E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Rembrandt në Galerinë e Arteve?

Portreti i një burri, me sytë e zinj të thellë e të trishtuar dhe mjekrën me një të verdhë vezulluese, ballin e lartë dhe flokët me të njëjtën ngjyrë si të mjekrës, nga 15 nëntori i vitit 1968 ndodhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Në kartelën personale të kësaj pune, që njihet me emrin "Çifuti shëtitës", shkruhet "Shkolla Rembrandt?" Kjo fjali është shënuar në unanimitet nga komisioni shqyrtues i blerjes së veprave të artit, në ato vite pranë galerisë, i përbërë nga emra të njohur në artet tona pamore si: Nexhmedin Zajmi, Kristaq Rama, Odise Paskali etj. Në kartelë shohim se vepra është blerë me çmimin 6 mijë lekë të reja (një shumë jo e vogël për ato vite), ndërsa çmimi që mban aktualisht është 8 milionë lekë. Ky portret, që të bën për vete për ndjesitë që të transmeton sapo e sheh, do të ishte thjesht një portret i zakonshëm si dhjetëra të tillë që ndodhen në fondin e Galerisë sonë Kombëtare, nëse në kartelë nuk do të lexonim "Shkolla Rembrandt?", apo nëse nuk do të kishim dëgjuar fjalët që qarkullojnë në rrethe të caktuara artistësh, se kjo pikturë i përket një prej piktorëve më të mëdhenj botërorë, Rembrandtit.

Para viteve ‘90, kjo thënie ishte gati e besueshme dhe thuhej me besueshmëri të plotë nga personalitete të kohës, ndërsa pas viteve ‘90 kjo hipotezë është hedhur poshtë nga shumë artistë e studiues. Megjithëse laboratori jonë pranë Galerisë së Arteve nuk i ka kapacitetet e duhura për ta vërtetuar një gjë të tillë, në galeri mësojmë se një grup studiuesish holandezë, nga një muze i njohur, kanë ardhur dhe kanë vërtetuar se vepra nuk i përket Rembrandtit. Megjithatë, për këtë histori informacionet janë të cunguara. Sigurisht që të gjitha këto dyshime që shoqërojnë këtë punë që në vitin 1968, kur ajo u bë pronë e Galerisë Kombëtare e deri më sot, duhet të vërtetohen sipas të gjitha rregullave që i nënshtrohet një vepër arti për të mësuar origjinën e saj. Kështu sot duhet të kishim më shumë informacione mbi telajon që ka kjo punë dhe sa e ngjashme është ajo me atë ku Rembrandti ka punuar, apo ç‘është një telajo e shkollës rembrandtiane. Duke pasur parasysh se shkollat e Rembrandtit kanë qenë tepër të përhapura në Evropën Veriore, nuk përjashtohet mundësia që puna t‘i përkasë një prej këtyre shkollave. Por të gjitha këto hipoteza duhen vërtetuar.

Në kartelën personale të punës në galeri, ne gjetëm të gjitha shënimet që ishin mbajtur gjatë restaurimit që kjo vepër ka pasur, me shef laboratori Eduart Sopi.

Por si është historia e kësaj vepre, mbas së cilës ngrihet pyetja: Një Rembrandt?

Ne folëm me drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve në vitin që është blerë vepra, me piktorin e njohur Kujtim Buza. Sipas tij, vepra i është blerë familjes së njohur tregtare shkodrane Kakariqi. Mark Kakariqi, një personazh i njohur si atdhetar dhe njeri që ka kontribuuar për vendin e tij, mendohet ta ketë blerë këtë vepër gjatë tregtisë që bënte në vende të ndryshme, ku udhëtonte me anije. Duke iu referuar kujtimeve për Mark Kakariqin, ai ka qenë një njeri që e adhuronte artin dhe kërkonte të kishte një mori gjërash me vlerë. Një fakt i tillë vërtetohet edhe nga gazetari amerikan Sols Verger, që në librin e tij "Nëpër turbullirat e historisë" tregon për një drekë që ka ngrënë në familjen Kakariqi, ku përshkrimet e shtëpisë tregonin se ai mbante sende me vlerë dhe piktura të rralla.

