Pater Harapi në kujtimet e Ministrit Neubacher
Kujtimet e rralla të të plotfuqishmit të Ministrisë së Jashtme naziste Hermann Neubacher. Me rastin e 120-vjetorit të lindjes së At Anton Harapit, kol. Sandër Lleshi për herë të parë i jep publikut një grumbull faktesh që hedhin dritë për angazhimin politik të pater Harapit në Këshillin e Regjencës
Si reagim ndaj lutjes së famshme për Shqipërinë të Papa Gjon Palit II në një njoftim të Agjencisë Telegrafike Shqiptare të datës 10.10.1980, në orën 09.55, transmetuar në gjuhën angleze thuhet:
"Në Shqipëri feja e ka humbur betejën në fushën ideologjike dhe shpirtërore një herë e përgjithmonë. Për këtë arsye lotët e krokodilit janë pritur në një mënyrë krejt tjetër nga ajo që ka shpresuar monarku i Vatikanit. Nëse Papët e Romës vazhdojnë të mbrojnë një klerik të dënuar prej gjyqit të popullit tonë sepse ai ka qenë një agjent apo bashkëpunëtor i pushtuesve fashistë dhe nazistë, ne do të thoshim së kjo i diskrediton ata edhe me shumë. ...Pater Anton Harapi e të tjerët si puna e tij, duke ndjekur shembullin e Papa Pius XII, i cili u dha bekimin e tij Duçes dhe Hitlerit, e vunë veten e tyre në shërbim të pushtuesve të huaj dhe ata nuk mund të kenë asnjë ndryshim prej të gjithë bashkëpunëtorëve të pushtuesve në Shqipëri."
Kështu edhe në vitin 1980, disa dekada pasi e kishte lënë edhe pa një varr, diktatura komuniste nuk e konsideronte të mbylluar luftën me Pater Anton Harapin, ndonëse pohonte së betejën me fenë e kishte fituar ndërkohë. Por si është e mundur kjo?
Duke studiuar për historinë e Luftës së Dytë Botërore para disa vitesh ndesha disa dëshmi shumë interesante lidhur me Shqipërinë, por dhe për Pater Anton Harapin në një libër të shkruar nga Hermann Neubacher me titull "Misioni i posaçëm Juglindja, 1940 – 1945. Raport i një diplomati fluturues", botuar në Göttingen në vitin 1956.
Hermann Neubacher është lindur në Ëels të Austrisë së Epërme me 24 qershor të vitit 1893. Me fillimin e lëvizjes nacional-socialiste në Gjermani në vitet 30-të u angazhua politikisht duke luajtur një rol të rëndësishëm edhe në bashkimin e Austrisë me Gjermaninë naziste, pas të cilit në vitin 1938 u bë menjëhere Kryetar i Bashkisë së Vjenës. Në vitin 1943 e deri në fund të luftës misioni i tij zgjerohet edhe me kompetencën e të plotfuqishmit të Ministrisë së Jashtme gjermane për Juglindjen. Në vitin 1951 u dënua me 20 vjet burg në Jugosllavi, prej nga u lirua në vitin 1952 për shkak të një sëmundje të rëndë. Në vitet 1954 deri në 1956 ishte i ngarkuar me misionin e këshilltarit për ndërtimin e administratës së Etiopisë.
Hermann Neubacher përfaqësonte figurën qendrore politike të ngarkuar me manaxhimin politik të Europës Juglindore i cili ishte pajisur me kompetenca të plota politike dhe diplomatike. Me shumë rëndësi kanë memuaret e tij, të cilat kanë hedhur dritë mbi një nga frontet e rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore, frontin ku kjo luftë shfaqi dukshëm karakterin partizan të saj. Vepra e Hermann Neubacher përfaqëson një dokument me rëndësi të dorës së parë për të gjithë ata që interesohen për historinë e Luftës së Dytë Botërore në teatrin e Europës Juglindore. Një konkluzion interesant jepej në revistën angleze International Affairs të vitit 1958 në recensionin e librit të Neubacher-it nga R.G. D. Laffan:
"Ky libër i shkurtër kujtimesh me vlerë dhe pa shumë pretendime është një vepër e shkëlqyeshme për lexim. Dr. Neubacher, Kryetari i dikurshëm i Bashkisë së Vjenës, ishte dërguar në Bukuresht në vitin 1941 për tu kujdesur që nafta rumune të mbërrinte në Gjermani. Atëhere kur problemet gjermane në Ballkan u rritën, sfera e aktivitetit të tij u zgjerua shumë saqë në vitin 1943 ai u emërua "I Dërguari i Plotfuqishëm dhe i Posaçëm i Ministrisë së Jashtme për Juglindjen" dhe ishte vazhdimisht në fluturim midis Beogradit, Athinës, Tiranës, Cetinës, Berlinit dhe Kuartierit të Përgjithshëm të Hitlerit...
