Vaqarr, gruaja akuzon burrin 50-vjeçar: Incest me vajzën
Dëshmia e gruas së një 50-vjeçari nga Vaqarri "trondit" policinë e Tiranës me akuzat ndaj bashkëshortit të saj për incest seksual ndaj vajzës. Policia e kryeqytetit shoqëroi në komisariatin numër një, një 50-vjeçar nga Vaqarri, i akuzuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me vajzën e mitur 10-vjeçare. Sipas burimeve pranë hetimit, gjithçka ka nisur pasditen e së premtes kur 50-vjeçari kishte rrahur rëndë bashkëshorten e tij pas një grindjeje në familje. E dëmtuara është përcjellë me urgjencë në Spitalin Ushtarak ku i është dhënë ndihmë mjekësore dhe më pas është marrë në pyetje nga agjentët e krimeve kundër personit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. E dëmtuara pasi ka depozituar kallëzimin penal ndaj bashkëshortit për dhunë të përsëritur fizike e ka akuzuar atë edhe për abuzimin seksual me vajzën e mitur. Kaq është dashur që policët e komisariatit numër një të shoqëronin babain, ndërsa kanë marrë në pyetje edhe vajzën e mitur. Ende nuk dihet nëse policia disponon një ekspertizë mjeko-ligjore për vajzën, por burime nga komisariati numër një pohojnë se vajza ka pranuar faktin se është abuzuar seksualisht nga i ati, i cili për këtë shkak kishte rrahur edhe nënën. Pas kësaj dokumentet e kësaj çështjeje janë përcjellë në Prokurorinë e Tiranës ku prokurori i gatshëm ka vendosur lirimin e menjëhershëm të 50- vjeçarit pasi e ka marrë në pyetje atë. Të paktën organi i akuzës është shprehur se e vetmja provë në ngarkim të tij ishin deklarimet e bashkëshortes së dhunuar dhe vajzës së mitur, gjithashtu e dhunuar fizikisht nga i ati. Këto janë vlerësuar si të dyshimta nga prokuroria, pasi mendohet që gruaja dhe vajza e 50- vjeçarit mund ta kenë akuzuar atë nisur nga rrahja. Po kështu më pas ka rezultuar se Gjykata e Tiranës kishte lëshuar pak kohë më parë një urdhër-mbrojtjeje ndaj bashkëshortes nga Vaqarri, për shkak të dhunës që burri ushtronte ndaj familjarëve. Burime nga organi i Prokurorisë së kryeqytetit pohojnë se ndaj 50- vjeçarit është ngritur akuza për rrahjen e bashkëshortes, ndërkohë që nuk është përjashtuar edhe nga hetimi për abuzimin seksual ndaj të bijës 10 vjeçare. Nisur nga ky fakt prokuroria ka vendosur hetimin e tij në gjendje të lirë, ndërsa pritet që në ditët në vazhdim vajza 10 vjeçare t'i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore për të ekzaminuar nëse ajo është dhunuar apo jo seksualisht nga i ati. Po kështu bashkëshortja e 50- vjeçarit, denoncuesja e dhunës fizike ndaj saj dhe së bijës vazhdon të marrë mjekime në Spitalin Ushtarak, ku sipas burimeve mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën. f.m