E Diel, 1 Nëntor 2026

Incest nëntokë për 24 vjet, me 7 fëmijë, në 60 m2...!

 

Të gjitha hollësitë e horrorit austriak. Rindërtimi i plotë i historisë së Elisabeth Fritzl, rrëmbyer nga i ati kur mbushi 18 vjeç. Tragjedia e padëgjuar e vajzë-grua-nënë që pa dritën e diellit pas 24 vjetësh…

Elisabeth Fritzl, vajza viktimë e incestit të të atit të saj monstër, Joseph Fritzl, ngjan si një e vdekur që ecën mbi dhe'. Të paktën kështu e ka përshkruar gjendjen e 42-vjeçares, policia dhe media austriake.

Vajza e mbajtur për 24 vjet në një kantinë të shtëpisë së saj nga i ati, nuk e ka parë kurrë dritën e diellit dhe vuajtjet shkruhen mbi fytyrën e saj.

Elisabeth është përdhunuar nga i ati që në moshën 11-vjeçare, është droguar dhe është mbyllur prej tij në qeli në moshën 18-vjeçare, për të mos e parë dritën e diellit për 24 vjet. E ka paguar shtrenjtë, e lidhur për muaj të tërë në një shtyllë, në këmbim të seksit ose urisë.

Në burgun e saj të nëndheshëm, Elisabeth Fritzl lindi shtatë fëmijë nëpërmjet incestit dhe nuk është lejuar të flasë me askënd, përveç të atit të saj monster dhe fëmijëve, tre prej të cilëve jetonin me të, tre të tjerë me të ëmën e saj, që nuk i shikonte prej vitesh, dhe një fëmijë që vdiq pas lindjes.

Tani e ribashkuar me të ëmën dhe tre fëmijët e tjerë, ajo duket e dërrmuar, e kërrusur, e rrudhosur dhe gri në fytyrë. Media e ka përshkruar si "një e vdekur mes të gjallëve". Pamja e saj duket më e vjetër se e të ëmës së saj 67-vjeçare.

Doktorët thonë se do ta ketë shumë të vështirë rehabilitimin. Do të duhet një sistem i mirë-organizuar fizik dhe psikik."Efekte të njëjta me të Elisabetës janë vërejtur në të mbijetuarit e Holokaustit",- thotë një doktor.

Në ekzaminimin e parë mjekësor, doktorët austriakë thanë se Fritzl kishte dhëmbë komplet të kalbur. Ajo dhe tre fëmijët e saj kanë probleme të rënda shëndetësore, mungesë të vitaminës D, anemi dhe këputje. Kerstin, e bija 19-vjeçare e Elisabeth, është ende në koma, duke luftuar për jetën.

Mungesa e vitaminës D shkakton rakit, dhe vjen nga mungesa e diellit, sëmundje kjo që gjendet shumë rrallë në ditët e sotme. Si rezultat i kësaj, kockat dobësohen dhe deformohen. Për shkak të hapësirës së vogël, dhe lëvizjeve të pakta, Fritzl ka edhe probleme në të lëvizur normalisht. "Nëse njeriu nuk i përdor muskujt ato tendosen duke limituar lëvizjet",- thotë doktori Goldman. Muskujt mund të rikuperohen por shikimi dhe dëgjimi do të jenë për shumë kohë të dobësuar.

"Nervat duhet të përdoren që të zhvillohen. P.sh., nëse sytë e njeriut mbulohen me një fashë për shumë kohë, shikimi ikën, edhe pse syri fizikisht mund të duket normal.

Doktorët shqetësohen më shumë për zhvillimin e gjuhës. Truri është një organ sensitiv dhe kërkon simulime që të zhvillohet. Fëmijët e Fritzl kanë mësuar të flasin mes tyre me hungërima dhe pasthirrma, si kafshët dhe qentë.

Por ajo që ka vuajtur më shumë është Fritzl, e cila ka qëndruar në jetën normale deri në moshën 18-vjeç.

"Trauma e Elisabetës është shumë e madhe, pasi ajo u bë rob i të atit të saj, një njeriu të cilit ajo i besonte, dhe që është shumë vështirë ta urresh".

Jeff Dolgan, psikolog në spitalin Denver, tha se s'kishte dëgjuar kurrë horror të llojit të tillë.

Uri ose seks

Josef Fritzl ka filluar abuzimin seksual me të bijën e tij, që kur ajo ishte 11 vjeç. Gjashtë vjet më vonë ai e drogon atë dhe e mbyll në bodrumin e shtëpisë.

Ai e lidh atë në një shtyllë metali dhe mban në errësirë totale, dhe shkonte te ajo vetëm për t'i çuar ushqimin ose për ta përdhunuar. Shpesh asaj i duhej të vendoste nëse do të rrinte pa ngrënë, apo do të bënte seks me të atin.

Policia thotë se mamaja e saj, Rosemaria Fritzl nuk dinte absolutisht asgjë se çfarë ndodhte në bodrumin horror të shtëpisë së saj. Fritzl i thoshte gruas së tij, me të cilën kishte edhe 6 fëmijë të tjerë, se Elisabeth kishte ikur për t'u bashkuar me një sekt fetar të satanait.

Propozimi aktual i autoriteteve austriake është që Elisabeth Fritzl dhe fëmijëve të saj prej incestit, t'u japin një identitet dhe vendndodhje të re, nën kujdesin e një grupi mjekësh. Emra të ndërruar dhe adresë të panjohur prej askujt. Madje, kreu lokal i shërbimeve sociale është shprehur se, ndërrimi i emrit mund t'u sigurohet edhe familjarëve të tjerë të babait-monstër për të zhdukur çdo gjurmë të lidhjes familjare.