Ndër shumë pasazhe tërheqesë janë dhe ato për shqiptarët të cilët ai i quan diku si "sympatische Räuber". Dhe në mes të vlerësimeve për njerëzit e virtytshëm më prekësi është ai për Pater Harapin, provincialin e martirizuar të françeskanëve të Shkodrës.
He must be a good fellow".
Sejcili është i lutur të marrë parasysh faktin së Neubacher-i i shkroi kujtimet e tij pa ndonjë shpresë së ato do të gjenin ndonjë rrugë për në Shqipërinë e hermetizuar prej totalitarizmit komunist. Tani le t'i kthehemi dëshmisë së Neubacher.
Shqipëria në vitin 1943
Hitleri në përgjithësi kishte një ndjeshmëri jo të spikatur lidhur me rolin strategjik të Ballkanit në kuadër të Luftës së Dytë Botërore dhe e kishte lënë atë si sferë të ndikimit italian. Po në këtë optikë ai e kishte toleruar në heshtje edhe pushtimin italian në Shqipëri. Në përgjithësi rritja e angazhimit gjerman në Ballkan ishte në përpjestim të drejtë me dështimet italianë atje. Kështu që në momentin e kapitullimit të Italisë trupat gjermane u futën në Shqipëri për të plotësuar vakuumin e krijuar në këtë rajon me rëndësi të konsiderueshme strategjike në një moment kur ekzistonte mundësia e një zbarkimi anglo-amerikan, zbarkim i cili do të shkëpuste lidhjen mes trupave gjermane të dislokuara në Greqi me ato të vendosura në Jugosllavi në kushte kur Bullgaria e Rumania po tentonin drejt ndërrimit të frontit për në anën e aleatëve.
Menjëhere pas kapitullimit të Italisë në shtator të vitit 1943, Neubacher-i shkruan në librin e tij së "Ribbentrop-i më thirri në Beograd e më komunikoi së Führer-i dëshirontë "nji Shqipni të pamvarun, që lind prej nji nisme të mbrendshme"; unë duhej që të nesërmen më 11 Shtator t'i bashkohesha divizionit gjerman në Elbasan. Një avion i posaçëm do të më sillte edhe nji referent, njohës të vendit e të gjuhes, i cili do të më shoqnonte mue në Shqipni. Mue më duhej të marshoja bashkë me divizionin për në Tiranë dhe të kryeja misionin tim.
Neubacher-i përshkruan me një precizion të lakmueshëm ecurinë e ngjarjeve në Ballkan, e në këtë kuadër edhe në Shqipëri, duke mos u mjaftuar me rreshtimin e fakteve më të rëndësishme, por duke bërë dhe analiza shumë të plota të tyre. Krahas ngjarjeve, ai u kushton rëndësi dhe personazheve kryesorë të librit të tij. Siç dhe u citua më sipër në vlersimin e recensionit të International Affairs, vlerësimet për Pater Anton Harapin janë ndër më të ndjerat. Ndonëse Neubacher-i trajton në librin e tij figura nga më të ndryshmet si Anton Harapi, Mehdi bej Frashëri, Xhaferr Deva apo Dragoljub (Draa) Mihajlovi-i etj. dozat e simpatisë së tij nuk janë në përpjestim të drejtë me gatishmërinë e personazheve në fjalë për të shërbyer apo për të bashkëpunuar me autoritetet gjermane. Në një kohë kur Neubacher-i dërrmon me penën e tij edhe ata që ishin të rekrutuar si njerëz të shërbimit sekret gjerman nga radhët e personazheve të tij, ballkanas e shqiptarë, ai gjen fjalët e nderimit më të lartë për të përshkruar figurën e Pater Anton Harapit.
Për dimensionin patriotik dhe human të Pater Harapit
Nëse do të vendosnim përballë dëshminë e Hermann Neubacher-it dhe akt-akuzën që e çoi në ekzekutim Pater Anton Harapin, do të shihnim me rreqethje krejt dramën. Më poshtë po sjell një fragment nga libri i Neubacher-it:
"Shkodër 1943: ajër i randë, presione natën për pare, vrasje në mes të rrugës, në shtëpitë e vogla, nder kafe. Në mes të ditës! Në një rreth të vogël shqiptarësh e gjermanësh. Pater Anton Harapi tregon se si natën e kalueme tre burra të njohun të lëvizjes ilegale komuniste kishin shkue tek ai në kuvend për me zhvillue një debat politik me të. Partia Komuniste, kishin thanë ata, nuk luftonte kundër kishës. Komunizmi asht në një fazë të re zhvillimi, ai lufton për lirinë kombëtare dhe për një demokraci të vërtetë. Çka kërkon i pari i françeskajve Pater Antoni në një Këshill Regjence, i cili bashkëpunon me okupatorët fashistë? Nji oficer gjerman të policisë së shtetit, që ishte i pranishëm e kapën ethet e gjuetisë:
"Sa interesante Pater Anton! A do t'mundeni me na thanë së kush ishin ata tre burra?"
