E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori Sequi i dorëzon Kryeministrit Berisha Progres-Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, për vitin 2012

Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, zoti Ettore Sequi, i dorëzoi sot Kryeministrit Berisha Progres –Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2012. Pas takimit mes tyre dhe dorëzimit të Progres-Raportit, Kryeministri Berisha dhe Ambasadori Sequi dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën bënë këto komente:

Ambasadori Sequi: Kam kënaqësinë që i dorëzova sot zotit Kryeministër, Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, i cili mbulon një periudhë prej 12 muajsh dhe të gjitha kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky Raport është edhe mjeti i duhur, i cili tregon edhe udhën për të ardhmen. Me pak fjalë, pasi në fakt do të kemi një konferencë shtypi më vonë, dëshiroj t’ju them se këtu janë mbuluar përparimet, ecuritë apo progresi i bërë gjatë vitit të shkuar. Duke u bazuar në këtë ecuri, Komisioni Evropian i rekomandon Këshillit të Bashkimit Evropian që t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pasi të jenë përmbushur disa kritere kyçe. E në veçanti në disa fusha kryesore, të cilat janë në fakt kyçe, që kanë të bëjnë me reformën në gjyqësor, reformën në administratën publike, si dhe rishikimin e rregullores së parlamentit. Për sa i përket detajeve, më vonë do të kemi të bëjmë me projektligjin për Gjykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil. Ndërkohë, ajo që dëshirojmë të shikojmë është një angazhim i vazhdueshëm për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por është e rëndësishme të theksoj se progresi apo ecuria e mëtejshme e Shqipërisë në rrugën e mëtejshme të Bashkimit Evropian, duhet bazuar në disa fjalë kyçe, të cilat e kanë çuar Shqipërinë në atë arritje që kemi parë sot. Më kryesisht, marrja në konsideratë e faktit që integrimi në Bashkimin Evropian është objektiv e prioritet kombëtar, i cili ndahet nga të gjithë, i cili bazohet në një proces gjithëpërfshirës që me pak fjalë do të thotë mobilizim rreth këtij motivi të vetëm të përbashkët, të të gjitha energjive të vendit.

Unë shfrytëzova këtë mundësi të falënderoja Kryeministrin për bashkëpunimin, për rolin që ka luajtur edhe ministrja e Integrimit Evropian, së bashku me Komisionin Parlamentar për Çështjet e Integrimit Evropian, i cili udhëhiqet nga zoti Bushati.

Ne kemi besim që këto tregues, për të cilët kemi folur sot, do të çojnë në përmbushjen e këtyre reformave, të cilat, për mendimin tim, janë në mënyrë absolute thelbësore.

Një fjalë të fundit që ka të bëjë me këndvështrimin edhe nga jashtë, që kjo e gjitha do të ishte tejet e rëndësishme, pasi ky është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, viti i 100 vjetorit të pavarësisë.

Kryeministri Berisha: Së pari, dëshiroj të theksoj se në këto 22 vite bashkëpunimi luajal, intensiv me Bashkimin Evropian, Komisionin Evropian, ky është dokumenti më i rëndësishëm që kemi marrë nga Brukseli deri me sot. Ky është një dokument historik, me të cilin Komisioni Evropian, u rekomandon vendeve anëtare për Shqipërinë statusin e vendit kandidat. Por,  zoti  Ambasador, duhet të theksoj se 100 vjet përpjekje të Shqipërisë  dhe të shqiptarëve, në periudhat që ata kanë qenë të lirë, nuk kanë pasur dhe nuk kanë synim tjetër, veçse bashkëpunim, integrimin dhe vendosjen  e vendit të tyre në gjirin e familjes së kombeve të zhvilluara dhe të qytetëruara të Evropës. Në këtë kontekst, ky është vlerësimi më i madh që Komisioni Evropian i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve në 100 vjetorin e tyre te pavarësisë.

Është një rast i shkëlqyer për të falënderuar shumë përzemërsisht qytetarët shqiptarë, të cilët kanë mbështetjen më të lartë për procesin e integrimit të vendit të tyre në Bashkimin Evropian. Kjo mbështetje përben për qeverinë time një energji të madhe, përkushtim të madh, për të punuar në këtë anxhendë, si projekti kryesor i këtij shekulli për shqiptarët.

