E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inagurohen 38 km e para të autostradës Vermicë-Mërdar

Që nga dita e sotme qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë do të mund të shfrytëzojnë 38 kilometrat e parë të autostradës Vërmicë-Merdar. Në ceremoninë soleme me këtë rast në Vërmicë janë të pranishëm presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha si dhe zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Shqipërisë.
 

Në fjalën e saj presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga theksoi se kjo rrugë do të shkurtojë distancat me Shqipërinë dhe të do të jetë në funksion të ndërlidhjes me popujt europianë.
 

“Ne po ndërtojmë rrugën e vizionarëve. Presidenti Rrugova krahas platformës për liri dhe demokraci dha idenë e rrugës Durrës-Prishtinë e cila përveç se do të bashkojë popujt tanë do të sjellë zhvillim” ka theksuar Jahjaga.

“Kjo rrugë është realizimi i brezave dhe dedikim për brezat e ardhshëm. Është një punë e mbështetur në forcat tona si një dëshmi që ne dimë të ndërtojmë. Ne sot po realizojmë një ëndërr, një vepër të pakrahasueshme morale që bashkojmë popujt tanë” ka shtuar më tej Jahjaga.

Një fjalim në ceremoninë e inagurimit të autostradës ka mbajtur edhe kongresmeni amerikan Eliot Engëll i cili theksoi se autostradë sjell Kosovën në zemër të Europës.

“Është kënaqësi që jam këtu për të hapur rrugën. Kjo është një ditë e gëzueshme. Kjo rrugë sjell Kosovën në zemër të Europës në një kohë kur të tjerët mbyllin kufijtë e tyre, Kosova po i hap kufijtë e saj drejt Europës” ka theksuar Engëll.
 

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se kjo autostradë është realizimi i një ëndrre të kahershme.

"Kjo është autostrada e jetës së re, në shërbim të të gjithë qytetarëve, jo vetëm të Shqipërisë e Kosovës, por edhe të rajonit dhe Evropës. Ky është projekti i Kosovës së re, projekti që i ka munguar Kosovës e rajonit. Ky është projekti më i madh dhe më modern në historinë tonë, është civilizim dhe emancipim që ndan botën e re nga e vjetra, ky është një projekt i shekullit të ri, i lirisë, pavarësisë, projekti i evropianëve të rinj", tha Thaçi.

Kostoja e ndërtimit të 38 kilometrave të parë të autostradës ka kushtuar 330 milionë euro.Punimet në autostradë do të vazhdojnë derisa të përfundojë i tërë projekti, i cili pritet të përfundojë në nëntor të vitit të ardhshëm. Autostrada Vërmicë-Merdar është cilësuar projekt historik për Kosovën evropiane dhe për integrimin e shqiptarëve në BE. Punimet kanë nisur më 25 prill të vitit të kaluar dhe kjo autostradë do të jetë e sistemit të mbyllur dhe hyrje-dalje do të ketë vetëm në kyçjet e autostradës.
 

Gjerësia e autostradës do të jetë 28 metra, ku do të jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3 metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash. Autostrada është vazhdimësi e autostradës Durrës- Morinë, apo “Rruga e Kombit”, që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe krijon mundësi të daljes në det duke e lidhur pikën më të skajshme kufitare të Kosovës, Merdaren me portin e Durrësit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›