Pagat dhe pensionet do rriten sërish, Berisha konfirmon burimet financiare
Kryeministri përcakton luftën kundër varfërisë si një prioritet absolut të mandatit të dytë qeverisës, ndërkohë që shpall 1 majin si afatin kur përmbyllet angazhimi elektoral i vitit 2005 për dyfishimin e pagave dhe të pensioneve.
TIRANE - Me rritjen që do t’u bëhet në datën 1 maj 2009, rrogave dhe pensioneve, qeveria shqiptare i jep një përgjigje të vendosur mjerimit dhe varfërisë në vend.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje, kryeministri i vendit Sali Berisha u ndal te përllogaritja e plotë e rritjes së rrogave dhe pensioneve, që do të bëhet në datën 1 maj 2009. Në përputhje me këto përllogaritje, kryeministri informoi se “rroga mesatare e punonjësve të administratës në 4 vite rritet me 68 për qind, ndërkohë që dyfishohen rrogat e ulëta”.
“Do të dyfishohen rrogat e mësuesve, infermierëve dhe mjekëve. Këtë vit nuk rriten rrogat e larta, domethënë rrogat e deputetëve, ministrave, kryeministrit dhe zyrtarëve më të lartë. Kjo bëhet me qëllimin, për të ngushtuar diferencën midis rrogave të ulëta dhe rrogave të larta. Aktualisht zbret në raportin 1 me 5 diferenca mes rrogës maksimale dhe asaj mesatare në administratën publike, raport ky tërësisht perëndimor. Ndërkohë që 4 vite më parë ky raport ka qenë 1 me 10”, tha kryeministri Berisha.
Duke iu referuar rritjes së pensioneve, Berisha u shpreh se në datën 1 maj dyfishohen dhe pensionet në fshat.
“Pensionisti që ka marrë 3400 lekë, në datën 1 maj do të marrë 6800 lekë. Të ardhurat pensionale minimale në qytet aktualisht janë 110 mijë lekë dhe në datën 1 maj shkojnë në rreth 122 mijë lekë”, tha Berisha, duke informuar se “rritje të ndjeshme pësojnë dhe të gjitha llojet e pensioneve të tjera”.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se “mbi 300 mijë familje shqiptare, të cilat jetonin me 1 dollarë në ditë për frymë, pas kësaj rritje do të kenë të ardhura dy herë më shumë se 4 vite më parë”.
“Dalja nga varfëria, ka qenë një nga qëllimet kryesore të kësaj qeverie”, u shpreh Berisha.
Ai siguroi se rritja e rrogave dhe pensioneve nuk po bëhet për qëllime elektorale, pasi kjo rritje ka filluar që në vitin 2006 dhe aktualisht ky veprim po ndërmerret 2 muaj para zgjedhjeve, pra në datën 1 maj, edhe pse një gjë e tillë ka faturën e vet financiare.
“Rritja e rrogave dhe pensioneve nuk ka as një qëllim elektoral. Edhe po të kishte një të tillë nuk do ta fshija, por ne atyre që shprehen se ka qëllim elektoral u themi se kjo rritje është bërë në vitin 2006, madje rrogat e mësuesve janë rritur me 27% , infermierëve me 27% dhe nuk ka qenë elektorale. Kjo rritje është bërë në vitin 2007, edhe në vitin 2008 dhe për fat të keq në të gjitha këto rritje opozita e vendit ka votuar kundër në parlament. E kundërta është, për të mos e bërë në periudhën kur është rregulli u detyruam ta s’postojmë dy muaj para zgjedhjeve çka ka pasur edhe kjo faturën e vet pasi ne nuk donim që të lidheshin këto dy procese njëri me tjetrin. Rritja e rrogave të cilën opozita nuk e këshillon dhe paraqet krizën botërore dhe pasojat e saj në ekonominë shqiptare si argument për të kundërshtuar rritjen e rrogave bëhet edhe për një qëllim tjetër të rrisë kërkesën, të shtojë fuqinë blerëse në tregun e brendshëm. Dhe kjo është një masë e rëndësishme kundër pasojave të krizës. Mendoj se vendet të cilat nuk rrisin, por i ulin rrogat janë në një situatë krejt tjetër nga ne. Janë në një situatë në të cilën këto vende nuk disponojnë të ardhura për shkak të krizës në të cilën janë përfshirë. Ndërkohë që qeveria ime disponon çdo qindarkë për rritjen e rrogave dhe pensioneve”, garantoi kreu i qeverisë.
Sipas tij, krahas sulmeve për rritjen e rrogave dhe pensioneve, opozita gjatë këtyre dy javëve të fundit ka mbrojtur rritjen e madhe të taksave që është bërë në bashkinë e Tiranës dhe në bashki të tjera.
“T’i kundërvihesh krizës me rritje taksash dhe mos rritje rrogash, do të thotë t’i kundërvihesh krizës duke shndërruar varfërinë në mjerim”, u shpreh Berisha.
“Rritja e rrogave dhe pensioneve, nuk ka sjellë asnjëherë lëkundje të stabilitetit ekonomik të vendit”
TIRANE - “E kam theksuar dhe e theksoj, FMN në filozofinë e tij, miraton indeksim rrogash. Rritje rrogash në përqindjen që rritet inflacioni dhe kjo është filozofi fare e drejtë, por nuk i përmbahesha do kësaj unë sepse qeveritarët bënë një katastrofë me rrogat, rritën 7 herë rrogat e larta dhe mezi i rritën 20-30% rrogat e ulëta në 8 vite. Tani, në 8 vite kanë vendosur në total në rritje rrogash dhe pensionesh vetëm 13 miliard lekë. Vetëm në tre vite kemi vendosur 38 miliard lekë. Dhe këtu nuk po përfshij rritjen e fundit, se bashkë me të shkojnë në 55 miliard lekë. Tani a mund të pranoja unë që 170 mijë pensionistët e fshatit të merrnin 1 $ në ditë. Sa i kemi vendosur pensionet në fshat? Njëlloj sa ç’vendosëm ato pensione së bashku gjatë 17 viteve. Ne i dyfishuam. Nuk kam asgjë kundër FMN. Rrogat dhe pensionet do të rriten. Shqipëria ka disa specifika, të cilat më kanë imponuar mua të marr këto masa dhe që janë faktuar si të drejta. Rritja e rrogave dhe pensioneve, nuk ka sjellë asnjëherë lëkundje të stabilitetit ekonomik të vendit”, sqaroi Berisha midis të tjerave, në përgjigje të interesimit të gazetarëve.