Një falënderim shumë të përzemërt unë dua t’i bëj  administratës së këtij shteti, e cila me një përkushtim të madh  është angazhuar në një proces universal reformash, të detajuara në planin e veprimit dhe të konkretizuara me rezultate konkrete, të cilat kanë bërë të mundur, mendimin pozitiv të Komisionit Evropian për statusin për Shqipërinë. 

Dua gjithashtu të shpreh vlerësimin tim të palëkundur  për kontributin e  opozitës, e cila pasi u shkëput nga praktikat e bojkotit dhe bllokimit, bëri të mundur votimin në parlamentin shqiptar të ligjeve të rëndësishme, siç ishte kodi zgjedhor, imuniteti dhe ligjeve te tjera. 

Një falënderim të veçantë dua t’i bëj Ambasadorit të Bashkimin Evropian në Tiranë, Delegacionit Evropian, Drejtorisë së Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe Komisionerit  Fyle, për angazhimin e  tyre të madh dhe mbështetjen që i kanë dhënë vendit tim dhe qytetarëve të vendit tim, në këtë proces të një rëndësie historike për ta.

Zonja dhe zotërinj,

Sot të fituar janë qytetarët shqiptarë, të cilët mezi kanë pritur këtë ditë dhe unë dua të zotohem para tyre, para partnerëve tanë se, do të bëj gjithçka për të promovuar këtë axhendë si axhenda  më e mirë për  të ardhmen e merituar të qytetarëve shqiptar. Komisioni, pasi bën rekomandimin e tij dhe bën detyrën e tij, tregon qëndrimin  e tij miqësor dhe pozitiv, vlerësimin e palëkundur ndaj arritjeve të Shqipërisë,  kërkon ndërkohë që të votohen tre ligje, të cilat janë të parlament.

Unë dhe njëherë angazhohem të bëj çdo  gjë që është e mundur, brenda parimeve të një sistemi demokratik, që ato ligje të votohen dhe mund të votoheshin, në besimin tim, që javën që shkoi. Nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse pranimin e parimeve më themelore të sistemit demokratik. Këto parime nuk kanë ngjyra partiake, këto janë  parime universale  që rregullojnë qeverisjen e qytetarëve.

Mbetem gjithashtu i vendosur të punoj me intensitet të madhe në të gjitha çështjet e kësaj  axhende.  Ky është një proces i vazhdueshëm, një proces jetik, për të ecur në mënyrë të merituar dhe unë të tillë e marr këtë proces. Raporti, me shumë të drejtë sugjeron hapjen e negociatave pas procesit zgjedhor dhe vlerësimit të këtij procesi. E konsideroj jashtëzakonisht logjik dhe te arsyeshëm këtë kërkesë. Së pari, dua të zotohem se do të bëjmë gjithçka  për proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe jemi të vendosur ta demonstrojmë këtë para çdo qytetari shqiptarë dhe para çdo  vëzhguesi  dhe  miku të Shqipërisë. Së dyti, është gjëja më normale që fushata elektorale, e cila është në prag të fillimit të saj, të tregohet durim që,  pas përfundimit të zgjedhjeve dhe me ato zgjedhje,  të dëshmojmë se meritojmë hapjen e negociatave. Pra, kërkesë kjo ndër më legjitimet dhe ndër më logjike që mund t’i shtrohet një vendi.

Edhe njëherë, me lejoni të falënderoj shumë përzemërsish Komision Evropian, delegacionin evropian, ambasadori Sequi  që me dorëzoi sot dokumentin  më të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. 

Faleminderit!

Pyetje: Z. Sequi, ashtu siç ju e theksuat, një nga tre detyrimet që Shqipëria duhet të përmbushë është edhe reforma parlamentare. Jo më larg se para një jave, pas një takimi me Kryetarin e PS-së, z. Rama, ju u shprehët optimist se PS do ta votojë reformën parlamentare sa më shpejtë. A mendoni se ka vend ende për kaq optimizëm, duke pasur parasysh se javën e kaluar ajo nuk pranoi që kjo reformë të futet në axhendën e parlamentit për t’u votuar?.

