E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet anëtari i 14-të i grupit që shiste euro false në Tiranë



TIRANE - Arrestohet anëtari i 14-të i grupit të falsifikatorëve të eurove që ranë në pranga gjatë aksionit "Graniti". Policia e kryeqytetit pohoi dje se ka vënë në pranga të riun Hazir Maçi, i akuzuar të jetë anëtar i grupit të arrestuar dy ditë më parë për shpërndarje kartëmonedhash false të prerjes 100 euro. Maçi u prangos në sheshin pas hotel Tiranës, në vendin ku policia pohon se kryente aktivitetin e vet të shpërndarjes së eurove false. Burime nga hetimi pohojnë se Maçi ua shiste eurot false kosovarëve, të cilët udhëtonin me autobusët që stacionin e kanë në sheshin midis Muzeut Kombëtar dhe Hotel Tiranës. Pas arrestimit të Maçit numri i të prangosurve në operacionin "Granit" arrin në 14 vetë, ndërkohë që burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se priten të tjera arrestime, pasi ka ende persona të tjerë që dyshohen të jenë bashkëpunëtorët e të arrestuarve. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme të arrestuarit janë marrë në pyetje nga organet e hetimit, ku kanë dhënë deklarimet e tyre në lidhje me akuzën. Po kështu hetimet kanë nxjerrë se një pjesë e të arrestuarve kanë precedentë të mëparshëm penalë në fushën e falsifikimit të monedhave apo dhe në kryerjen e veprave të tjera penale. Kështu i arrestuari Nuredin Bishani nga qyteti i Fierit ka vuajtur dy vjet më parë një dënim për falsifikim dokumentesh në kryeqytet, ndërsa pak kohë më parë është liruar nga burgu, ku ka vajtuar një dënim me 6 muaj burg për "moskallëzim krimi" i përfshirë në një grup kriminal që shpërndante drogë në Fier, Korçë dhe Tiranë. Bishani, i cili kishte ndërruar gjenialitetet në Nino Lila, u kap në Rinas ndërsa kthehej nga jashtë shtetit. Burime pranë hetimit të çështjes ndaj 14 të arrestuarve pohuan se gjatë ditës së nesërme këta pritet që të dërgohen në Gjykatën e Tiranës ku do t'iu caktohet masa e sigurisë për veprën penale të "falsifikimit të kartëmonedhave" dhe "shpër-ndarjes së kartëmonedhave të falsifikuara", të kryera në bashkëpunim me njëri - tjetrin. 14 të prangosurit akuzohen se u kapën teksa po sillnin nga Maqedonia në Tiranë një sasi prej 73 mijë eurosh të prerjes 100 euro, të falsifikuara. Sipas policisë gjysma e kësaj sasie ishte falsifikuar me teknologji të lartë ku u mungonte vetëm numri i serisë, ndërsa pjesa tjetër ishte fotokopjuar keq dhe njihej lehtë. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›