Ina e Prokurorisë si Edi i Bashkisë
Ina dhe Edi Rama nuk janë më dhe aq të panjohur për publikun shqiptar, qëkurse një dorë e pushtetshme, në periudha të ndryshme kohe, i mori nga habitati i anonimatit dhe i uli në dy prej posteve më të rëndësishme të shtetit shqiptar; përkatësisht në krye të Prokurorisë së Përgjithëshme dhe në krye të Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, Edi Rama, këto vitet e fundit, mban nën sqetull edhe “kungullin” e kreut të Partisë Socialiste. Gjithashtu nuk është i panjohur as fakti, që karriera e Edi Ramës i atribuohet ish-kreut të Partisë Socialiste, z. Fatos Nano, i cili siç ka pohuar vetë, e gjeti pasardhësin e tij “me thonj të paprerë”, duke shitur ikona të vjedhura rrugëve të Parisit dhe e katapultoi në krye të MKRS-së. Ndërsa kumbari i Ina Ramës ende nuk po vetidentifikohet publikisht, pavarësisht se emëri i tij është lakuar disë herë nga shtypi i përditshëm. Megjithatë, ndryshe nga Edi i Bashkisë, që e ka abandonuar tërësisht kumbarin e vet, Ina e Prokurorisë po tregon një besnikëri të madhe ndaj atij që e gjeti me “thonj të lyer” midis dhjetëra juristëve të tjerë të zakonshëm dhe e bëri të parën e prokurorisë shqiptare.
Mirënjohja e Inës dhe mosmirënjohja e Edit; pra e çdonjerit prej tyre për kumbarin e vet përbëjnë ndryshimin e vetëm midis këtyre dy individëve të veshur me pushtet, që fare rastësisht edhe mbiemrin e kanë të njëjtë. Madje edhe emri i tyre reflekton diçka të përbashkët, pasi në numër përbëhet nga një pirusti shkronjash. Por kohët e fundit ata po përafrohen edhe lidhur me metodën dhe stilin në punë, që huajnë prej njeri-tjetrit. Natyrisht është Ina ajo që po ecën nën gjurmët e karierës së Edit dhe të dy së bashku po konsolidojnë profilin e zyrtarit të lartë shtetror që po e përdor postin e vet zyrtar për interesa të caktuara politike. Edi Rama, qysh kur u vendos në krye të Partisë Socialiste, duket se detyrën e kyebashkiakut ia ka deleguar një Edi tjetër, me mbiemër Shalësi, që fryhet e shfryhet nëpër ekrane, si një “Zylo” i vërtetë. Sigurisht ky fakt do të përbënte gjysmën e së keqes, nëse Edi Rama nuk do ta shpërdoronte postin e kryebashkiakut për të përforcuar postin e kryesocialistit, nëpërmjet klientelizmit të lejeve të ndërtimit, duke filluar nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste e duke vazhduar me deputetë, ish deputetë e ish ministra të të tjerë të kësaj force politike. Kësisoj industria e ndërtimit në Tiranë, për gati 9 vjet rresht, duke filluar nga viti 2000, është shndërruar në një detashment politik të së majtës, duke e blinduar atë financiarisht. Në këtë mënyrë forcimi i buxhetit të familjes socialiste në kryeqytet po konsolidon në mënyrë të përvitshme pushtetin ekonomik të të majtëve, i cili shihet prej tyre si një mundësi për të blerë edhe pushtetin politik. Nga ana tjetër, me këtë fakt mund të spjegohet edhe mungesa e alternativës qeverisëse të të majtëve, e cila nuk ka ekzistuar as në kohën e mazhorancës së tyre tetëvjeçare, në vitet ’97-’05.