Ambasadori Sequi: Faleminderit. Unë kam të njëjtin besim, unë shpresoj njëlloj dhe kam të njëjtin optimizëm se reforma parlamentare do të votohet së shpejti. Kam besim dhe shpresoj që  kjo do të ndodhë. Për sa i përket reformës parlamentare, dëshiroj të përmend faktin se janë bërë 34 amendamente dhe po ashtu janë ndryshuar 27 nene në tërësi, që për mendimin tim, është një arritje shumë e mirë dhe kjo tregon gatishmërinë e palëve të përfshira, në mënyrë që ata të diskutojnë këto çështje kaq të rëndësishme dhe që nuk mund të gjejnë konsensus. Megjithatë, ka ende diçka e cila ka mbetur e hapur. Personalisht, unë kam vënë re një dëshirë të mirë dhe një angazhim të mirë, përkushtim. Prandaj them se, edhe unë jam i mendimit dhe kam besim se, me të njëjtat mjete apo mënyra, që janë përdorur deri tani, pra në 11 - 12 muajt e fundit, edhe reforma parlamentare mund të arrihet të përfundohet dhe këto mjete për të cilat unë po flas janë, dëshira apo vullneti për dialog, një frymë kompromisi,  respekt i ndërsjellë, dhe të kuptuarit se cili është interesi i vendit dhe i shqiptarëve për të ardhmen, që për mua është  të ecurit drejt BE-së, pra integrimi në BE.

Pyetje: Zoti Sequi, duke i paraprirë kësaj date, ju keni thënë se data 10 tetor do të jetë dita kur ne do të shohim njëri-tjetrin në sy dhe do të themi se patëm vizionin, por na mungoi vullneti, apo e kundërta, patëm vullnetin, por na mungoi vizioni. Në kontekstin e një statusi të kufizuar, çfarë do t’i themi sot njëri-tjetrit?. E dyta, ju keni vënë muajin dhjetor si afatin e fundit kur politika shqiptare do të përmbushë detyrimet për statusin. Çfarë ndodh nëse tejkalohet ky afat.

Ambasadori Sequi: Faleminderit për pyetjen; Është e vërtetë që unë para dy muajsh kam thënë pikërisht këtë gjë, ndërsa sot do të thosha që duhet të vazhdojmë ta shohim njëri tjetrin në sy edhe për pak më gjatë, sepse gjithmonë duhet të kemi parasysh se duhet të kemi një frymë gjithë - përfshirjeje, konsensusi e kompromisi. Më lejoni të jem i qartë për një gjë; të ecurit përpara në këtë drejtim, pra në drejtimin e BE-së, është për mua nevoja që të shikojmë që kjo ka qenë ose është një punë e mirë që është bërë nga qeveria, nga opozita, nga të gjithë.

Lidhur me pyetjen e dytë, do të doja ta shikoja këtë çështje në një mënyrë tjetër, ndryshe, në këtë formë; unë besoj se të gjitha këto reforma janë afër nesh. Në dhjetor, Këshilli do të marrë vendimin e vet, duke u bazuar në rekomandimin e Komisionit Evropian dhe unë kam besim dhe mendoj se është e mundur, në mënyrë absolute, që ne t’u prezantojmë shteteve anëtare dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, të cilët do të thonë edhe fjalën e  fundit për këtë çështje, përfundimin e kësaj reforme. 

Kryeministri Berisha: Duke qenë se kërkesat e Brukselit sot ishin të qarta dhe ato kishin të bënin me bashkëpunimin me opozitën, a është e gatshme mazhoranca të rishohë qëndrimet e saj përballë kërkesave të opozitës?

