E Diel, 1 Nëntor 2026

Inaugurohet qendra PROTIK, e para qendër Burimore dhe Trajnimesh për Teknologjinë e Informimit dhe Komunikimit

Sot, Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo dhe Kryetari i Bordit të AADF-së, z. Michael Granoff inauguruan qendrën burimore dhe të trajnimeve për TIK-un, PROTIK,  e cila është një partneritet publik-privat ndërmjet: Qeverisë së Shqipërisë, USAID, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Microsoft Albania, Cisco dhe Albtelecom. Në inagurimin e kësaj qendre të pranishëm ishin dhe z. Henry V. Jardine, Zëvendësambasador i ShBA-ve në Shqipëri, përfaqësuesit e USAID, Microsoft Albania, Cisco dhe Albtelecom.

Kjo qendër do të mbështesë zhvillimin dhe përdorimin e inovacionit dhe teknologjise se informacionit e te komunikimit (TIK) për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe do të nxisë rritjen e këtij sektori në Shqipëri.

Ndër të tjera Ministri Pollo tha gjatë ceremonisë: “Inaugurimi i ambienteve të qendrës PROTIK, ishte një tjetër hap i rëndësishëm në kuadrin e përgjithshëm të Agjendës Digjitale në Shqipëri. Qeveria jonë synon që Shqipëria të përfitojë maksimalisht nga teknologjitë e reja, duke u shndërruar kështu në një qendër TIK të mirëfilltë (ICT hub), në rajon por edhe me gjerë, për të nxitur zhvillimin  ekonomik, dhe për të konkurruar më së miri me vendet e tjera, në një treg që nuk rresht së zhvilluari. Jam i besimit se PROTIK do të ndihmojë dhe mbështesë përpjekjet tona në realizimin e këtij objektivi kombëtar.”

Qendra PROTIK do të funksionoje si një organizatë e pavarur, jo fitimprurëse, e modeluar sipas Qendrave të Inovacionit të sukseshme. Misioni i saj është të shërbejë si katalizator për zhvillimin e industrisë së TIK-ut në Shqipëri duke nxitur inovacionin, sipërmarrjen, duke rritur kërkesën për TIK dhe duke nxitur partneritete.

PROTIK synon të plotësojë tregun me veprimtari edukuese, shërbime mbështetëse, duke krijuar një mjedis teknologjik bashkëkohor dhe me veprimtari kërkimore në fushën e teknologjise se informacionit e te komunikimit. Veprimtaritë edukuese do të përfshijnë trajnime, këshillime dhe shërbime të tjera, në ndihmë të ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NVM), të sipërmarrësve, të sektorit publik dhe të profesionistëve dhe akademikëve të TIK-ut.

Në funksion të përhapjes së informacionit, qendra “PROTIK” do të vërë theksin tek promovimi i produkteve të reja, forcimi i rrjetit në sektorin e TIK-ut dhe në vënien në dispozicion të burimeve të tjera të çmuara. Qendra do të angazhohet në veprimtari të tilla si demonstrime të produkteve të reja, prezantime në grup, për të paraqitur produkte dhe ndërmarrje shqiptare, apo edhe konkurse inovative dhe arsimore në fushën e TIK-ut. Për të ndihmuar partneritete dhe për të zgjeruar ndërgjegjësimin për veprimtaritë e PROTIK-ut, qendra do të organizojë vazhdimisht veprimtari rrjetëzuese (networking), duke përfshirë takime ndërmjet bizneseve, takime të sektorit të TIK-ut (në bashkëpunim me shoqata partnere) dhe veprimtari të tjera informale për nxitjen e kontakteve midis aktoreve dhe grupeve te interesit ne kete fushe.

Sektori i TIK-ut në Shqipëri ka përjetuar një rritje mbresëlënëse në vitet e fundit, por ai ka ende shumë potencial për të shprehur. Studime të fundit të Bashkimit Evropian dhe të Organizatës Ndërkombëtare të Punës kanë dalë në përfundime që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në të gjithë sektorët e ekonomisë, kanë nevojë si për aftësi teknike për TIK-un ashtu edhe për aftësi të tjera personale të lidhura me biznesin, ndër të cilat përparësia kryesore për ndihmesë ka të bëjë me fushën e marketingut e shitjeve dhe me inovacionin dhe teknologjinë.


11/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›