Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e shkollës 9- vjeçare “Lush Kola”, në Barbullush, komuna Bushat
Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në inaugurimin e rikonstruksionit të plotë të shkollës 9-vjeçare “Lush Kola”, ne Barbullush, Komuna Bushat, Shkodër, një investim prej rreth 67 milion lekë.
Shkolla e rikonstruktuar ka tashmë 18 klasa, 2 klasa parashkollorë, kabinet informatike e biologjie, 4 salla për laboratorë, mjedis sportiv dhe mjedise të tjera për mësuesit dhe administratën. Shkolla është rikonstruktuar në përputhje me standardet e sotme moderne dhe ka kapacitet për rreth 600 nxënës, ndërkohë që sot mësojnë në të 472 nxënës.
Kryeministri Berisha u ndal dhe vizitoi disa nga ambientet dhe klasat e shkollës dhe shprehu kënaqësinë për rindërtimin e kësaj shkolle, “që për 111 vjet me radhë, tha kryeministri, përhap dritë dhe dije në banorët e Bushatit dhe që sot pas 111 vitesh, kjo shkollë ka standardet më të mira, është shkollë e standardeve Europiane, e pajisur me kabinetet e informatikës, terrenet sportive”. Kryeministri theksoi se rindërtimi i saj është mënyra më e mirë për të nderuar ata që 11 vjet më parë themeluan këtë shkollë dhe u bënë misionarët e parë, të dritës dhe dijes këtu në Barbullush.
Kryeministri theksoi gjithashtu se në krye të axhendës së qeverisë është dhe do të mbetet ndërtimi i shkollave të vendit si dhe mbështetja ndaj mësuesit për të përmbushur me dinjitet misionin fisnik që kanë në edukimin dhe mësimin e fëmijëve tanë.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha e cilësoi vendimin e djeshëm për rekomandimin e statusit të vendit kandidat si një arritje e madhe, një vlerësim i madh, për atë lum djerse e përkushtimi të qytetarëve të Barbullushit, Bushatit, Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë si dhe një punë e madhe me përkushtim e administratës shtetërore dhe qeverisë, që kanë përmbushur në një kohë të shkurtër dhe vendosmërisht me qindra e qindra kërkesa të domosdoshme, për marrjen e statusit. “Unë jam sot këtu për tu zotuar se, qeveria do të bëjë gjithçka, që ëndrra juaj e bukur, ëndrra Europiane, e cila ka nismën e saj tek rilindasit tanë dhe më parë, të bëhet sa më shpejt realitet”, theksoi kryeministri.
***
Në komunën e Bushatit, gjatë viteve 2006-2012 janë ndërtuar dhe rindërtuar 9 shkolla e kopshte. Ndërkohë që, për këtë periudhë janë investuar në gjithë Qarkun e Shkodrës rreth 1 miliard e 458 milion lekë: Janë ndërtuar gjithsej 104 shkolla, nga të cilat 26 shkolla të reja dhe 78 shkolla janë rikonstruktuar nga e para.
Gjatë këtyre viteve në Bushat janë ndërtuar: 65 km rrugë, 6 sisteme ujësjellësish, 5 qendra shëndetësore, 330 fermerë janë subvencionuar me një vlerë 45 milion lekë, 4 rrjete të mëdha kulluese, si dhe janë investuar 500 milion lekë për landfillin e Bushatit.
Ndërsa në rang qarku, për Qarkun Shkodër për vitin 2005 – 2012 janë realizuar 800 km rrugë kombëtare dhe rurale, duke përfshirë: 425 km rrugë lokale në komuna e bashki, 180 km rrugë kombëtare, 195 km rrugë rajonale. Janë ndërtuar e rikonstruktuar 120 sisteme ujësjellësish e kanalizimesh dhe 94 qendra shëndetësore e ambulanca.
Gjatë fjalës së tij kryeministri u shpreh:
Të dashur nxënës dhe nxënëse
Mësues dhe mësuese të shkollës 9-vjeçare “Lush Kola”
Së pari ju përshëndes shumë përzemërsisht, shpreh kënaqësinë time që ndaj me ju gëzimin e rindërtimit të plotë të kësaj shkolle, që për 111 vjet me radhë përhap dritë dhe dije në banorët e Bushatit dhe që sot pas 111 vitesh, kjo shkollë ka standardet më të mira, është shkollë e standardeve Europiane, e pajisur me kabinetet e informatikës, terrenet sportive. Një shkollë kjo e denje për çdo komunë të vendeve më të zhvilluara, për çdo qytet të vendeve më të zhvilluara të Europës.
