E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallen të pafajshëm 3 komisionerët e PS-së

01/07/2010 Nga Apeli, braktisën procesin e votimit

SHKODER- Tre komisionerët socialistë të fshatit Juban të komunës Guri i Zi, rrethi Shkodër, janë shpallur sot të pafajshëm nga Gjykata e Apelit Shkodër, e cila ka rrëzuar kështu vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit. Gjatë seancës së djeshme, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatës Fuat Vjerdha dhe anëtarë Luan Dervishi e Musda Halili, dëgjoi edhe një herë pretendimet e akuzës, e cila herën e kaluar kërkoi më shumë kohë për plotësimin e dosjes. Edhe këtë herë dosja e akuzës nuk kishte ndonjë provë të veçantë, por përsëri u kërkua lënia e vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër, e cila shpallte fajtorë për braktisjen e qendrës së votimit komisionerët socialistë Edmond Pjetra, Pjetër Lazri dhe Aurel Hila. Nga ana e saj, mbrojtja e komisionerëve kërkoi sërish rrëzimin e vendimit të shkallës së parë të gjyqësorit si të padrejtë, pasi tre komisionerët socialistë nuk kishin kryer asnjë veprim në kundërshtim me ligjin. Në fund të seancës trupi gjykues rrëzoi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër dhe shpalli të pafajshëm të tre komisionerët socialistë. Në seancë ishte i pranishëm dhe deputeti i PS-së, Astrit Beci, i cili më pas u shpreh për mediat: “Sot komisionerët tanë morën pafajësinë dhe i uroj, por në të njëjtën kohë mendoj se është koha që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të reflektojë për këtë kallëzim të rremë, i cili nuk bëri gjë tjetër përveçse tregoi pavlefshmërinë e procesit zgjedhor në zonën në fjalë.” Tre komisionerët e PS-së, Edmond Pjetra, Pjetër Lazri dhe Aurel Hila patën ngritur pretendimin në komisionin e qendrës së votimit 0342 në fshatin Juban, se ishin 27 fletë votimi më shumë se numri i zgjedhësve. Pas këtij pretendimi, të tre kanë ndërprerë për 2 orë procesin e votimit. Njëkohësisht kanë njoftuar KZAZ-në, duke kërkuar dhe mbylljen e votimit në këtë qendër. Kërkesa e tyre është refuzuar, ndaj ata janë larguar nga qendra e votimit së bashku me vulën e kryetarit të komisionit të qendrës. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›