Por zhvillimet politiko-shoqërore të dy viteve të fundit tregojnë se në favor të pushtetit të të majtëve po investohen edhe institucione të tjera, në dukje të pavaruara, ku bie veçanërisht në sy angazhimi politik i Prokurorisë së Përgjithëshme. Javën e kaluar, ky institucion mori një goditje të rëndë nga Kolegji i Gjykatës së Lartë, i cili liroi nga të gjitha akzuat ish-ministrin e Transporteve, z, Lulzim Basha dhe drejtorin e Rrugëve, z.Andi Toma, duke i konsideruar hetimet ndaj tyre si të pabazuara në ligj dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës. Nga ana tjetër, ky fakt konfirmoi përfundimisht se Prokuroria e Përgjithëshme, tashmë s’është gjë tjetër veçse një vegël në duart e kreut të PS-së dhe kumbarit të kryeprokurores, për të goditur politikisht mazhorancën e djathtë dhe ministrat më të suksesshëm të saj. Ky qëllim është bërë i qartë mjaft herë, por u konfirmua plotësisht, pas reagimit të Inës sipas stilit majtist “për të filluar edhe njëherë nga e para” me hetimin e akuzës së stisur për “korrupsion në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës”. Një protagonizëm të tillë politik nuk e kanë manifestuar as dy paraardhësit e saj më të fundit, Arben Rakipi dhe Dhori Sollaku, megjithëse u rreshtuan hapur përkrah së majtës, jo vetëm duke mbrojtur nga ndëshkimi ligjor dhjetëra zyrtarë të lartë të kësaj forcë politike të përfshirë në një korrupsion të llahtarshëm, por edhe duke milituar në forma të tjera si majtistë të devotshëm revolucionarë.
Një analistë i njohur, me të drejtë e krahasonte protagonizmin politiko-majtist të Ina Ramës me atë të prokurorit Italian në qytetin e Milanos, Antonio Di Pietro, i cili e përdori postin e tij zyrtar për të goditur partitë rivale të komunistëve italianë. Siç dihet, Di Pietro ishte një komunist fanatik dhe për disa vjetë ai përfaqësonte celulën milianeze të ish Partisë Komuniste italiane në organin e akuzës dhe në bashkëpunim me drejtuesit kryesor të kësaj force politike arritën që kjo parti të triumfoi për aq kohë sa në skenë doli “Forza Italia” e Berluskonit, e cila fitoi zgjedhjet përgjithëshme të ’94-ës, duke krijuar një koalicion të qendrës së djathtë në pushtet. Është e njohur gjithashtu edhe përplasja publike që Kavalieri pati si krymenistër me këtë prokuror famkeq, i cili ishte bërë simbol i politizimit dhe degjenerimit të shtetit ligjor në Itali. Natyrisht ky “Vishinsk” italian nuk mund t’i bënte as dëm dhe as karshillëk qeverisë së Berluskonit, e cila e demaksoi atë si një shërbëtor të flliqur të komunistëve italianë dhe e detyroi të jepte dorëheqjen nga posti i prokurorit, duke shpresuar se e majta do ta shpërblente atë me postin e liderit të saj. Natyrisht, pas dorëheqjes, Di Pietro u përfshi intensivisht në politikën e majtë, duke arritur të bëhet edhe ministër i kësaj force politike, por shërbimin që i bëri të majtës duke shfrytëzuar postin e prokurorit, nuk arriti t’ia bënte në asnjë lloj posti politik, që mori më vonë.
