Inceneratorët, Basha thirrje SPAK të veprojë: Qeveria mund të shkatërrojë prova!

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri thirrje SPAK-ut të veprojë në zbardhjen e aferës së inceneratorëve.
Basha tha se prokurorët duhet të kishin shkuar në sallën e Komisionit Hetimor e të shpallnin të pandehur disa zyrtarë aty, pasi sipas tij, në këto momente mund të jenë duke prishur provat, duke intimiduar apo duke ndihmuar të përfshirët të largohen nga vendi. “ E vetmja rrugë për t’i frenuar është që drejtësia të bëjë punën e vet”, tha Basha.
“Sot, njerëzit më të afërt të tij, janë në arrati. Ai ju jep imunitet. Edi Rama e di mirë se nëse drejtësia e merr këtë punë kolosale të komisionit të Tabakut dhe e kthen në ndjekje, kjo do të shembë ngrehinën 30-vjecare të korrupsionit shqiptar. Të kthesh mbrapsht makinat që nisen për të arrestuar zyrtarët e lartë, në mes të natës, ky është problem i jashtëzakonshëm. Prandaj, thirrja që bëra ishte e qartë se kemi nevojë të jemi njerëz në radhë të parë, pastaj politikanë. Si njerëz e kuptojmë se dhe ata të SPAK janë njerëz, prindër, bashkëshortë, dhe të gjendur në presion direkt nga Edi Rama apo të dërguarit e tij, padiskutim që janë në pozita të pabarabarta. Janë kërcënuar drejtpërdrejt nga një qeveri e kapur në vjedhje, ndaj dhe ata duhet të kenë mbështetjen e plotë të qytetarëve. 4.2 milionë qytetarë të Shqipërisë duhet t’u japin mbështetjen prokurorëve të SPAK. Mbështetja ime nuk është thjesht si qytetar, por si kryetar i PD.
Edhe faktori ndërkombëtar iu ka thënë se kanë mbështetjen e tyre, të mos përzihen në aferë, të mos tuten, sepse kanë mbështetjen e tyre të plotë. Ky është momenti i testit për ata, për SPAK. Ndaj u ndërtua kjo strukturë, për të kapur politikanët e korruptuar. Le të bëjmë një përpjekje e t’iu themi policëve e prokurorëve të heqin për një moment uniformën e të mendojnë si prindër, si qytetarë, e të shohin këtë vjedhje. BKH duhet të shkonte në sallën e komisionit hetimor e të komunikonte marrjen të pandehur të disa zyrtarëve. Në këtë moment që flasim, ata mund të jenë duke prishur prova, mund të jenë duke intimiduar, duke larguar të përfshirët. Një Zot e di se çfarë mekanizmash përdorin për të intimiduar, por e dimë si vepron mafia. Këta janë të gjithë të pushtetshëm dhe e vetmja rrugë për t’i frenuar është që drejtësia të bëjë punën e vet”, u shpreh Basha.