Por mjekimi gjithsesi ka për të qenë i vështirë. "Do të duhen ndoshta 5 deri në 8 vjet", është shprehur Max Friedrich, psikiatri që kujdeset për një tjetër viktimë të një historie të ngjashme austriake, Natascha Kampusch.

Në këto vite tmerri, autoritetet austriake nuk kanë mundur kurrë të ngrenë dyshime lidhur me familjen e Josef Fritzl. Në një dokument të Zyrës së Asistencës Sociale të qytetit të horrorit, Amstetten, lexohet që zoti dhe zonja Fritzl, "sapo e kanë marrë veten nga shokimi i provokuar prej gjetjes në dyert e shtëpisë të një foshnjeje".

Ishte foshnje e lindur në kantinë, dhe e lënë tek dera nga Josez Fritz, bashkë me një pusullë, ku thuhej se ishte shkruar nga vajza dhe se foshnja ishte e saj, por ajo nuk mund ta rriste sepse nuk e lejonte sekti dhe ua linte nën kujdes prindërve.

Duket se edhe nëna e Elisabeth, edhe Zyra e Asistencës Sociale e kanë ngrënë gënjeshtrën. Madje në dokumentin e Asistencës, shtohet se "Flitzët janë vërtet shumë të afeksionuar pas fëmijëve".

BOX

Ato që Elisabeth ka thënë në polici...

Elisabeth ka deklaruar në polici se ka kaluar 9 vitet e para të burgut, në një dhomë të vetme. Vetëm në 1993, babai zgjeroi hyrjen, duke e rrëzuar një mur për të bashkuar ambiente të tjera. Fëmijët e Elisabeth, ishin gjithnjë të pranishëm në aktet që ajo pësonte nga i ati.

Kur rrëmbeu vajzën, Josef Fritzl e mbajti të lidhur për dy ditë. Në nëntë muajt e parë e detyroi të jetonte e lidhur me një litar që i lejonte asaj të arrinte deri në banjo, por jo më tutje.

Elisabeth Fritzl i ka thënë policisë se ajo kishte aq shumë frikë nga i ati, saqë ishte e detyruar t'i "nënshtrohej atij plotësisht".

Elisabet, duket se e ka lehtësuar pozicionin e së ëmës. Ajo i ka deklaruar policisë se në qeli, gjatë 24 viteve ka hyrë vetëm babai, por kurrë nëna e vet.

BOX

Rrëfimi i mikut të ngushtë të babait monstër

Në një intervistë ekskluzive për të përditshmen "Bild", Paul H., 69 vjeç, miku më i ngushtë i babait-monstër, ka rrëfyer se ka qenë për herë të fundit në shtëpinë e horrorit në 2005.

"U ulëm në tarracë dhe kemi kaluar një mbrëmje të këndshme", - ka thënë miku i inxhinierit pervers 73-vjeçar.

"Di që fëmijët e kishin shumë frikë, nuk besoj se ata mund të shkonin dot në atë kantinë", - ka thënë burri.

Miku bavarez ka shtuar se gruaja e Fritzl, Rosemarie, "bënte gjithmonë atë që Josef kërkonte". Kur veja për vizitë ajo na gatuante dhe na servirte. Çdo herë që binte biseda për Elisabetën, tërhiqej gjithmonë në kuzhinë, por nuk e kam parë kurrë të qante. Ishte një grua e hekurt...".

BOX

Natasha, ajo që e kupton më mirë çka ndodhur...!

Ajo që e kupton më mirë nga të gjithë çfarë ka ndodhur është ndoshta Natascha Kampusch, një tjetër viktimë rrëmbimi dhe mbajtjeje peng. Një tjetër eksperiencë e tmerrshme.

Natascha u mbajt për 8 vjet e burgosur nga një pedofil dhe historia e saj e zbuluar rreth 1 vit e pak më parë, tronditi Austrinë. Por tragjedia e saj duket kaq e vogël në krahasim me horrorin e Elisabeth. Dhe Natascha ka vendosur të bëjë një veprim sinjifikativ. Ajo ka dhuruar të gjitha paratë e fituara nga intervistat në media pas lirimit, për Elisabethën dhe fëmijët e saj.

BOX

Një plan i detajuar dhe i paramenduar…

Plani i Josef Fritzl ka qenë i detajuar dhe i paramenduar. Burri ka nisur të abuzojë me vajzën që kur kjo ka qenë 11 vjeç. Vajza ka ikur disa herë nga shtëpia, ku dhuna e të atit i ishte bërë e padurueshme dhe ku nëna me sa duket nuk kuptonte, ose bënte sikur nuk kuptonte asgjë.

Elisabeth është arratisur nga shtëpia njëherë para se të mbushte 18 vjeç. Është rikthyer në shtëpi pas disa ditësh. Më pas ka nisur të punojë në një fast-food. Disa muaj më pas, u largua sërish nga shtëpia. Ndërkohë, i ati po vinte në jetë planin e tij. Po ndërtonte kantinën-burg: portë e blinduar e fshehur pas një muri fals dhe e komanduar nga një kod sekret, asnjë dritare, muret të veshur për të eliminuar zhurmat. 9 vitet e para të burgimit, vetëm një dhomë e vogël dhe një banjo. Më pas, dy dhomëza të tjera. 60 metra katrorë e gjitha. Objektet e vetme: një radio, një televizor dhe një video-regjistrator.

Elisabeth përfundoi aty kur ishte 18 vjeç, menjëherë sapo u kthye nga arratia e saj e fundit. U prangos dhe u drogua nga i ati. Vetë ky, denoncoi më pas në polici zhdukjen e saj. E kishte të lehtë ta bindte policinë, për shkak se vajza kishte ikur nga shtëpia edhe herë të tjera. Një plan perfekt në egërsinë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›