj brenda shtëpisë.

Një pikë tepër e bukur, por dhe pak e trishtë e spektaklit, ishte surpriza që Vëllai i Madh kishte rezervuar për Çimin. Ndërsa i thonë se në magazinë ndodhej e shoqja, Rudina, dhe ai sheh në ekran imazhin e saj që e priste atje, kur shkon në magazinë Çimi sheh vetëm disa dhurata të vendosura mbi një tavolinë dhe Rudina nuk ishte. Sigurisht që pas kaq javësh në këtë shtëpi, takimi, qoftë dhe për disa minuta me të shoqen, do të ishte diçka e bukur për Çimin. Kështu, trishtimi i tij që Rudina nuk ishte aty dhe që kjo ishte një lojë që Vëllai i Madh i kishte bërë atij, ndjehej në tonin e zërit që ai pati me një telefonatë 30 sekondëshe me Rudinën, ku përmes fjalëve "të dua, më ka marrë malli" të Çimit, ajo i tha se "dhe sikur mos të fitonte çmimin e madh, ai ishte një fitues".

Një tjetër surprizë që Vëllai i Madh u bëri banorëve mbrëmjen e djeshme ishte dhe hyrja e Bigut në shtëpi. Bigu është një qen që vëllai i Madh ia la Olsit në magazinë, duke e parë si personin më afër kafshëve, duke qenë se Olsi ka një qen që quhet Shon. Banorët u treguan shumë të lumtur nga kjo dhuratë, sidomos Olsi, të cilit tashmë Bigu do t‘i nxjerrë mallin e Shonit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›