Kryeministri Berisha: Faleminderit për pyetjen. Në qoftë se u referohemi fakteve dhe jo propagandës, ju do të gjeni se kjo mazhorancë ka dëshmuar fleksibilitetin më maksimal në procesin e bashkëpunimit me opozitën. Unë nuk dua të ndalem në shumë, por vetëm në një moment; në rast se ju lexoni marrëveshjen e nëntorit të vitit të kaluar, me të cilën opozita u tregua e kënaqur, mund të them se nga shtatori i vitit 2009, deri në datën e firmosjes së saj, ajo ofertë ka qenë në mënyrë të pandryshueshme në tavolinën e opozitës, sepse është në natyrën time, në bindjen time, në parimësinë time, që të bëj gjithçka për hapësirën më të gjerë të mundshme për opozitën e vendit. Në rast se vazhdojmë nga nëntori e deri më sot, unë mund t’u rreshtoj me fakte të pakundërshtueshme qëndrimin tonë përfshirës e bashkëpunues me opozitën. Ju duhet ta dini se është punuar 5 muaj, e ndoshta më shumë, për ligjin zgjedhor, janë adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të gjitha adresimet janë bërë vetëm e vetëm mbi bazën e propozimeve të opozitës dhe asnjë prej tyre nga mazhoranca. E kërkuan këtë në fillim, nuk e vendosëm në marrëveshje, por ne e respektuam. Opozita për vite, kërkoi heqjen e imunitetit me ndryshim Kushtetute. Ishte mazhoranca, bazuar në një ekspertizë Komisionit të Venecias, që mendonte se duhet hequr duke ndryshuar ligjin me 3/5-ta dhe ne u pajtuam me propozimin e saj. Nuk po ndalem këtu në momente të tjera, por absolutisht, në çdo rast, ne kemi bërë çdo gjë për të arritur marrëveshje.

Por ka disa gjëra që janë themelore, të cilat nëse shkelen, dëmtohet vendi dhe rendi kushtetues dhe këto nuk mund të bëhen. Për të tjerat ne qëndrojmë të hapur tërësisht. Ky është qëndrimi ynë i hapur ndaj opozitës.

Pyetje: Zoti Kryeministër, cila ishte ndjesia që patët kur mësuat që, në momentin që Shqipëria merrte statusin e kandidatit, një ish i burgosur politik, në grevë, i vuri flakën vetes dhe a është ky një moment që ju të rishihni edhe njëherë qëndrimin tuaj dhe të ri- negocioni me ta?

Kryeministri Berisha: Në momentin që mora lajmin se Komisioni u rekomandoi vendeve anëtare, Shqipërinë, për dhënien e statusit, ishte moment i rëndësishëm dhe ishte vendim historik që komisioni ka marrë. Për këtë, unë i shpreh mirënjohjen më të thellë.

Së dyti, duhet të dini një gjë; jo një i vuajtur në burgjet e diktaturës, por lëndimi, vuajtja e sakrifica e çdo njeriu, më lëndon thellë. Gjëja e parë që kam bërë, ka qenë kërkesa ndaj ministrit të Shëndetësisë që të tregohet përkujdesi maksimal për të. Ky është qëndrimi ynë. Unë dua të them këtu se sigurimi i grevës dhe i kushteve të saj, në rastin e dytë, ka qenë jo në lartësinë e duhur dhe duhet të nxirren përgjegjësitë. Në rastin e djegies së parë, ai që i vuri zjarrin shokut të tij të grevës, është një kriminel që duhet të përballet me të gjithë rreptësinë e ligjeve. Rasti i dytë, duhej të mbrohej. Ka pasur një shkelje mbrëmë dhe është futur në mjediset e grevës benzinë bashkë me ujin, çka nuk do të mund të ndodhë më.

Tani, meqenëse më shtron këtë pyetje, për ju e për shqiptarët, unë do të jap këtë përgjigje; Që nga dita e themelimit të PD-së, në axhendën e saj më të parë ka qenë lirimi i të burgosurve, dhe më pas, në pushtet, mbështetja e tyre. Sigurisht, në një vend si Shqipëria që niste këtë rrugë me standardin 204 dollarë për frymë, mundësitë ishin të kufizuara. Por standardet që ne vendosëm në qëndrimin ndaj të persekutuarve dhe të dënuarve, ishin më të gjëra e më të larta se në çdo vend tjetër të Evropës. Për këtë kemi bërë mirë sepse ata e meritonin plotësisht. Më lejonin t’ju bëj me dije se dëmshpërblimi për ditën e burgut është vlerësuar me 18.6 dollarë. Po të pyesni prindërit tuaj, në qëoftë se ata jetojnë në fshat, do t’u tregojnë juve se në atë kohë, ata shpërbleheshin me kursin zyrtar për ditën e punës tek 30 cent, por me kursin real, pothuaj 10 herë më pak. Në qoftë se prindërit tuaj punonin në uzinat e vendit, ata shpërbleheshin me kursin zyrtar 30 -40 dollarë në muaj, por me kursin real duhet ta pjesëtosh për dhjetë. E kështu me radhë. Por ne për të përndjekurit kemi vendosur këtë normë dhe ata e meritojnë plotësisht.