Dyshimet për ekzistencën e një vepre të Rembrandtit i shton edhe vizita që bëri në Shqipëri në vitin 1945 shkrimtari i njohur rus Ilia Erenburg, ku kërkon të shkojë në familjen Kakariqi në Shkodër dhe në heshtje thuhej se ky shkrimtar kishte ardhur në vendin tonë në kërkim të gjurmëve të një vepre, që ai mendonte se ishte e Rembrandtit.

Në një foto që Kel Marubi i ka bërë këtij portreti, dallohet një etiketë e metaltë, ku ishte shkruar: "Rembrandt, Harmenszoon van Rijn 1606 Eden-1669 Amsterdam". Në Shkodër thuhet se gjermanët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, rekrutuan shërbëtorët e kësaj familjeje për të rrëmbyer pikturën, pasi kishin informacion se aty ishte një Rembrandt.

Familja Kakariqi do ta ruajë me kujdes këtë vepër dhe pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist. Pas një kontakti që Kujtim Buza në ish-shtëpinë e Kakariqëve (shtëpi pionieri në ato vite) me këtë vepër do të këmbëngulte në kohën kur u bë drejtor i Galerisë së Arteve, që kjo vepër të bëhej pjesë e fondit të saj. Dhe tashmë në pozita jo të mira financiare, për shkak të sistemit politik që funksiononte në vend, Kakariqët detyrohen t‘ia shesin këtë pikturë shtetit me 6 mijë lekë të reja. Një komision me emra të njohur të artit, që ishte pranë Galerisë së Arteve në ato vite, por edhe vetë shteti ishin të bindur se kishin të bënin me një punë me vlera të jashtëzakonshme, që mund të ishte dhe një Rembrandt, gjë që i bën ta vendosin në fond me emrin "Shkolla Rembrandt?" Por kjo pikëpyetje e vënë në vitin 1968, për shkak të pamundësive që kishte një galeri arti e një vendi komunist në ato vite për t‘i thënë përgjigjen e duhur, nëpërmjet analizave të veprës, pasi nuk kishin kapacitetin e duhur, ka mbetur ende e tillë edhe sot. Gati 50 vjet më pas, vepra mban të njëjtën pikëpyetje në kartelën e saj në Galerinë e Arteve. Për Buzën, ajo çfarë është e rëndësishme, është fakti se kemi të bëjmë me një vepër me vlera të mëdha. Sigurisht një vështrim nuk mund të përcaktojë me gjithë ngjashmërinë që vepra ka me punët e mjeshtrit të madh të pikturës nëse ajo është vepër e tij. Një fakt i tillë do ta bënte Galerinë tonë të Arteve një nga posedueset e rralla dhe do ta rendiste nën rrjetin e muzeve që mbartin veprat e këtij piktori të madh. Sa e vërtetë mund të jetë kjo histori dhe cila është origjina e vërtetë e kësaj vepre mund ta thonë vetëm analizat. Më poshtë, Kujtim Buza ish- drejtor i Galerisë së Arteve në vitin 1968, tregon diçka më tepër për historinë e kësaj vepre të quajtur "Çifuti shëtitës"...

Si erdhi kjo vepër në Galerinë e Arteve?

