E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta: Nuk është Fatbardh Hoxha përdhunuesi

01/07/2010 Banorët e fshatit ku ndodhi dhunimi i 9-vjeçares: Lirojeni, është i pafajshëm

FIER- Arrestimi i 19-vjeçarit Fatbardh Hoxha është shoqëruar me zhvillime të shumta në Kolonjë. Pas mohimit që bënë familjarët dhe kundërshtimit të tyre për arrestimin, dje kanë qenë banorët e fshatit ata që kanë protestuar duke kërkuar drejtësi. Me dhjetëra banorë kanë dalë në mbrojtje të djalit të ri, duke pretenduar se ai është i pafajshëm, ndërsa kanë deklaruar se i riu ka qenë në shtëpi në momentin e ngjarjes. Banorët madje kanë thënë se Fatbardhi u detyrua të heshtte ndaj këtij arrestimi, pasi ndaj tij u ushtrua dhunë nga policia.

Protesta

“Kërkojmë që të vihet në vend drejtësia. Kanë arrestuar një të pafajshëm. Kanë arrestuar dhe kanë njollosur emrin e djalit më të mirë të fshatit tonë. Jemi të bindur që ai nuk është fajtor, sepse Fatbardhi është kthyer në shtëpi në orën 13.00 dhe më pas ka pirë kafe në ballkonin e shtëpisë së tij deri në orën 17.00 të pasdites. E kemi parë vetë. Le të na marrë në pyetje policia që t’ia themi këto që kemi parë. Ai është arrestuar pa asnjë fakt. Duhet të gjendet fajtori i vërtetë. Djali është arrestuar, sepse policisë i duhej një emër dhe një autor për ngjarjen, duke qenë se gabuan me arrestimin e parë”, ka deklaruar Nazmi Lami, një nga banorët protestues. Ndërkohë banorët kanë shkuar edhe më tej, duke deklaruar se po të jetë ashtu siç thotë policia, atëherë do të jetë vetë ky fshat që do ta dënojë. “Nëse ai është fajtor, do ta dënojmë ne si fshat, por duhet të vihet drejtësi, jo të merret djali pa faj në burg”, kanë vijuar ata. Protesta është zhvilluar përpara godinës së komunës Kolonjë. Kjo ka bërë që edhe kryetari i komunës, Jakup Beqiri, të përfshihet në këtë protestë. Ai u ka kërkuar banorëve protestues të ruajnë qetësinë. “Ju lutem të jeni të qetë dhe t’i lini kohë policisë të hetojë me saktësi këtë ngjarje të rëndë. Tashmë të gjithë ju duhet të jeni të kujdesshëm në çdo deklaratë që bëni, pasi krijimi i alibive të shumta nuk bën gjë tjetër veçse pengon hetimet”, ka vijuar Beqiri. Protesta ka vijuar më shumë se dy orë, ndërsa banorët kanë deklaruar se do t’i përshkallëzojnë këto protestat, nëse nuk merren masa dhe nuk çohet në vend drejtësia. Ata kanë deklaruar se janë gati të nisin një tjetër protestë përpara komisariatit të policisë. Ndërkohë 19-vjeçari ndodhet në dhomën e paraburgimit në Lushnjë.

Policia

Ndërkohë vetë policia nga ana e saj ka deklaruar se nuk ka asnjë mundësi që të bazohen tek fjalët e banorëve, të cilat nuk kanë asnjë mënyrë të provohen. “Ne do të bazohemi te ligji i hetimit dhe do të zbatojmë vetëm ligjin. Banorët të jenë të sigurt që nuk do të ketë asnjë cenim, siç pretendohet, të të drejtave të djalit të ri. Nuk mund të bazohemi vetëm në fjalë. Vajza na ka bërë përshkrimin dhe më pas e ka njohur djalin nëpërmjet fotos që i kemi servirur. Ne jemi në pritje edhe që të bëhet ADN-ja e vajzës dhe kjo do të na jepte sigurinë e autorit”. Këto kanë qenë deklarimet e bëra nga ana e policisë së Lushnjës. Në të vërtetë edhe banorët këtë kanë kërkuar: që të bëhen ekzaminimet përkatëse si të djalit ashtu edhe të vajzës. Momentalisht 9-vjeçarja ka dalë nga spitali dhe është nën kujdesin e mjekëve, pasi gjendja e saj shëndetësore nuk është përmirësuar ende.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›