Shalsi: Sekserët e Qeverisë po rrëmbejnë shkollën e banorëve
Banorë të njësisë bashkiake nr.9 në kryeqytet protestuan në mbrojtje të projektit për një shkollë 9-vjeçare, trualli i të cilës është dhënë nga Qeveria për privatizim. Në mbështetje të kësaj proteste, ishte dhe deputeti socialist, Eduard Shalsi. "Krejt në mënyrë të beftë mësuam se sekserët e kryeministrit kanë shtrirë tentakulat e tyre edhe në këtë truall, që ne e kishim projektuar për një shkollë 9-vjeçare dhe të mesme", u shpreh Shalsi. Sipas tij, banorët duhet të luftojnë që fëmijët e tyre të mos mbeten pa shkollë, pasi ende ka hapësira publike për ta realizuar këtë. "Unë këtë vit kam mësuar se ende në këtë territor ka dy mijë, tre mijë metra katrorë ende të pa privatizuar. Kam kuptuar se kemi akoma kohë për të luftuar bashkërisht që ky tremijë metër katrorë aq sa i duhet këtij komuniteti për të ndërtuar një shkollë të mos mbetet në duart e sekserëve që do ta përdorin për interesat e tyre private larg këtij interesi madhor publik. Kemi arsye të dashur motra dhe vëllezër që të vazhdojmë luftën tonë derisa në këtë vend të shohim një godinë, një shkollë 9 vjeçare dhe të mesme që do t'i shërbejë të gjithë fëmijëve të këtij komuniteti. Ne nuk duhet të rreshtim, por duhet t'i imponohemi, kryeministrit dhe Qeverisë së tij që të mos guxojë të luajë me ato troje në të cilat varet e ardhmja e këtyre fëmijëve", u shpreh Shalsi. Pjesëmarrësit në këtë protestë janë ankuar për rritjen e lartë të çmimeve, e veçanërisht atë të energjisë.