E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretet e misionit të gjeneralit të Mao Ce Dunit në Tiranë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Stanley Karnow
Uashington Post, nga Hong-Kongu korrespondent i shërbimit të jashtëm

Hong-Kong, 16 maj 1969. Komunistët kinezë kanë dërguar ambasadorët e parë jashtë vendit, që prej periudhës së dikurshme të Revolucionit Kulturor të Mao Ce Dunit, kur pothuajse të gjithë të dërguarit kryesorë të Pekinit u thirrën nga shërbimi. Sipas analizave të komentatorëve këtu në Hong-Kong, kjo lëvizje ka shumë të ngjarë të pasohet në të ardhmen e afërt dhe me kthimin e të dërguarve të tjerë kinezë në misionet e jashtme të Pekinit. Prandaj, këta analistë thonë se momentalisht kinezët duken se po rinisin aktivitetin “normal” diplomatik pas pothuajse tre vitesh izolim diktuar nga ngurtësia ideologjike. Agjencia e re zyrtare e lajmeve kineze, raportoi sot këtu, se gjenerali Gën Biao, la dje Pekinin për të marrë postin e ambasadorit kinez në Shqipëri. Edhe pse Shqipëria është aleati më i afërt i Pekinit, përfaqësia diplomatike e tyre në Tiranë është drejtuar nga një i ngarkuar me punë që prej tetorit 1967.
Të tjerë priten të nisen
Të tjerë ambasadorë kinezë që pritet të shkojnë së shpejti me shërbime diplomatike jashtë vendit, janë gjenerali Huang Çhen, përfaqësuesi i Pekinit në Francë dhe Ku Hsiao-Po, i deleguari në Sudan. Të dy këta emra janë kthyer në Kinë vetëm rreth dy vite më parë. Nëntëdhjetë e një ambasadorë dhe diplomatë të tjerë në total, janë kthyer në Pekin gjatë Revolucionit Kulturor nga 47 përfaqësi diplomatike të këtij vendi. I vetmi diplomat i lartë kinez që ka qëndruar jashtë me shërbim edhe pas kthimit masiv të tyre, ka qenë Huang Hua, ambasadori i Egjiptit. Numri i diplomatëve kinezë të larguar gjatë periudhës së Revolucionit Kulturor nuk dihet, por të gjithë ata që janë kthyer në Pekin, besohet se janë indoktrinuar ideologjikisht. Një tregues i fundit që kinezët po përgatiteshin për të rinisur aktivitetin diplomatik, ishte dhe aktiviteti me rastin e ditës së 1 Majit në Pekin, kur Mao priti tetë ambasadorë të rinj të jashtëm së bashku me gratë e tyre në tribunën e sheshit Tien An Men.
Mao bashkëbisedon me ambasadorët
Dukshëm me humor të mirë, Mao me mirësjellje e drejtoi gruan e ambasadorit suedez, Bernt Arne Bjornberg, në vendin e saj të protokollit dhe shkëmbeu disa batuta me ambasadorët. Gjatë festimeve të ditës së 1 Majit, edhe zëvendëskryeministri Hsieh Fu-Chih, njëkohësisht dhe kryetari i “Komitetit Revolucionar” që qeveris Pekinin, doli jashtë mënyrës së tij të përzemërt të komunikimit me përfaqësuesit diplomatikë. Kjo sjellje kishte një kontrast të madh po ta krahasosh me atmosferën e krijuar dy vite më parë në kryeqytetin kinez, kur kancelaritë e huaja së bashku me stafet e tyre u ngacmuan dhe u sulmuan nga Rojet e Kuqe dhe militantët e tjerë që vepronin të nxitur nga zyrtarët.