Rindërtimi i saj ka një investim prej 67 milion lekë dhe në të cilën komuna ka kontributin e vet dhe unë dua ta përgëzoj kryetarin e komunës, për interesin e tij të madh për arsimin dhe shkollimin e fëmijëve të Bushatit, Barbullushit dhe çdo fshati të kësaj komune.
Shkolla ka 18 klasa, dy klasa kopshti, kabinete informatike , 4 laboratorë dhe mjedis sportiv ndër më modernet. Kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar çdo ditë sëbashku vizionin Europian, por kjo është mënyra më e mirë, për të nderuar ata që 11 vjet më parë themeluan këtë shkollë dhe u bënë misionarët e parë, të dritës dhe dijes këtu në Barbullush.
Të dashur nxënës dhe nxënëse
Mësues dhe mësuese
Unë ndihem shumë i lumtur që vij tek ju dhe bisedoj me ju. Ata të cilët me qortojnë se po bëj politikë, dua tu bëj të ditur sot nga Bushati se, politika ime më kryesore është shkollimi i fëmijëve të Shqipërisë.
Të dashur fëmijë
Nuk ka politikë më të rëndësishme dhe më të mirë për mua, sesa të ndërtoj për ju, shkollat më moderne më të bukura.
Të dashur mësues dhe mësuese
Nuk ka politikë më të mirë dhe më të rëndësishme për mua, sesa mbështetja juaj e plotë për të përmbushur me dinjitet këtë mision fisnik që keni në edukimin dhe mësimin e fëmijëve tanë.
Të dashur prindër
Nuk ka për mua dhe qeverinë time, politikë më të rëndësishme sesa shkollimi dinjitoz i fëmijëve tuaj, pasi unë e di se çfarë jeni në gjendje ju të sakrifikoni, që fëmijët tuaj të bëhen sa më të edukuar, sa më të dijshëm. Përkushtimi juaj mbetet gjithnjë një përkushtim i madh për mua dhe dua t’ju garantoj se, arsimi është dhe do të mbetet çështje kryesore në axhendën e qeverisë sime.
Pikërisht se kemi arsimin çështje kryesore, në këto vite kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla të reja në mbarë vendin. Pikërisht se kemi arsimin, çështjen më kryesore, ne duam që ju të dashur fëmijë të uleni në banka, të studioni në shkolla njëlloj si bashkëmoshatarët tuaj në Europë. Pikërisht se kemi arsimin përparësi të të gjitha përparësive, në një përpjekje të jashtëzakonshme e kemi rritur me 120 deri ne 147 % rrogat e mësuesve të të gjitha cikleve arsimore. Pikërisht se kemi arsimin përparësi të të gjitha përparësive sot 92% e të gjithë fëmijëve që mbarojnë shkollat 9-vjeçare, hyjnë në shkollat e mesme. Pikërisht se kemi arsimin çështjen me kryesore, ia kemi dalë që 71% e atyre që mbarojnë shkollat e mesme të hyjnë në auditorët e universiteteve. Arsimi ka qenë dhe është objektivi, prioriteti përparësia më madhore e kësaj qeveria. Vetëm “Shqipëria e Dijes”, do të jetë Shqipëria e zhvilluara. Si të jenë shkollat tona sot, do të jete Shqipëria nesër, ndaj dhe unë garantoj se nuk do të lemë përpjekje pa bërë për të patur sistemin arsimor më të mirë.
