Gripi sezonal, MSH-ja thirrje qytetarëve të vaksinohen

Ministria e Shëndetësisë ka çelur sot fushatën ndaj gripit sezonal ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve të vaksionohen. Në një konferencë për mediat drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero theksoi se edhe pse situata epidemiologjike është e qetë, vaksinimi është mënyra më e mirë të për të parandaluar gripin sezonal.
“Eksperienca na ka treguar që kjo është periudha më e mirë për të nisur vaksinimin. Fushatat nisin në fund të vjeshtës por për shkak të ndryshime klimaterike kemi hyrë në sezonin e gripit sezonal pasi që nga momenti që aplikohet vaksina duhet së paktën dy javë që trupi të fitojë imunitet” theksoi Pipero.
Më tej Pipero theksoi se vaksinimi është i nevojshëm për një sërë grupesh të veçanta që janë fëmijët, të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Gjithashtu Pipero garantoi qytetarët se vaksina kundër gripit është e sigurtë dhe nuk ka efekte anësore. “Vaksina përban viruse qarkulluese, A dhe B dhe është shumë e sigurtë. Një sasi e konsiderueshme është edhe në vendin tonë. I bëj thirrje qytetarëve të vaksinohen duke pasur parasysh grupet për të cilët vaksinimi është i domosodoshëm” ka shtuar më tej Pipero ndërsa shtoi se nga dita e hënë do të fillojë vaksinimi edhe për bluzat e bardha.