Berisha në Durrës: Shqipëria i ka energjitë të ecë drejt zhvillimit që meriton
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë të martën në përurimin e shkollës 9 vjeçare “Neim Babameto" në zonën e Spitallës, 3 km larg qytetit të Durrësit, një investim prej 88 milion lekësh të buxhetit të shtetit. “Shkolla është shtëpia e dytë e fëmijëve", tha Kryeministri duke iu drejtuar mësuesve, nxënësve dhe banorëve të shumtë që ishin mbledhur në oborrin e shkollës 4 katëshe, me kushte bashkëkohore që frekuentohet nga 1200 nxënës të zonës. Ndaj shtoi ai, qeveria gjatë këtij mandati i ka kushtuar një rëndësi të madhe ndërtimit dhe rindërtimit të shkollave. "Gjatë këtij mandati u ndërtuan dhe u rindërtuan 1012 shkolla, por pas fitores së 28 qershorit do të ndërtohen dhe rindërtohen të gjitha shkollat e vendit” tha Kreu i Qeverisë. Siç cilësoi Kryeministri "Shqipëria ka humbur shumë kohë, por me energjitë e saj do të ecë drej niveleve të zhvillimit që meriton". Duke u ndalur tek investimet në Durrës, Kryeministri informoi se brenda pak javësh do të nisë rruga e re Durrës-Porto Romano, fituesi i tenderit të të cilit tashmë është shpallur. “Në zonën e Spitallës dhe në Porto Romano do të realizohen projektet e Parkut Energjitik dhe Parkut Industrial, që do ta kthejnë këtë territor në një nga zonat më të rëndësishme ekonomike në Ballkan dhe më gjerë”, u shpreh z. Berisha, duke theksuar se “punësimi i qytetarëve dhe mbrojtja e mjedisit janë dy përparësi madhore të qeverisë shqiptare”. Nga Durrësi, Kryeministri u bëri dhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve që të pajisen me kartat e identitetit. “Paraqitja nga ana e shtetasve e dokumentit të ndihmës ekonomike do të mundësojë që këta të fundit të paguajnë vetëm 200 lekë për kartën e identitetit, ndërkohë që qeveria do financojë pjesën tjetër të pagesës prej 1000 lekë”, tha Kryeministri. Të njëjtën formë subvencionimi, informoi ai, qeveria do ta aplikojë dhe për ata persona që marrin pensione nminimale. Kryeministri Berisha kërkoi nga autoritetet vendore të kryejnë regjistrimin e familjeve të komunitetit rom dhe egjiptian, kategori që do t'i përfitojnë falas kartat e identitetit. “Thirrjen më të rëndësishme e më këmbëngulëse ua drejtojmë personave që nuk disponojnë pasaportë dhe ende nuk kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik”, - theksoi Konja. Ndërsa sugjeroi: “Aplikoni dhe pajisuni me letërnjoftimin elektronik që të përfitoni nga prioriteti dhe lehtësitë e vëna në dispozicion nga qeveria”.
...