Gjatë qeverisjes sonë të parë dhe kësaj qeverisjeje, ne jemi përpjekur të bëjmë këto; Kësaj shtrese të stërvuajtur ne u kemi disbursuar mbi 100 milionë dollarë lekë, si dhe lekë privatizimi, të cilat kanë pasur vlerë identike me lekun. Krahas këtyre, u kemi dhënë në mënyrën më të merituar 2000 apartamente banimi dhe ndoshta edhe më shumë dhe nga këto, asnjë nga qeveria socialiste. Edhe nga lekët e privatizimit, as edhe një i vetëm nuk është dhënë nga qeveria socialiste. U krijua një distancë 8 vjeçare ku ata u lanë në fatin e tyre. Vazhdojmë edhe më tutje;  në qeverisjen e para dhe gjatë këtyre viteve, 20 mijë vajza e djem të kësaj shtrese, kanë marrë bursa ose u janë paguar shpenzimet e universiteteve dhe vazhdojnë edhe sot. Së fundi, për sa u përket lekëve të privatizimit që unë fola më parë, një pjesë e tyre, rreth 700 milionë lekë, janë përdorur për aksione, kurse 3.8 miliardë janë përdorur për të blerë me çmime simbolike, 2763 sipërmarrje, ndër to fabrika e ndërmarrje nga më të ndryshme, të atij standardi që ekzistonin. Le të marrim rastin e zotit Ndreca, të cilit unë i uroj shërim të shpejtë; ka marrë fabrikën e miellit në Laç, ka marrë kredi të butë me ndërmjetësim për fermën e derrave. Fabrikën, ka marrë kredi, nuk ka paguar dot bankën dhe banka ia ka marrë. Pra, unë nuk them se këtu nuk ka të vërteta të hidhura, por besoj se shoqëria shqiptare, nëpërmjet kësaj mazhorance dhe qeverisjes së parë, në mënyrë dinjitoze i ka qëndruar këtij problemi dhe do t’i qëndrojë. Greva ka aspekt politik, por absolutisht ajo do të respektohet dhe gjëja që do të bëhet është se ata do të sigurohen më mirë, sepse siguria e tyre duhet të garantohet. Protesta e tyre është mirëfilltas politike, por kjo është një zgjidhje e tyre të cilën unë e respektoj.

Ambasadori Sequi: Dëshiroj të them dhe diçka dhe do t’i kthehemi edhe përgjigjes sime të mëparshme, e cila ishte tepër e qartë; unë kam besim se këto reforma janë afër përfundimit dhe se, ashtu siç e tha edhe Komisioneri Fyle në konferencën e tij në Bruksel, e rëndësishme është miratimi i këtyre reformave. Por këtu kemi edhe një fjalë tjetër, e cila është tejet e rëndësishme për mendimin tim, që ka të bëjë me zbatimin, pra është fjala zbatim. Komisioni dëshiron të shikojë zbatimin e reformave, zbatimin ligjeve.

Për sa i përket pyetjes suaj të mëparshme, dëshiroj të shtoj diçka shkurtimisht. Unë dje kam shkuar e kam vizituar grevistin i cili ishte shtruar në spital, që t’i shprehja nga ana ime, por po ashtu edhe nga ana e kolegëve të mi të Brukselit, ndjenjat e mia për këtë tragjedi, sepse e tillë është dhe dëshiroj që t’i referohem edhe deklaratës për shtyp që ka bërë edhe zëdhënësi i Komisionerit Fyle.   


10/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›