E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Gjakovë: Përulem me nderimin më të madh para këtij qyteti, i cili në çdo kohë qëndroi si kështjellë e pamposhtur e shpirtit tonë kombëtar, e shqiptarizmit

Pas takimit të zhvilluar në Kuvendin Komunal të Gjakovës, Kryeministri Berisha, i shoqëruar në këtë vizitë nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha iu drejtua qendrës së qytetit të Gjakovës për të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së heroit kombëtar Ali Ibër Nezaj, e cila zhvillohet në kuadrin e kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë.

Së bashku me Presidenten e Kosovës, zonjën Ahtifete Jahjaga, drejtues dhe përfaqësuesit të pushtetit vendor, deputetë të parlamentit të Kosovës dhe të Shqipërisë, ministra nga të dy kabinetet, etj, Kryeministri Berisha përshkoi në këmbë rrugën drejt qendrës së qytetit, ku u përshëndet nga qindra qytetarë të mbledhur me këtë rast nga Gjakova dhe komunat përreth, të cilët në një atmosferë festive i uruan kryeministrit Berisha mirëseardhjen.

I ftuar nga autoritetet vendore, Kryeministri Berisha iu adresua të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse, ku shprehu mirënjohjen dhe ndjenjat miqësore për qytetarët e Gjakovës, për  bujarinë dhe mikpritjen tradicionale të tyre. “Ju garantoj se kurrëkund në botë, nuk ndjehem më shumë tek vetja ime, sesa tek ky qytet, qyteti juaj i mrekullueshëm.” u shpreh për ta kryeministri Berisha.

Duke nderuar  figurën e shquar të patriotit Ali Ibër Nezaj, kryeministri e vlerësoi atë “si një nga komandantët më legjendarë, të kryengjarjes kombëtare, Lidhjes së Prizrenit që së bashku me udhëheqës të tjerë të gjitha trojeve etnike shqiptare u mblodhën në Prizren në një vendim sublim dhe bashkuan për herë të parë në historinë  e tij kombin shqiptar në ideale, në shpirt dhe në përpjekjet për dinjitet dhe të ardhme.”

Kryeministri tha se merita e këtyre burrave të shquar të kombit shqiptar ishte se ndezën flakën e pashuar të bashkimit kombëtar dhe të përjetësisë së kombit shqiptar. “Sot më shumë se kurrë apeli i këtyre burrave është frymëzues dhe i fuqishëm, ndaj dhe zotohemi para tyre që të punojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj për bashkimin tonë përfundimtar me Evropën e bashkuar, për prosperitetin dhe të ardhmen tonë të ndritur.”

Me respekt dhe mirënjohje për qytetarët e Gjakovës, kryeministri Berisha u shpreh:

E nderuar zonja Presidente e Republikës së Kosovës, zonja Ahtifete Jahjaga,

I nderuar kryetar i Komunës së Gjakovës, zoti Pal Lekaj,

Lartësia Juaj, Princi Leka i II-të, Princi i kombit shqiptar,

Të nderuar ambasadorë,

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Gjakovës, përshëndetjet e mija më të përzemërta,

Teksa po ngjisja shkallët  e komunës, një qytetar më tha: “Mirëserdhe në komunën tënde. Ju garantoj se kurrkund në botë, nuk ndjehem më shumë tek vetja ime, sesa tek ky qytet, qyteti juaj i mrekullueshëm.

Ndaj dhe dua të përulem me nderim të madh, para secilit prej jush, të falënderoj me mirënjohje kryetarin tuaj të komunës, zotin Pal Lekaj për ftesën dhe nderin që më bëri. Të shpreh kënaqësinë që sot nderojmë së bashku njërin prej burrave më të shquar të Kosovës dhe të shqiptarëve, një nga komandantët më legjendarë, të kryengjarjes sonë kombëtare, Lidhjes së Prizrenit, Ali Ibër Nezën.

Ndaj dhe le të shprehim ne nderimin tonë më të madh për këtë burrë të shquar, i cili së bashku me udhëheqës të tjerë të të gjitha trojeve etnike shqiptare u mblodhën në Prizren në një vendim sublim për ti dalë zot kombit, për tu dalë zot trojeve shqiptare dhe bashkuan për herë të parë në historinë  e tij kombin shqiptar në ideale, në shpirt dhe në përpjekjet dinjitet dhe të ardhme. Një nderim dua ti shpreh familjes Neza, e cila iu dha shqiptarëve një burrë të madh si Ali Ibra në traditën re shkëlqyer të burrave të saj atdhetarë.

Qytetarë dhe qytetare te Gjakovës,

Sot ne nderojmë burrin që në krye të forcave të Lidhjes së Prizrenit, së bashku me Sulejman Vokshin, do tu kundërvihej të gjitha fuqive të botës që synonin të copëtonin Shqipërinë dhe shqiptarët. Ata në dy vite përpjekje legjendare, natyrisht nuk realizuan imediatisht qëllimet e tyre, por ndezën flakën e pashuar të bashkimit kombëtar, flakën e përjetësisë së kombit shqiptar, flakën që do ti çojë shqiptarët drejt horizonteve të shkëlqyera të historisë së tyre. Sot më shumë se kurrë apeli i këtyre burrave është frymëzues dhe i fuqishëm, ndaj dhe zotohemi para tyre që të punojmë çdo ditë, çdo javë ,çdo muaj për bashkimin tonë përfundimtar me Evropën e bashkuar , për prosperitetin dhe të ardhmen tonë të ndritur.

Edhe njëherë ju përshëndes vëllazërisht dhe përulem me nderimin më të madh para këtij qyteti që në çdo gjë, në çdo kohë qëndroi si kështjellë e pamposhtur e shpirtit tonë kombëtar, e shqiptarizmit.


12/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›