Në qarkun e Shkodrës ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar gjatë këtyre viteve 74 shkolla, ne kemi investuar vetëm këtë vit në rang vendi në ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave mbi 52 milion dollarë. Ne do të bëjmë gjithçka që shkollat që kanë mbetur pa ndërtuar, ti rindërtojmë apo ndërtojmë ato nga e para. Këto ditë po shikoja në një televizion që vjell çdo ditë hidhërim dhe zi, po filmonte një shkollë të pa rindërtuar, një shkollë të vjetër. Ne fakt po filmonte ata që mbështeste, sepse ne po ndërtojmë shkolla, por ne nuk mund të ndërtojmë të gjitha shkollat në një vit apo 3 vite, por ne ju garantojmë se do të ndërtojmë çdo shkollë gjatë mandatit, që vjen dhe ai mandat do të jetë mandati i kompletimit të të gjitha shkollave të vendit me mjetet më moderne, laboratorët më moderne. Garantoj mësuesit, të cilët 6 vjet më parë merrnin një rrogë 9 herë më të vogël se rrogën e kryeministrit. Kurse sot kryeministri merr 4.5 rroga të një arsimtari dhe ju jap fjalën se do të shkojmë duke e ngushtuar këtë hendek dhe kjo do të vijë duke rritur në mënyrë të vazhdueshme rrogat e mësuesve. Ne do të bëjmë gjithçka që këto vajza dhe djem, burra dhe gra fisnik, të përmbushim ne dinjitet misionin e tyre. Ndaj dhe ju them atyre që më qortojnë mos u lodhni, se politika ime e parë dhe më e rëndësishme është shkollimi i djemve dhe vajzave tanë në shkolla. Ata vërtet nuk votojnë, por detyrimi im moral i parë është ndaj këtyre qytetarëve të Shqipërisë që vijnë, këtyre qytetarëve të vegjël, që kanë ëndrrën më të bukur në mendjen e tyre, për vendin e tyre dhe që do e ndërtojnë siç duan vetë.
Të dashur nxënëse dhe nxënës
Dje një lajm i madh, një mesazh i madh erdhi nga Brukseli. Shqipërisë iu rekomandua statusi i vendit kandidat. Kjo është një arritje e madhe, ky është një vlerësim i madh, i atij lumi djerse përkushtimi të qytetarëve të Barbullushit, Bushatit, Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Një pune të madhe me përkushtim të administratës shtetërore dhe qeverisë, që kanë përmbushur në një kohë të shkurtër dhe vendosmërisht me qindra e qindra kërkesa të domosdoshme, për marrjen e statusit. Unë jam sot këtu për tu zotuar se, qeveria do të bëjë gjithçka, që ëndrra juaj e bukur, ëndrra Europiane, e cila ka nismën e saj tek rilindasit tanë dhe më parë, të bëhet sa më shpejt realitet. Ne këtë mandat ne kemi arritur dy suksese historike, së pari lëvizim të lirë në mbarë Europës, së dyti rekomandimi i djeshëm i Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat. Procesi i integrimit të Shqipërisë do të jetë një proces i pandalshëm. Kjo është rruga për të bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve të të gjitha brezave.
Në klasën e pestë të kësaj shkolle nxënësit kishin improvizuar një shfaqe të mrekullueshme , momentin e shpalljes së pavarësisë. Ismail Qemali i vogël lexoi deklaratën që burri i shquar i kombit shqiptarë, do të lexonte 100 vjet më parë në Vlorë, me të cilën do të shpallte pavarësinë. Firmosi këtë deklaratë sot pas 100 vjetësh, njëlloj sikundër themeluesi i pavarësisë së vendit e firmosi 100 vjet më parë. Ishte moment prekës, rreth rij ndodheshin përfaqësues të trevave të ndryshme shqiptare. Lexoi edhe fjalimin e tij. 100 vjet nuk kanë qenë të lehta për shqiptarët, por sot pas 100 vjetësh, shqiptarët janë të lirë dhe janë të lirë para së gjithash, se në çdo situatë, në çdo rrethanë ata ditën të jenë të bashkuar.
Në të gjitha betejat e tyre, ata mundën të dalin e të shpëtojnë prej tyre dhe të fitojnë, si një komb i bashkuar. Duke vështruar shfaqen e këtyre nxënësve, aty kishte përfaqësues të të gjitha trevave. Shqiptarë, të cilët ishin mbledhur për të bërë Shqipërinë të pavarur. Shqipëria u copëtua, por përsëri shqiptarët sëbashku ia dolën të jenë sot të lirë, ndaj dhe të dashur fëmijë le ta ruajmë ne si gjënë më të çmuar dashurinë për këtë vend, dashurinë për trojet shqiptare kudo që janë, dashurinë për shqiptarët kudo që ndodhen, se vetëm sëbashku, ne do të mund të ndërtojmë të ardhmen e shkëlqyer që meritojmë, se vetëm sëbashku ju do të keni një të ardhme të sigurt në liri dhe në dinjitet.
Dhe njëherë ju përshëndes përzemërsisht, ju uroj gëzuar shkollën 111 vjeçare të re.
Faleminderit.
11/10/2012