Incident me Erion Braçen në protestën e Beratit
Një socialist akuzon Erion Braçen si gënjeshtar dhe mashtrues. Incidenti ka ndodhur në përfundim të fjalës së deputetit Braçe në protestën e zhvilluar në lagjen "30 vjetori" të qytetit të Beratit. Sapo Braçja ka mbaruar fjalën e tij, ish kreu i Policisë Elektrike, Muharrem Meta ( të cilin në Berat e thërrasin Shasho), ka dalë në podium, duke marrë mikrofonin i drejtohet publikut: "Mos e dëgjoni këtë se gënjen dhe mashtron!" Në moment, kanë ndërhyrë dy pjesëmarrës të mitingut, të cilët e kanë tërhequr mënjanë dhe e kanë goditur Metën, i cili, pasi ka hipur në një makinë, është larguar nga vendngjarja. Në këtë protestë, Braçe shoqërohej nga deputetja socialiste Ermonela Felaj dhe kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi. Deputeti Braçe në fjalën e tij është shprehur se "kjo qeveri po na shkatërron". "Ajo privatizoi të gjitha institucionet dhe populli nuk përfitoi asnjë qindarkë. Në 25 prill në Berat dhe në 30 prill në Tiranë ne do të protestojmë deri sa të largojmë Berishën", u shpreh Braçe. Ndërkohë një tjetër protestë u zhvillua dje në qarkun e Beratit. Në çorovodë, deputeti i kësaj zone, Fidel Ylli, i cili shoqërohej nga kryetari i qarkut të Beratit, Pelivan Shatri dhe disa kryetarë komunash, i ka bërë thirrje pjesëmarrësve të marrin në dorë fatet e tyre. "Unë dua t'i bëjë apel punonjësve të administratës së spitaleve, shkollave, ndërmarrjeve shtetërore, të marrin në dorë fatin e tyre, që mos të kthehen nesër në skllevër të këtij pushteti të korruptuar si pasojë e vjedhjes së votës dhe me frikën e largimit nga puna vetëm të bashkuar mund t'i japim fund këtij pushteti grabitqar", u shpreh Ylli. D.Xh