Përpara se të flasim për këtë vepër, mua më vjen keq që ju paskeni qenë në Galerinë e Arteve dhe keni gjetur këtë vepër në fondin e saj, e keni parë, kini pyetur të dini diçka më tepër për të dhe nuk keni marrë informacionin e duhur. Më vjen mirë që po kërkoni të bëni diçka për këtë pikturë. Kam qenë në Galerinë e Arteve që në vitin 1964, kur drejtori i Galerisë së Arteve ishte Kristaq Rama, një njeri me virtyte të veçanta, si artist e njeri me kulturë. Në 1966-ën, me largimin e tij për realizimin e Monumentit të Pavarësisë, bashkë me shokët e tjerë, mua më emëruan drejtor të këtij institucioni. Mund të them se jam drejtori më i ri deri më sot i Galerisë Kombëtare të Arteve, pasi isha vetëm 27 vjeç. Sigurisht që ishte një besim i madh që më kishin dhënë dhe unë e besoja shumë, e aq më tepër preokupohesha për mirëmbajtjen, konservimin dhe veçanërisht pasurimin e veprave në GKA. E pasuronim atë fond të saj me vepra të piktorëve bashkëkohorë, vepra të artistëve të huaj që kishin punuar e jetuar në Shqipëri e të tjerë që kishin krijuar dhe veprat e tyre ishin gjendur në shtëpitë e familjeve të interesuara për artin. Është pikërisht ky preokupim që ne na bënte të shëtisnim nëpër atdhe dhe të kërkonim vepra të tjera arti.

Mua më kujtohet që në këtë mënyrë zbulova një koleksion të veprës së Zef Kolombit, që atëherë u quajt dhe "zbulimi i dytë i Kolombit". Gjetëm punime të Ibrahim Kodrës, tri punimet e tij që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve. Gjetëm punime të tjera të Vangjush Mios, Kol Idromenës, Simon Rrotës etj. Vizitat në qytetin e Shkodrës ishin të vazhdueshme, duke qenë se shumë familje të këtij qyteti, që dikur kishin qenë të majme, posedonin vepra arti.

Le të flasim tani për veprën që ju interesoheni, "Çifutin shëtitës". Gjurmët e para të kësaj vepre dalin nga Kel Marubi. Gjatë një fotografie që ai i ka bërë kësaj pikture mbi një etiketë të metaltë, ishte shkruar:

"Rembrandt, Harmenszoon van Rijn 1606 Eden-1669 Amsterdam".

Vepra nuk kishte asnjë firmë të autorit, por vetëm këtë etiketë. Këtu ishte goditja e parë që dha kjo vepër, që ne e quajtëm si "Shkolla e Rembrandtit", pasi ende nuk kemi kurajo ta quajmë të Rembrandtit, ndonëse jemi të bindur se është një vepër me vlera të jashtëzakonshme në fondin e GKA-së. Mendoj se nuk ka pasuri më të madhe të bankave kombëtare shqiptare se ky portret, i cili nuk ruhet me asnjë roje në GKA. Nuk ka monedhë më të çmuar, dokument më të vlefshëm se kjo vepër.

Takimi i dytë ishte kur u njohëm më shumë me jetën e Mark Kakariqit, i cili ishte edhe pronari i kësaj vepre. Mësuam që në vitin 1937 ai kishte pritur për drekë gazetarin e njohur amerikan Sols Verger, autor i librit "Nëpër turbullirat e historisë" (1937-1954) botuar në Paris në vitin 1971.

Në këtë libër ai përshkruan edhe drekën ultraevropiane që kishte ngrënë në familjen Kakariqi. Shtëpinë me një fasadë jo fort të veçantë, të pajisur me orendi të vjetra të çmuara, shandanë, vlera të antikitetit, vazo japoneze dhe tablo të mëdha në mur.

Takimi i tretë, nëse mund ta quajmë kështu, me këtë vepër është kur në vitin 1945 mbërrin në Shqipëri shkrimtari i madh rus Ilia Erenburg. Interesi i tij i madh për këtë vizitë ishte për familjen Kakariqi në Shkodër dhe në heshtje ky shkrimtar kishte ardhur në Shqipëri në kërkim të gjurmëve të një vepre, që ai mendonte se ishte e Rembrandtit.

Pritja që iu bë Erenburgut ishte e ngrohtë, por ai nuk mundi të arrinte asnjë rezultat në kërkimin e tij.

Kaluan vite dhe kjo histori, pra se ekzistonte në një familje shqiptare një pikturë e Rembrandtit, filloi të mbulohej nga harresa. Familjet shkodrane, që kishin qenë dikur të pasura dhe që mund të kishin këto vepra, tashmë ishin nën telashet e sistemit, nën tutën e ligjeve dhe me kujdesin për të mbrojtur ndonjë gjë të veçantë që kishin.