Krahasim më të gjetur se sa ky, për qëndrimin e kryeprokurores shqiptare, nuk ka, por nuk dihet nëse modeli “Di Pietro” do të respektohet pikë për pikë nga Ina Rama, e cila, sidoqoftë, duket mjaft e brisht dhe jo aq inteligjente për të marrë përsipër një mision të tillë. Për më tepër ajo nuk ka ndershmërinë dhe eksperiencën e duhur për të përmbushur detyra të tilla të flliqura, në shoqërinë demokratike. Vendi i punës që ajo ka aktualisht është si një kal me huqe që të hedh për tokë, po qe se nuk di t’ja tërheqësh mirë frerin. Faktikisht ky “kal” e ka hedhur disa herë plasur atë në rrugën e vendimeve të padrejta për çështjen “Fazlliç”, “Gërdecin” dhe së fundi për rrugën “Durrës-Kukës”. Madje, kjo hedhja e fundit ishte si mbi disa gurë të mprehtë që të ngulen në trup dhe të bëjnë të ulërasësh nga dhimbja. Normalisht pas kësaj hedhjes së fundit, Ina nuk duhej t’i hypte më “kalit” të organit qëndror të akuzës, duke dhënë dorëheqjen. Fakti që ajo zgjodhi përsëri si alternativë këmbënguljen për t’u përfshirë në mëkate dhe absurditete të tilla, do të thotë se modelit “Di Pietro”, Ina do t’i referohet në mënyrë krijuese, duke zbatur këshillat politike të Edit apo kumbarit të saj. Si një kamikaze e vërtetë politike, asaj nuk i bën aspak përshtypje fakti që e ka futur institucionin e Prokurorisë së Përgjithëshme në një rrugë pa krye. Tashmë këtë të vërtetë e dinë edhe qytetarët e zakonshëm, jo më politikanët dhe zyrtarët e lartë shtetror.
Siç dihet; kriminelët, të korruptuarit apo individët e tjerë problematikë të vendit tonë, para se sa të bëhen kontigjente të akuzuarish nga prokuroria janë klasifikuar si të tillë nga shoqëria, pjesë e të cilës ata janë. Mbi bazën e një opinioni të tillë, qytetarët vlerësojnë edhe qëndrimin e prokurorisë apo të çdo institucioni tjetër që jep drejtësi, duke i vënë notën e merituar çdonjerit prej tyre. Kur ata shohin padrejtësi apo selektim politik në ngritjen e aksuzës apo dhënien e drejtësisë e humbasin besimin që kanë tek këto institucione. Qytetarët shqiptarë kanë vite të shgënjyer nga prokuroria dhe drejtësia shqiptare, qëkurse në pushtet u rikthyen ish komunistët, pas ngjarjeve makabre të ’97-ës. Me vendosjen në krye të institucionit të akuzës të Ina Ramës, shumëkush prej tyre mendoi se situata do të ndryshojë për mirë, por ndodhi krejt e kundërta. Ajo u mendua si një “Silvia Konti” por rezultoi më keq se një “Antonio Di Pietro”, duke zhgënjyer çdo shqiptar të ndershëm e patriot që kërkon drejtësi, profesionalizëm dhe korrektësi nga pushtetarët e vet.
Por më në pozitë se kushdo tjetër është mazhoranca aktuale dhe lideri i saj, prof. dr. Sali Berisha, thjeshtë për shkak të qëndrimit të vazhdueshëm kritik ndaj prokurorisë, në kërkim të “Falkones” shqiptar. Qëndrimi kritik i të djathtëve ndaj organit të akuzës, ka të bëjë kryesisht me formimin e saj atikomunist, antikorrupsion dhe proqytetar. Siç dihet, krimi dhe korrupsioni në vitet ’97-’05 e kanë dëmtuar rëndë demokracinë shqiptare, ndaj reformimi i kreut të akuzës ishte e vetmja zgjidhje në këtë drejtim. Por ish komunistët diktojnë ende, duke shfrytëzuar pushtetin ekonomik që kanë krijuar në këtë periudhë të amulltë, për të blerë vota e mbështetje të caktuar politike në favor të individëve të besuar nga të gjithë palët për këtë post të lartë. Kryeprokurorja Ina Rama ashtu si dhe Dhori Sollaku janë produkte të këtij pushteti të padukshëm, që shtrihet deri në kreun e piramidës së lartë shtetrore. Por dështimi i proceseve më të fundit hetimore kundër përfaqësuesve të mazhorancës, kanë shënuar fundin e mandatit moral të kryeprokurores, i cili nuk mund të rikuperohet nga asnjë lloj mbështetje apo lëvizje politike e krahut të majtë apo kreut të lartë. Normalisht ata janë të gjithë të dështuar, dhe ky dështim do të vuloset me vulën e turpit të përjetshëm në zgjedhjet e 28 qershorit. Megjithatë e dështuara “numer one” është Ina Rama, e cila në postin e kryeprokurores, përveçse e dëgjoi si kryesocialist edhe e imitoi Edi Ramën në postin e krybashkiakut. Ky lloj bashkëpunimi dhe indoktrinimi majtist e shtyn prokurorinë Ramiste, që në vend të hetimit penal të bëjë politikë penale, për të diskretituar e demoralizuar qeveritarët iniciatorë e vizionarë, të cilët po mahnisin botën me arritjet spektakolare në procesin e integrimit euroatllantik dhe të shqiptarizmit ballkanik.