Fytyra e tij prej asketi si e gdhendun në dru e me një hundë të madhe u nxi prej trazimit:
"Mos harroni ju, që unë jam shqiptar!"
Të tre burrat, edhe pse të pagrishun, ishin në banesën e tij, pra gjatë kësaj vizite ata kishin të drejtën e mbrojtjes miqësore.
Megjithatë komunizmi nuk i njeh ma vlera të tilla, bile as në Shqipni. Mbas tërheqjes së trupave gjermane nga Shqipnia, Pater Antonin e kapën në strehën e një shtëpie miku, dhe ata tre burrat ka gjasë të kenë qenë midis gjykatësve ose spektatorëve kur ai u var në litar.
Këto janë disa shembuj në vend të mijrave. Ato e kanë vendin këtu, unë përpiqem me shpalosun një përshtypje nga kjo botë e shumllojtë, e cila mundet me qenë, sa e përzemërt aq dhe mizore."
Sigurisht që pasazhi i mësipërm nuk është një fragment i zakonshëm. Ai nuk mund të kalohet me indiferencë paralitikësh e me ndonjë frazë dembele si ".... ah sa interesant!" Jo. Kjo është një dëshmi e jashtëzakonshme që vjen prej një dëshmitari okular dhe që me pak fjalë sqaron në mënyrë dramatike rolin e Pater Anton Harapit në raport si me gjermanët ashtu dhe kundërshtarët e tij partizanë ose gjykatësit e tij të nesërm.
Por si është e mundur që Harapi guxon kaq shumë? Si është e mundur që në një mjedis kaq të rrezikshëm ai ngrihet aq lart? Ku e gjen ai këtë forcë? Në fakt përgjigjen ai e jep vetë: "Mos harroni ju, që unë jam shqiptar!"- i drejtohet ai oficerit të Gestapo-s.
Pak vjet më vonë kur rolet kishin ndryshuar Pater Anton Harapi u përball me një gjyq komunistësh, të cilët nuk mund të falnin. Ndoshta të nisur nga i njëjti motiv prej të cilit kishte falur Pater Anton Harapi. Ai kishte falur së ishte në palcë shqiptar, ndërkohë që ata që e dënuan nuk falnin pikërisht për të kundërtën.
Neubacher-it i ka rënë në sy mjaft fakti se Pater Anton Harapi është shumë shqiptar, bile në disa raste duket se ai është i gatshëm që të tolerojë, të paktën në komunikim me të huajt, edhe disa cilësi shqiptarësh që bien ndesh edhe me vetë doktrinën e krishterë.
Në librin e tij Neubacher-i na jep një detaj tjetër interesant:
"Në banesën teme në Beograd, qershor 1944. Personazhet: Gjenërali Glaisë-Horstënau 'Gjenërali Gjerman në Kroaci', Pater Anton Harapi, i pari i françeskajve të Shkodrës, anëtar i Këshillit të Regjencës.
Glaisë: "A më thoni imzot si e gjykoni ju gjakmarrjen?"
Harapi: "Ajo duhet të egzistojë, ne kemi vetëm këtë ndeshkim."
Ndërhyj un: "I dashtun Pater Anton, a ásht rrëfye ndonjiherë ndonji mirditas për ndonji vrasje për gjakmarrje?"
"Jo, Jo!"
"Por për ndonji vjedhje të vogël?"
"Patjetër!"
"Un e kuptoj këtë krejt qartë. Në nji vend pa aparat shtetnor, pa xhandarë dhe gjyqtarë ndëshkimi ushtrohet nga familja ose nga bashkësia – por un ju pyes ju si teolog i moralit dhe si një bari shpirtnave të gjakmarrsëve katolikë të Mirditës për mendimin tuej!"
"Principi ásht i drejtë, aplikimi ásht problematik"
Kemi për t'u takue rishtas me këtë murg madhështor lutjesh. Në vjetin 1944 ai u bá martir i ndërgjegjes së obligimit të tij meshtarak".
Cilido shqiptar që do të "sulmohej" me një pyetje të tillë mjaft komplekse nga një i huaj do të kishte vështirësi të dilte i pakompromentuar nga situata. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një prift katolik i cili ka për mision të predikojë dashurinë. Bile Pater Anton Harapi, ndonëse kishte pranuar të merrte një përgjegjësi shumë delikate si anëtar i Këshillit të Regjences, kishte refuzuar kryesimin e tij vetëm për shkak të pamundësisë së nënshkrimit të dënimeve me vdekje, që do të ishin obligim i postit të kreut të shtetit. Por në komunikimin me një të huaj ai nuk përpiqet të gjejë alibi tek zhguni i priftit e ta lërë vetëm mirditasin që mëkaton rëndë duke marrë gjak kundër vëllait të vet. Pater A