Në vitin 1957, ndodhesha në familjen Kakariqi, në shtëpinë e tyre, që tashmë ishte kthyer në shtëpi pionieri. Shoqëroja disa studentë të Akademisë së Arteve të Gjermanisë Lindore, të cilët kishin vendosur çadrat e tyre në këtë shtëpi për të vizatuar qytetin. Shtëpia e Kakariqëve ishte më e mira për t‘u ardhur në ndihmë ideve të studentëve, me mure të siguruara, të larta, lulishte të bukur dhe plot me lule.

Kjo lulishte mirëmbahej nga një kopshtar, që më vonë mësova se ishte ish- pronari i shtëpisë. Krahas punës me studentët nisa të hyja dalëngadalë në muhabet me këtë njeri, i cili më tregoi disa gjëra që duhet t‘i mbaja për vete. Për herë të parë aty pashë një fotografi të Marubit, pastaj në mënyrë krejt të besueshme më tregoi një portret që më mahniti.

Mendoni, isha mjaft i ri, nuk e kisha atë formim që duhej për të gjykuar. Por ajo pikturë me tronditi. U ndamë si miq. Ai ishte kopshtari që kishte sjellë në qytetin e Shkodrës trëndafila të zinj. Unë i kam parë këto trëndafila të zinj më 1957-ën në oborrin e familjes Kakariqi. Ishte një njeri i çuditshëm. Kaluan sërish vite harrese nga ai moment, kur u përballa me portretin e mahnitshëm. Unë ika për studime në Petërburg, por kudo më shoqëronte ai portret, le ta quajmë i "Rembrandit". Por ishte diçka që s‘mund ta bisedoja me dikë. Kërkoja dhe nuk gjeja kurrë shëmbëlltyra të atij portreti, nuk gjeja detaje të asaj koke në tablonë e Rembrandtit. Gjeja mjeshtërinë, përkryerjen e penelatave rembrandtiane, por atë nuk e gjeja.

Kur u ktheva nga studimet u emërova drejtor i GKA-së. Kur erdha në këtë funksion në vitin 1967 fillova të përqendrohesha në gjetjen dhe zbulimin e veprave të artit, por kryesisht dhe të këtij portreti. Kështu, pas bisedimeve që pata me trashëgimtarët e Kakariqëve ramë në ujdi, edhe për shkak të nevojave që kishte për para familja në atë kohë, ta blinim atë vepër. Dhe kështu, një ditë ky portret mbërriti në Galerinë e Arteve.

Çfarë ndodhi kur vepra erdhi në galeri?

Unë ia tregova këtë vepër komisionit të GKA-së. Në këtë komision ishin personalitetet më të shquara të artit tonë figurativ si: Odise Paskali, Nexhmedin Zajmi, Shaban Aderi, Foto Stamo apo Kristaq Rama. Iu paraqita veprën dhe të gjithë ishin të bindur se këtu kishim të bënim me një vepër të shquar të artit botëror dhe ndihej shija dhe aroma e pikturës Rembrandtiane. Mirëpo asnjeri nuk merrte përsipër ta quante të tillë, pasi tabloja nuk kishte iniciale, ishte një pikturë pa asnjë firmë, por kishte firmën dhe vulën e dorës mjeshtërore. Kështu, pas diskutimesh e lamë që vepra të merret, por të merret si portret i Shkollës së Rembrandtit. As si "Çifuti shëtitës" që vjen nga gojëdhënat e familjes Kakariqi, por u etiketua si "Portret i shkollës së Rembrandtit". Mirëpo për kohën dhe për varfërinë çmimet ishin tepër simbolike për një vepër si kjo. Në rregullore kishte një klauzolë, që për punime për vlera të veçanta artistike komisioni ka të drejtë të kapërcejë kufijtë e klauzolave që ishin. Atëherë për një portret shuma ishte 9-12 mijë lekë. Atëherë vajta te ministri i Kulturës së asaj periudhe, Thoma Delijana, dhe i tregova historinë e vlerën e kësaj vepre dhe gjykimin e komisionit. Por Thoma Deliana, si një njeri me horizont e dëshira të mëdha dhe duke pasur edhe besim te kuadri që kishte përreth, më thotë të krijojmë një komision të veçantë për gjykimin e vlerësimit të kësaj vepre. Dhe kështu bëmë. Vepra u vlerësua 60 mijë lekë të vjetra. Sigurisht që atëherë kjo shumë ishte shumë e madhe, por për Rembrandtin ishte pak. Ne duhej me patjetër ta merrnim atë vepër dhe ta fusnim në fondin e galerisë. E quajtëm "Portreti i shkollës së Rembrandtit" edhe për një arsye tjetër. Kjo, pasi duhet të ishim të kujdesshëm dhe në sensacionet që mund të bënim. Të thoshe menjëherë "Një Rembrandt", ku ne nuk ishim të përgatitur nga ana shkencore për ta vërtetuar atë, kjo do t‘i krijonte një telash shtetit. Ne e quajtëm kështu për të fituar dhe kohë deri sa ta zbulojmë me të vërtetë se çështje kjo vepër, kur është krijuar etj.