Sejdiu: Kosova dhe Shqipëria bashkohen në BE
Kosova e Shqipëria do të jenë shtete të integruara në BE, ku kufijtë më nuk do të jenë të rëndësishëm, tha sot presidenti Fatmir Sejdiu, pas takimit me pretenduesin e fronit mbretëror shqiptar, Leka I. Askush nuk mund t’i pengojë më Kosovën dhe Shqipërinë që të bashkëpunojnë si dy shtete mes vete, tha sot presidenti Fatmir Sejdiu. Këto komente, Sejdiu i bëri pas takimit që zhvilloi me pretendentin e fronit mbretëror shqiptar, Leka Zogu i Parë, i cili nga dita e djeshme po qëndron në Kosovë. Presidenti Sejdiu tha se bashkëpunuimi dhe ndihma reciproke mes këtyre dy shteteve do të zgjerohet dita-ditës. Kurse, në të ardhmen, me integrimet evropiane, Sejdiu tha se kufijtë dhe çështjet procedurale do t’i takojnë së kaluarës. “Kosova dhe Shqipëria janë dy realitete të arritura dhe të kohës. Janë dy shtete të pavarura që askush nuk mund t’i ndajë asnjëherë në kuptimin e ndihmës dhe mbështetjes reciproke. Për ne është me rëndësi që do të lëvizim bashkë në ndihmesë dhe në shfrytëzim përvojash në proceset integruese”. “Them se familja evropiane është familje e madhe, e përbashkët, sepse edhe Kosova, edhe Shqipëria janë në Evropë dhe natyrisht se nesër, flas në kuptimin metaforik, edhe me Kosovën, edhe me Shqipërinë, por edhe me vendet e rajonit, çështja e kufijve do të jetë çështje e kaluar, flas në kuptimin procedurave. Pra, do të jenë komunikime të lirshme”, tha Sejdiu. Ndërkohë, pretendenti i fronit mbretëror, Leka Zogu tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një orientim të përbashkët për të ardhmen. Ky orientim, sipas tij, vërehet edhe në komunikimet mes autoriteteve të Prishtinës dhe Tiranës. “Dua të nënvizoj se miqësia dhe mirëkuptimi që ka ekzistuar në këtë bisedë, është ajo e një miqësie themelore të dy shteteve, që po shkojnë në drejtim dhe në të njëjtën rrugë”, theksoi Leka I. Për shkaqe shëndetësore, takimin me Ramush Haradinajn e ka zhvilluar princi Leka i Dytë, dhe jo pretendenti i fronit mbretëror shqiptar, Leka I. Pas këtij takimi, Ramush Haradinaj tha se Kosova dhe Shqipëria kanë preokupim të përbashkët thellimin e marrëdhënieve reciproke, duke shfrytëzuar modelet evropiane. “Preokupim është që të thellohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha aspektet ose mundësitë që ekzistojnë, duke u bazuar në modelin evropian dhe në instrumentet e metodat që i ka Evropa në përdorim për integrim të ndërsjellë”, theksoi Haradinaj. Ndonëse ishte paralajmëruar një takim ndërmjet pretenduesit për fronin mbretëror shqiptar me kryeministrin Hashim Thaçi, ai nuk është realizuar. Sipas Zyrës së Kryeministrit, ishte marrëveshje protokollare që takimi të mbahej nesër (sot) dhe jo sot (dje). Në ditën e tretë të qëndrimit të tij në Kosovë, Leka Zogu i Parë pritet të shpallet “Qytetar nderi” i Komunës së Vitisë.
...