Në axhendë
Herët këtë vit, zyrtarë të Ministrisë së Jashtme Kineze, i këshilluan përfaqësitë diplomatike perëndimore në Pekin, se ambasadorët kinezë do të nisnin të ktheheshin përsëri në shërbim, pas Kongresit të Partisë Komuniste, i cili mbylli punimet në fund të këtij muaji. Prandaj, nisja e gjeneralit Gën në Shqipëri duket se është planifikuar dhe vendosur në axhendë shumë kohë më parë. Tanimë në të gjashtëdhjetat dhe një veteran i “Marshimit të madh”, Gën Biao është një ushtar i vjetër që u shndërrua në një nga diplomatët më me eksperiencë të Pekinit, pasi komunistët u ngjitën në pushtet rreth dy dekada më parë. Përveç faktit që ai kishte shërbyer për pak kohë si zëvendësministër i Jashtëm, Gën Biao kishte drejtuar dhe misionet kineze në Suedi, Pakistan dhe Burma. Ashtu si gjenerali Huang, Gën Biao u anëtarësua kohët e fundit në radhët e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze. Duke marrë parasysh të shkuarën e Gënit, specialistët këtu dyshojnë se ai mund të jetë zgjedhur ambasador në Shqipëri për të rritur mbështetjen e Evropës Lindore ndaj Kinës kundër Bashkimit Sovjetik.
Revizionistët përreth
Muajt e fundit janë rritur shenjat që tregojnë se kinezët po përpiqen të kapitalizojnë ndjenjën kundër Moskës në vendet e Evropës Lindore. Mes lëvizjeve të tjera, ata janë përpjekur dhe për të përmirësuar marrëdhëniet e tyre me Rumaninë dhe Jugosllavinë, që më parë janë denoncuar nga Pekini për “revizionizëm”. Më 8 maj, për herë të parë në tre vite, ata i dërguan një telegram Pragës në ditën e tyre të Pavarësisë, ku i përcillnin përshëndetje dhe admirim të ekzagjeruar për mosnënshtrimin e popullit çekosllovak. Mes këtyre zhvendosjeve një çështje e hamendësuar së tepërmi mes analistëve është se kush e ka drejtuar politikën e jashtme kineze pas largimit nga detyra të ministrit të Jashtëm, Çen Ji. Shkarkimi i Çenit, i cili ka shërbyer si ministër i Jashtëm për më shumë se një dekadë, u duk qartë nga fakti që ai u përjashtua nga Byroja Politike e krijuar nga Kongresi i fundit i Partisë. Një njeri i dashur e i shkolluar në Francë, që i pëlqen të shijojë jetën, Çen është sulmuar vazhdimisht nga Rojet e Kuqe gjatë Revolucionit Kulturor. Për më tepër, përvoja e tij ishte kaq e hidhur sa Mao tha se ai kishte humbur 12 kilogramë, dhe “nuk mund t u paraqitej të huajve në ato kushte”. Megjithatë, përveç këtyre shqetësimeve politike, disa burime të informuara tregojnë se rënia e Çenit erdhi kryesisht si rezultat i shëndetit të tij të dobët. Thuhet se ai ka kaluar dy infarkte vetëm vitin e shkuar. Si pasojë e shfaqjeve të shpeshta në fjalimet e pritjeve të ambasadave të huaja, disa analistë besojnë se zëvendëskryeministri Hsieh ka marrë funksionet e Çenit. Të tjerë besojnë se Kryeministri Çu En Lai, po menaxhon sërish çështjet e jashtme të Kinës, ashtu siç bënte përpara 1958-ës. Ashtu si për vetë politikën e jashtme kineze, analistët këtu besojnë se do të ishte pragmatiste në sensin që Pekini do të preferonte të adaptonte taktikat në këto kushte, se sa të vepronte në një linjë doktrinare (teorike). Kështu që pritet që kinezët të ndjekin më shumë këto lloj manovrash kontradiktore, se sa të kritikojë Moskën për një marrëveshje të fshehtë me kapitalizmin perëndimor, për sa kohë ata vetë kanë lidhje më të ngushta me vende si Kanadaja, Italia dhe Gjermania Perëndimore. Çfarëdolloj gjëje tjetër që kjo mund të sjellë, ky lloj fleksibiliteti do të thotë se Revolucioni Kulturor i Maos, pas gjithë trazirave që solli, dështoi ta shndërronte Kinën në një vend që udhëhiqej nga idealet e saj të pastra.
Ky lajm është publikuar: 15/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›