Çfarë përpjekjesh bëtë ju për ta vërtetuar këtë dyshim dhe pse vepra ishte quajtur "Çifuti shëtitës"?

Ne nuk i hyjmë kësaj pune. Titulli "Çifuti shëtitës" mund të jetë një titull që tregon dhe dhembjen e ish-pronarit, pasi ai ishte një tregtar shëtitës. Ai ishte një njeri ambicioz, që kishte ndjenja të shquara tregtare dhe atdhetare. Ai ruante fotografi me Isa Boletinin, Ismail Qemalin, kishte foto me rilindësit, investonte dhe sillte vlera të shquara në atdhe. Në atë kohë qarkullonin fjalë në Shkodër se kur bleu "Çifutin shëtitës", ai e bleu me një pjesë të leshit që shiti nga anija e ankoruar në Odesa. Ai qarkullonte në Rusi, Austro-Hungari dhe nuk dihet nga e mori këtë vepër.

Por nga biseda që ju patët me pronarin e shtëpisë së Kakariqëve. Nuk folët për historinë e kësaj vepre?

Duhet të kuptoni kohët kur unë kam biseduar me atë njeri. Nuk mund të flisnim ne për detaje të tilla. Atëherë kishte vetëm një behje dhe një rënkim, nuk mund të tregoje historitë. Për mua nuk ka rëndësi shumë historia, për mua ka rëndësi që ai është një portret i një mjeshtri. A është Rembrandti, a janë nxënësit e tij, a janë rembrandtianë të tjerë, se shkolla e tyre ishte një shkollë me vlera të jashtëzakonshme. Një gjë është e vërtetë, që ne tek ajo punë shohim atë dritën magjepsëse të veprave rembrandtiane. Atë rrezen e dritës që godet herë në ballë, herë në duar, herë në pjesë të fytyrës. Dhe kur e sheh, kjo është e para që të bën për vete. Kur e sheh në detaje sheh penela të vegjël, çmontim ngjyre, lëngje që rrjedhin në fytyrë, modelime plastike shumë të buta, flokë që lidhen me sfondin, sheh një trishtim, një mallëngjim, një dhembje, dhembjen e shpirtit të Rembrandtit që lëngonte pranë popullit. Ai u bë shumë herë i pasur me veprat, deri sa në fund u përcoll me paratë e bashkisë.

Kur ju i kërkuat para Ministrisë së Kulturës së atyre viteve dhe u kuptua që kjo vepër ishte e një rëndësie të veçantë. A pati ndonjë ndërhyrje nga regjimi për ta vërtetuar këtë vepër?

