Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për zbatimin e Programit për zhvillimin e lidershipit

U zhvillua sot, në mjediset e Kryeministrisë, ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), i cili shënon fillimin e zbatimit të një Programi për zhvillimin e lidershipit. Ky program synon t’u ofrojë profesionistëve të rinj shqiptarë mundësinë për të krijuar përvoja konkrete në nivelet më të larta të drejtimit në sektorin e administratës publike.
Kryeministri Berisha dhe Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), zoti Michael Granoff, bënë për të pranishmit një prezantim të Programit të ri të bashkëpunimit, i cili synon të krijojë mundësi të reja për rritje kapacitetesh nëpërmjet përvojave konkrete, afat-gjata të trajnimit në sektorin publik në Shqipëri.
Kryeministri u shpreh se programi përmban në vetvete një investim të rëndësishëm në resurset më të çmuara, resurset njerëzore.
Duke falënderuar Kryetarin e Bordit të Fondacionit, zotin Michael Granoff dhe të gjithë anëtarët e bordit që bënë të mundur fillimin e këtij programi, Kryeministri shprehu bindjen se programi do të ketë një impakt shumë pozitiv në përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e një administrate të aftë, për evidentimin e një lidershipi që do të çojë përpara interesat evropiane të vendit.
* * *
Koncepti i Programit për Zhvillimin e Lidershipit është bazuar në një nga programet më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për lidershipin dhe administratën publike: Programi i Shtëpisë së Bardhë për Lidershipin (White House Fellows Program). Për rreth 50 vjet, Programi në Shtetet e Bashkuara ka shërbyer për identifikimin dhe promovimin e liderëve të së ardhmes, midis të cilëve edhe Kolin Pauell (Colin Powel) dhe Uesli Klark (Wesley Clark).
Programi synon të krijojë mundësi të reja për rritje kapacitetesh nëpërmjet përvojave konkrete, afat-gjata të trajnimit në sektorin publik në Shqipëri. Për kandidatët e shkëlqyer, të përzgjedhur nëpërmjet një procesi konkurrues dhe rigoroz, do të ofrohet mundësia per të punuar në stafet drejtuese të institucioneve qeveritare për një vit të plotë. Gjatë këtij viti, pjesëmarrësit në program do të punojnë me kohë të plotë nën drejtimin e zyrtarëve më të lartë qeveritarë dhe do të kenë mundësi të mësojnë për funksionimin e brendshëm dhe me jashtë të qeverisjes dhe për sfidat, me të cilat përballen instituionet qeveritare në punën e tyre. Me talentet dhe aftësitë e tyre pjesëmarrësit në program do të kenë mundësinë të kontribuojnë në veprimtaritë e institucioneve, ku do të punojnë gjatë vitit të programit.
Në vitin e parë të zbatimit, Programi për Zhvillimin e Lidershipit do të përzgjedhë deri në 5 individë për t’i vendosur në pozicione te larta qeveritare. Në vitet pasuese, Programi parashikon ta rrisë këtë numër deri në tetë pjesëmarrës çdo vit. Përvoja e punës për pjesëmarrësit do të pasurohet me një komponent edukimi, tek i cili tema të tilla si integrimi Evropian, politikat publike, vendimmarrja, politika e jashtme dhe lidershipi do të trajtohen nëpërmjet një serie seminaresh dhe veprimtarish ndërvepruese.
AADF do të administrojë Programin në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Kryeministrit. AADF do të formojë një komision të posaçëm, i cili do të analizojë aplikimet dhe do të përzgjedhë kandidatët më të kualifikuar për t’u përfshirë në program. Procesi i përzgjedhjes do të jetë transparent dhe shumë konkurrues. Thirrja për aplikimet e para pritet të shpallet në pranverën e vitit 2013.
* * *
Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Berisha u shpreh:
Sot, Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondi Shqiptaro- Amerikan firmosën fillimin e një programi të ri bashkëpunimi, program i cili përmban në vetvete një investim të rëndësishëm në resurset më të çmuara, resurset njerëzore.
Ky program parashikon vendosjen e një praktike të re të trajnimit apo të punës në institucionet kryesore të vendit, të vajzave, djemve, burrave dhe grave të shquara që do të përzgjidhen nga një bord i pavarur dhe do të vijnë si praktikantë për periudha 1 vjeçare në zyrat e Këshillit të Ministrave dhe të ministrive të tjera.
Ky program është një huazim i programit të Shtëpisë së Bardhë nëpër të cilin kanë kaluar lider të shquar, siç kanë qenë Sekretari Shtetit Colin Powel dhe gjenerali Wesley Clark, dy miq të shquar të kombit shqiptar dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë të administratës së SHBA-ve.
Programi synon që në këtë bashkëpunim të edukohen lider të rinj për sektorë të ndryshëm të jetës së vendit. Është investim i fondit prej 1 milion e 823 mijë e 867 dollarë. Ndaj dhe është një rast për ta falënderuar drejtorin e Fondit zotin, Michael Granoff dhe të gjithë anëtarët e bordit që bënë të mundur fillimin e këtij programi, i cili jam i bindur do të ketë një impakt shumë pozitiv në përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e një administrate të aftë, për evidentimin e një lidershipi që do të çojë përpara interesat politike, interesat evropiane të vendit.
I bindur se do të jetë një histori e vërtetë suksesi dëshiroj ti jap fjalën Presidentit të Fondit shqiptaro-amerikan të Ndërmarrjeve, zotit Michael Granoff.
Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) Michael Granoff: Zoti kryeministër, unë dëshiroj tu falënderoj për hyrjen mjaft të ngrohtë dhe gjithashtu edhe për pjesëmarrjen tuaj në këto përpjekje.
Në fakt ky është një shembull i shkëlqyer i asaj çka mund të bëjë shoqëria dhe asaj çka mund të bëjë komuniteti. Më lejoni tu tregoj diçka se nga erdhi kjo ide. Në fakt një nga synimet kryesore të Fondacionit është që të sjellë më të mirën e botës në Shqipëri dhe më të mirën e ShBA-ve në vend. Dhe ashtu siç e përmendi zoti kryeministër, ky është një program, i cili e ka origjinën nga programi origjinal i Shtëpisë së Bardhë, Programi për Zhvillimin e Lidershipit dhe në fakt në 25 apo 30 vitet e fundit është ky program që u ka dhënë mundësinë për trajnim të gjithë atyre personave, të cilët më në fund kanë punuar në nivelet më të larta të qeverisjes dhe të drejtimit.
Me aq sa unë di kjo nuk është një gjë që ndodh në pjesët e tjera të botës. Ashtu siç u përmend ne jemi këtu për të patur një program, i cili do të trajnojë jo domosdoshmërisht klasën e ardhshme politike, por një brez të ardhshëm, i cili do të dijë ta drejtojë vendin.
Kjo është një ide unike dhe është e ndryshme nga programe të tjera arsimi apo formimi, siç mund të jenë programe të nivelit master apo programe bursash apo biznesi. Ky është një program unik, i cili do të kërkojë një bashkëpunim në nivelin më të lartë sepse këta persona që do të përzgjidhen, do të punojnë në nivelet më të larta.
Shpresoj, ashtu si unë dhe zoti kryeministër që vite më pas kur të ulemi në takime të tilla të jemi të rrethuar nga këta persona të cilët punojnë për një qeveri që do të funksionojë dhe do të punojë për njerëzit.
Ky është synimi ynë, e sotmja përbën një hap shumë të rëndësishëm në këtë aspekt.
10/10/2012