Deri sa u dhanë paratë për blerjen e saj pati preokupim për këtë gjë. Ishin paret e popullit dhe nuk ishte e lehtë të hidhje aq para në atë periudhë. Sigurisht që punonjësit e galerisë vazhdimisht duhet të thelloheshin në këto vepra. Ne sot kemi 17 vjet demokraci, 17 vjet që kemi mundësi të hulumtohemi në studime dhe ende nuk kemi diçka më tepër për këtë portret. Kur çuam "Motrën tonë" në Paris u bë bujë e madhe dhe mirë u bë, por si nuk e ka studiuar njeri këtë vepër, apo për "Dukën e Burbonjës" të Rugosë, apo Grigoreskin apo mjeshtra të tjerë të shquar që ndodhen në galerinë tonë.

Cili është mendimi juaj personal për këtë vepër. Është ai një Rembrandt apo një shkollë e Rembrandtit?

Unë jam krenar që kam futur në fondin e galerisë një vepër të shquar, që ne patëm guximin dhe e quajtëm "Shkolla e Rembrandtit". Edhe sot e kësaj dite është thënë ,se jo se u ngatërruan Rembrandtin me nxënësin e tij. E rëndësishme është që kjo vepër është në fondin e Galerisë së Arteve. U takon brezave, që sot e kësaj dite jo vetëm që nuk japin përgjigje, por thonë se nuk dinë asgjë për historinë e saj, ta vërtetojnë këtë. Institucioni i Galerisë Kombëtare duhet të kujdeset më tepër për vlerat që mbart, jo vetëm ato që ka, por edhe të "Rembrandtëve" shqiptarë. Të mos i shpërndajë aq lehtë veprat e fondit të saj, por le të jenë modestë dhe të nxjerrin mësime edhe nga vitet e mëparshme, kur njerëzit punonin për pasurimin e këtij fondi. Tani duan të bëjnë ankande, të shesin, të përfitojnë nga vlerat e së kaluarës. Le të gjejnë fonde, le të përballen me shtetin dhe të pasurojnë fondin e galerisë, dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, është të studiojnë vlerat që kanë aty. Sot janë të gjitha mundësitë për t‘u bërë diçka e tillë dhe askush nuk merret me studime.

Suzana Varvarica

"Nuk mund të jetë një Rembrandt"

Historia e kësaj vepre si e Rembrandtit është dëgjuar edhe para viteve ‘90 dhe pse në ato vite flitej se "Çifuti shëtitës" është një punë origjinale e Rembrandtit, nga disa studiuese të kohës së atëhershme. Por, edhe pas viteve ‘90 filloi të ishte si problem dhe nga disa gazetarë që kërkonin t‘i jepnin këtë rëndësi. Me sa di unë, rreth viteve 1995-1996 janë bërë përpjekje për të bërë analiza rreth kësaj vepre dhe janë arritur të bëhen. Po kështu dhe në fillim të vitit 2000 janë bërë të tilla përpjekje, megjithatë është e qartë se është një "shkollë holandeze". Mund të bëjë pjesë si një pikturë e një shkolle holandeze, por në asnjë mënyrë nuk mund tw jetë një vepër origjinale e Rembrandtit. Unë këtë e kam me bindje, por bindja duhet çuar më thellë, për të bërë kërkime mbi telajon e saj. Ǒështë një telajo e viteve kur Rembrandti ka punuar, çështje një telajo e shkollës Rembrandtiane? Të gjithë e dinë që shkollat e Rembrandtit kanë qenë të përhapura në Evropën Veriore.Ka një seri analizash laboratorike që i duhen kushtuar kësaj telajoje për të arritur në këtë rezultat.

Brenda institucionit tonë nuk janë bërë këto analiza, pasi laboratori jonë nuk e ka këtë kapacitet. Për mua si studiuese kjo vepër e bërë nga studentë që i janë referuar mënyrës së pikturuarit të Rembrandtit në atë teknologji që ai ka përdorur, për sa i përket përdorimit të ngjyrave dhe personazhit për të pikturuar. Për mua nuk është një vepër e këtij piktori të madh, pasi më duket shumë difuze si punë. Kam parë disa vepra origjinale të Rembrandtit dhe po t‘i krahasosh si punë janë shumë larg. Nuk mendoj se Rembrandti mund të jetë te "Çifuti shëtitës".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›